Lajm22 Dec 2017

Votimi në OKB për Jeruzalemin zbulon ndasitë mes shteteve të Ballkanit

Vendet e Ballkanit votuan në mënyra të ndryshme mbi rezolutën e OKB-së që kritioi vendimin e SHBA-së për të njohur Jeruzalemin si kryeqytet i Izraelit, duke reflektuar konfliktin mbi qëndrimet e SHBA-së dhe BE-së mbi këtë çështje.

Autor: Hamdi Fırat Buyuk BIRN Sarajevë
Printo

Votimi në OKB mbi Jeruzalemin. Foto: Anadolu / Atilgan Ozdil

Vendet e Ballkanit votuan në mënyra të ndryshme në rezolutën e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, ku shumica e vendeve nxitën Shtetet e Bashkuara të tërheqin njohjen e Jeruzalemit si kryeqytet të Izraelit.

Shumica e vendeve sfiduan presidentin e SHBA-së Donald Trump të enjten dhe votuan në favor të rezolutës që bën thirrje që Uashingtoni të tërhiqet nga plani për të zhvendosur ambasadën e SHBA-së nga Tel Avivi për në Jeruzalem.

Rezoluta u miratua me 128 vota pro dhe 9 kundër, një votim masiv ku tri të katërtat e kombeve votuan “po”. Tridhjetë e pesë vende të tjera abstenuan ndërsa 21 vende nuk votuan.

Të vetmet vende që votuan në favor të SHBA-së ishin Guatemala, Hondurasi, Ishujt Marshall, Mikronezia, Nauru, Palau, Toko dhe, natyrisht, Izraeli.

Në kontrast me këtë, shumica e vendeve Europiane, përfshirë aleatë të ngushtë të SHBA-së, votuan në favor të rezolutës në përputhje me deklaratat e mëparshme.

Vendet e Ballkanit e panë veten të zënë në mes të konfliktit mes SHBA-së dhe BE-së por shumica e tyre ndoqën rrugën e BE-së dhe jo të Uashingtonit.

Para votimit në OKB, ministrat e jashtëm të Europës hodhën poshtë thirrjen e kryeministrit të Izraelit Benjamin Netanjahu, që ata të ndiqnin shembullin e Trump dhe të njihnin Jeruzalemin si kryeqytet të Izraelit.

Shqipëria, Bullgaria, Maqedonia, Mali i Zi, Greqia, Serbia dhe Turqia votuan në favor të rezolutës duke sfiduar paralajmërimet e SHBA-së.

E njohur si aleat i ngushtë i SHBA-së si dhe si vend me marrëdhënie miqësore me Izraelin, Shqipëria ndjeu nevojën për të shpjeguar votën në OKB, duke thënë se Shqipëria “mbajti pozicionin e përbashkët të shumicës së vendeve anëtare të BE-së”.

Gjithsesi, disa nga opozita në Shqipëri shprehën zemërim mbi vendimin. Ish-kryeministri dhe deputeti i PD-së Sali Berisha shkroi në Facebook se vota ishte “kundër interesave të vendit”.

Në rrjetet sociale, shumë shtetas komentuan qëndrimin e Shqipërisë, duke argumentuar se abstenimi mund të ishte qëndrim më i mirë.

Ky ishte pozicioni që mori Bosnja dhe Hercegovina, Kroacia dhe Rumania, ndërkohë që Moldavia nuk u paraqit për të votuar.

Sipas medias vendëse në Bosnjë, Bakir Izetbegovic, anëtari boshnjak i presidencës tripalëshe të Bosnjës, deshi të votonte kundër vendimit të Trump por kroatët dhe serbët zgjodhën abstenimin.

Pas kritikave se si Bosnja me popullsinë e saj të madhe myslimane abstenoi mbi çështjen e Jeruzalemit, Halid Genjac, një figurë e lartë e partisë kryesore boshnjake, Partia për Veprim Demokratik, të premten i rikujtoi kritikëve se presidenca tripalëshe kërkon konsensus mbi vendime të tilla.

“Bosnja dhe Hercegovina është një vend i përbërë nga opinione të ndryshme. Nën këto kushte, ne nuk kishim zgjidhje tjetër veç abstenimit,” shpjegoi Genjac.

Statusi i Jeruzalemit është tema më e nxehtë në bisedimet e paqes që kanë ngecur në vendnumëro mes Izraelit dhe Palestinës.

Bashkësia ndërkombëtare nuk e njeh përpjekjen e Izraelit për të marrë kontrollin mbi të gjithë qytetin e Jeruzalemit, përfshirë Jeruzalemin lindor të banuar në përgjithësi nga palestinezë.

Kryeministri i Izraelit Netanyahu sulmoi OKB-së si një “shtëpi gënjeshtrash” para votës.