Lajm4 Apr 2021

Vjosa Osmani zgjidhet presidente e Kosovës

Në raundin e tretë të votimit në Kuvendin e Kosovës, Vjosa Osmani arriti të merrte 71 vota, duke u zgjedhur kështu zyrtarisht presidentja e re e Kosovës.

Autor: BIRN BIRN Tiranë
Printo

Vjosa Osmani, presidentja e re e Kosovës. Foto: Facebook/Vjosa Osmani

Politikania 38-vjeçare Vjosa Osmani është zyrtarisht presidentja e re e Kosovës. Në raundin e tretë të votimeve ajo arriti të merrte 71 vota. Njëmbëdhjetë vota ishin të pavlefshme. Kandidati tjetër për postin e presidentit përballë Osmanit ishte Nasuf Bejta, i cili nuk mori asnjë votë.

Zgjedhja e saj u bë në raundin e tretë të votimeve në parlamentin 120 vendesh. Në dy raundet e para ajo nuk siguroi numrin prej 80 votash, siç parashihet me Kushtetutën e Kosovës.

Osmani ishte pjesë e Lidhjes Demokratike të Kosovës, LDK, deri në qershor të vitit 2020 kur ajo refuzoi të mbështeste qeverinë e atëhershme të udhëhequr nga Avdullah Hoti.

Në zgjedhjet e mbajtura më 14 shkurt në Kosovë, Osmani mori më shumë vota nga çdo kandidat tjetër në vend – mbi 300,000 të tilla. Ajo mbajti për pak kohë postin e presidentes në detyrë, pasi Hashim Thaçi dha dorëheqjen më 5 nëntor për t’u përballur me akuzat për krime lufte në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.