BIRN ka mësuar se aktakuza për vrasjen e politikanit Oliver Ivanoviç thotë se dy serbë të Kosovës, Milan Radoiciç dhe Zvonko Veselinoviç, ishin drejtuesit e një grupi kriminal përgjegjës për vrasjen dhe akuzon disa policë të tjerë për asistim në krim.
Aktakuza prej 48 faqesh, të cilën BIRN e ka siguruar, përshkruan dy serbë të njohur të Kosovës nga qyteti i ndarë i Mitrovicës, Milan Radoiciç dhe Zvonko Veselinoviç, si drejtues të një “grupi të organizuar kriminal” përgjegjës për vrasjen në janar 2018 të politikanit Oliver Ivanoviç.
Radoiciç, nënkryetari i partisë kryesore politike serbe të mbështetur nga Beogradi, Lista Serbe, është një biznesmen i cili shihet gjerësisht si mbajtësi i vërtetë i pushtetit në shumicën serbe të veriut të Kosovës.
Ai dhe Veselinoviç aktualisht janë në arrati dhe kërkohen për t’u arrestuar së bashku me Zeljko Bojiç, ish-komandantin i Policisë së Kosovës në rajonin verior me shumicë serbe.
Aktakuza akuzon Nedeljko Spasojeviçin, Marko Rosiçin, Silvana Arsoviçin, Dragisa Markoviçin, Zarko Jovanoviçin dhe Rade Basaran për përfshirje në vrasjen e Ivanoviçit.
Spasojeviç, Markoviç, Jovanoviç dhe Basara ishin të gjithë policë të Kosovës para se të arrestoheshin.
Aktakuza pretendon se Spasojeviç, Rosiç dhe Basara vepruan “si një grup i organizuar kriminal së bashku me Milan Radojiciçin, Zvonko Veselinoviçin dhe Zeljko Bojiçin, të cilët janë në arrati, dhe me qëllim morën pjesë në veprimet kriminale të grupit duke ditur që një pjesëmarrje e tillë do të kontribuonte në realizmin e aktiviteteve kriminale të grupit ”.
“Secili i paditur ka kryer vepra kriminale specifike dhe këto akte rezultuan në vdekjen e Oliver Ivanoviçit”, pretendon aktakuza.
Ivanoviç, drejtuesi i partisë Liri, Demokraci, Drejtësi, u qëllua para zyrës së partisë së tij në Mitrovicë më 16 janar 2018.
Aktakuza pretendon se grupi kriminal ka ekzistuar që nga viti 2011 dhe “ka një strukturë dhe role hierarkike me Zvonko Veselinoviçin dhe Milan Radoiciçin si udhëheqës, ndërsa anëtarët e tij janë të paditurit Nedeljko Spasojeviç, Marko Rosiç, Rade Basara dhe persona të tjerë”.
Ajo pretendon se grupi ka kryer vepra penale të tilla si vrasje, asistim në vrasje, shpërdorim detyre dhe shkaktim rreziku të përgjithshëm.
Ajo thotë se polici Spasojeviç, duke vepruar si anëtar i grupit kriminal, ndihmoi vrasjen e Ivanoviçit “duke krijuar kushte dhe duke hequr pengesat për kryerjen e vrasjes dhe duke marrë të dyshuar të panjohur në makinën Opel Astra të parkuar në një periferi të qytetit të Mitrovicës, nga e cila u krye vrasja të nesërmen”.
Rosic ndërkohë ndoqi “çdo veprim të Oliver Ivanoviçit” para vrasjes, pretendon ajo.
Basara, një polic tjetër, bashkëpunoi me grupin përmes komandantit të policisë Bojiç dhe “fshehu provat dhe u angazhua nga grupi kriminal për të fshehur gjurmët e krimit dhe për të mos hedhur dritë mbi çështjet që kanë të bëjnë me të dyshuarit që i përkasin grupit kriminal të Radoiciçit”, vazhdon aktakuza.
Aktakuza gjithashtu pretendon se Silvana Arsoviç, një ish-punonjëse administrative e partisë së Ivanoviçit, personi i vetëm i pranishëm në zyrë në kohën e vrasjes së tij, shkëputi energjinë elektrike që kamerat të mos funksiononin kur u qëllua Ivanoviçi.
“Kjo bëri të mundur që të dyshuarit të mos filmoheshin nga kamerat kur kryen vrasjen, ndërsa menjëherë pas vrasjes, ajo aktivizoi kamerat në zyrat e partisë”, pretendon aktakuza.
Dy oficerë të tjerë të policisë, Markoviç dhe Jovanoviç, të cilët ishin të parët që arritën në vendin e ngjarjes, sipas aktakuzës, nuk morën masa për të siguruar vendin e ngjarjes “duke lejuar persona të tjerë të ndërhynin në skenën e krimit, duke dëmtuar kështu provat”.
Ajo pretendon se Jovanoviç mori një gëzhojë të gjetur në vendngjarje dhe e futi në xhep.
Autoritetet e Kosovës arrestuan katër individë në lidhje me rastin në nëntor 2018.
Ata përmendën Radoiciçin si të dyshuar, por ai e shmangi arrestimin dhe u arratis në Serbi, ku autoritetet kanë pohuar se ai është i pafajshëm. Ai mohon përfshirjen në vrasjen e Ivanoviçit.
Dikur i konsideruar si një nacionalist fanatik, Ivanoviç kishte evoluar në një politikan të moderuar që mbronte bashkëjetesën midis pakicës serbe dhe shumicës shqiptare të Kosovës.
Ai gjithashtu ishte bërë gjithnjë e më i zëshëm në kritikën e tij ndaj qeverisë së Beogradit.
Në kohën e vdekjes së tij, ai po rigjykohej për urdhërimin e vrasjes së shqiptarëve të Kosovës gjatë luftës në Kosovë në vitin 1999. Ai e kishte deklaruar veten të pafajshëm për këtë.