Analize3 Oct 2018

Votat e shqiptarëve jo thelbësore në dështimin e referendumit në Maqedoni

Analistët thonë se pritshmëritë për një pjesëmarrje të madhe nga shqiptarët etnikë në referendumin e emrit të Maqedonisë ishin të gabuara. Pjesëmarrja e tyre ishte e njëjtë me atë në zgjedhjet e mëparshme dhe nuk mund të fajësohen ata për dështimin e referendumit për të arritur pragun prej 50 për qind pjesëmarrje.

Autor: Goce Trpkovski BIRN Shkup
Printo

Gjatë votimit në referendumin në Maqedoni. Foto: (AP Photo/Thanassis Stavrakis)

Shqiptarët etnikë në Maqedoni dolën në referendumin e së dielës në numër të ngjashëm me zgjedhjet lokale të vitit të kaluar, sipas të dhënave të votimit dhe nuk mund të fajësohet movotimi i më shumë të tillëve për moskalimin e pragut të plebishitit, thonë analistët politikë.

Ka pasur pritshmëri të mëdha mes disa komentatorëve se shqiptarët etnikë të Maqedonisë, që vlerësohet të jenë midis çerekut dhe një të tretës së popullsisë prej 2.1 milionë banorësh të Maqedonisë, do të dilnin në zgjedhje në referendum në favor të ndryshimit të emrit të vendit në “Maqedonia e Veriut” dhe do të zhbllokonin ofertën e saj për t’u bashkuar me NATO-n dhe Bashkimin Europian.

Kur u bë e qartë natën e referendumit se nuk do të arrihej pjesëmarrja e nevojshme, disa ekspertë sugjeruan se qeveria ishte lënë në baltë nga votimi i shqiptarëve etnikë. Opozita e krahut të djathtë VMRO-DPMNE kishte mbështetur një bojkot.

Megjithatë, të dhënat tregojnë se në 15 komunat me shumicë shqiptare, pjesëmarrja ishte vetëm pak më e ulët sesa në zgjedhjet lokale një vit më parë – 233,000 votues krahasuar me 261,000.

Për më tepër, në zonat rurale ku shqiptarët përbëjnë shumicën dërrmuese, shifrat nga Komisioni Shtetëror Zgjedhor sugjerojnë se pjesëmarrja në referendum tejkaloi anketimet lokale.

Në Araçinovë, për shembull, një zonë pranë Shkupit, për të cilën u luftua ashpër nga forcat qeveritare dhe guerilasit shqiptarë etnikë kur vendi qe pranë një lufte civile në vitin 2001, në referendumin e ditës së dielë pati 500 vota më shumë sesa në zgjedhjet lokale të vitit të kaluar. Në Bogovinë kishte 700 më shumë, në Zhelino pothuajse 1,500 më shumë dhe në Saraj 5,000 më shumë.

Anasjelltas, në qytetin kryesisht shqiptar etnik të Tetovës, janë hedhur rreth 5,000 vota më pak; në Gostivar kishte 8,000 më pak dhe në Kërçovë 10,000 më pak.

Shqiptarët etnik në Maqedoni në përgjithësi janë më pak të lidhur me emrin “Maqedoni” dhe në tërësi favorizojnë hyrjen në Bashkimin Europian dhe në NATO.

“Njerëzit nuk janë këtu”

Një grua duke votuar në fshatin Araçinovë më 30 shtator 2018 në Maqedoni. Foto: AP Photo/Boris Grdanoski.

Në një konferencë për shtyp të hënën, zv/kryeministri Bujar Osmani, i cili vjen nga radhët e Bashkimit Demokratik Shqiptar për Integrim, partneri më i vogël në koalicionin qeverisës, qe i shpejtë për të refuzuar pretendimet se shqiptarët etnikë kishin zhgënjyer kampin “Po”.

“Gjithashtu dua të hedh poshtë spekulimet se shqiptarët nuk kanë votuar në numër të mjaftueshëm,” tha ai. “Ata votuan në numrat e tyre maksimalë të mundshëm, të atyre që janë aktualisht në Maqedoni.”

Osmani shtoi: “NATO dhe Bashkimi Europian janë fenomenet e vetme që në një farë mënyre homogjenizojnë qytetarët në kuptim të qëllimit. Dje, qytetarët nuk votuan si shqiptarë dhe maqedonas, por si qytetarë që duan ta shohin Maqedoninë në NATO dhe BE.”

Osmani sugjeroi që pjesëmarrja ishte pak më e lartë në zgjedhjet lokale, sepse procesi ndihet më i rëndësishëm për shqiptarët etnikë.

Analisti politik Sefer Tahiri fajësoi shkallën proporcionale më të madhe të emigrimit midis shqiptarëve etnikë në Maqedoni.

“Një numër i madh shqiptarësh punojnë jashtë vendit – mendimi im është se janë rreth 200,000 deri në 300,000 njerëz të tillë, dhe kjo ishte e rëndësishme për referendumin,” tha ai.

“Edhe uën mendova se do të kishte një pjesëmarrje shumë më të madhe sesa zakonisht, për shkak të BE-së dhe NATO-s. Por doli se kjo është sasia. Ata që zakonisht votojnë kanë shprehur mendimin e tyre, por ka rreth 100,000 votues shqiptarë që janë apolitikë në të gjitha zgjedhjet dhe kjo u vërtetua në referendum.”

Analisti Albert Musliu fajësoi edhe emigracionin.

“Problemi është se njerëzit nuk janë këtu. Është një fakt,” tha ai. “Ne shohim se si po zbrazen qytetet dhe fshatrat.”

“Mendimi se referendumi dështoi për shkak të shqiptarëve është antiteza e tezës së VMRO-së se shqiptarët do të përcaktojnë emrin (rezultatin e referendumit) në dëm të maqedonasve. Pra, ata nuk kanë vendosur. Shumica e atyre që votuan janë maqedonas.”

Analistët janë në një mendje se një mungesë vullneti për të votuar nuk duhet të merret domosdoshmërish si një mesazh kundër integrimit në NATO dhe BE, por kundër partive politike të Maqedonisë.