Ish-partia qeverisëse në Maqedoni, VMRO DPMNE paralajmëroi ‘tension’ në vend nëse Social Demokratët në opozitë formojnë një administratë të re në aleancë me partitë etnike shqiptare.
Nëse Lëvizja e Social Demokratëve, LSDM formon një qeveri të re në aleancë me partinë kryesore etnike shqiptare Bashkimin Demokratik për Integrim, BDI, rezultati do të jetë tension në Maqedoni, tha në një deklaratë për shtyp VMRO DPMNE.
“Do të bëjmë gjithçka që kemi në dorë për të ruajtur paqen dhe stabilitetin por nuk e dimë se si do të shkojnë gjërat. Do të ketë tension teksa njerëzit janë të zemëruar”, tha të enjten lideri i partisë dhe ish-kryeministri Gruevski në vizitën e tij me Alan Ducan, Ministrin Britanik për Europën dhe Amerikat.
Gruevski e akuzoi Zoran Zaev, kreun e LSDM për shkelje të interesave kombëtar në përpjekjet e tij për të joshur BDI për të pranuar kërkesat e partisë për një ligj që do të zgjerojë përdorimin e shqipes në Maqedoni.
Gruevski tha se Zaev po bënte shumë lëshime për shqiptarët, duke shtuar: “Ka ende forca që dëshirojnë të mbrojnë interesat kombëtare”.
Zaev të enjten pretendoi se ai kishte siguruar mbështetjen e BDI dhe se kishte të drejtë të merrte mandatin nga presidenti Gjorge Ivanov për të formuar një qeveri. Ai tha se priste të formonte qeverinë brenda dy javëve të ardhshme, në fillim të marsit.
Megjithatë, BDI nuk e ka konfirmuar ende paktin zyrtar me LSDM. Një vendim pritet të merret në ditët në vazhdim.
LSDM fitoi 49 nga 120 vende të mundshme në parlament në zgjedhje ndaj ka nevojë për mbështetjen e të paktën 61 deputetëve për të krijuar një mazhorancë.
Dy parti më të vogla etnike shqiptare, Aleanca për Shqiptarët dhe partia BESA, që kontrollojnë së bashku tetë deputetë, e kanë dhënë tashmë fjalën për mbështetje.
Megjithatë, mbështetja e dhjetë deputetëve të BDI është thelbësore nëse LSDM do të krijojë mazhorancë.