Skuadra bullgare e volejbollit YEB Shumen 05 ka hyrë në histori pasi tërhoqi të parën lojtare iraniane, Maedeh Borhani Esfahani, për të luajtur për një skuadër jashtë Iranit.
Sulmuesja 29-vjeçare nga Irani mbërriti në qytetin verilindor bullgar Shumen më 9 janar dhe po stërvitet tashmë me skuadrën vendase, që aktualisht renditet në vendin e gjashtë në ligën kombëtare të volejbollit për femra.
Borhani do të vazhdojë të luajë për skuadrën iraniane të volejbollit dhe do të largohet javën e ardhshme për të luajtur me vendin e saj, tha për BIRN të hënën menaxheri i YEB Shumen, Mehmed Basharan.
Ajo pritet të luajë ndeshjen e parë me skuadrën e re bullgare më 3 shkurt.
Basharan shpjegoi se ai i ka ndjekur lojtarët iranian prej disa vitesh dhe kështu zbuloi se lojtaret e volejbollit nuk janë edhe aq të paguara në Iran.
Ai iu afrua Borhani me një ofertë të cilën ajo e pranoi, por transferimi i saj duhej të miratohej nga Federata Iraniane e Volejbollit dhe nga Ministria Iraniane e Sporteve.
Kushti i tyre i vetëm ishte që atletja të vazhdonte të luante duke mbajtur një shami – e domosdoshme në Iran – dhe me fanellë me mëngë të gjata – ashtu sikurse bën për skuadrën kombëtare iraniane.
Pasi arriti një marrëveshje me Borhani, menaxheri i YEB Shumen tërhoqi një lojtare të dytë iraniane në skuadrën e tij – kapitenen 33-vjeçare të skuadrës kombëtare iraniane, Zeynab Ali Guveh, e cila mbërriti në Bullgari më 13 janar.
Menaxheri tha se shamia e kokës nuk ishte problem. “Askush nuk e vë re. Ato [skuadra] janë një kolektiv shumë i bashkuar. Duket sikur ato [iranianet] janë në shtëpi”, tha Basharan kur u pyet rreth reagimit të anëtarëve të tjerë të skuadrës.
“Jam krenare për shaminë time, jam krenare për fenë time dhe shpresoj që bullgarët ta pranojnë këtë,” tha Borhani në një intervistë për Televizionin Kombëtar Bullgar të hënën.
Ajo shtoi se konkurrimi në ligën bullgare të volejbollit është një hap i madh për të.
“Shpresoj të përmirësoj nivelin tim. Ne nuk kemi lojtare të tjera që kanë bërë transferime jashtë vendit – unë jam e para,” theksoi iraniania.
YEB Shumen 05 ka shpresa të mëdha nga yjet iraniane të volejbollit, me të cilat ka përmbushur kuotat e veta për lojtaret e huaja nga vendet jashtë BE-së.
“Ne do të luajmë për vendin e parë në ligën kombëtare të këtij viti. Vitin tjetër, ne po luajmë që të hyjmë në kampionatin europian,” tha menaxheri Mehmed Basharan.