Dy prokurorë në Prokurorinë e Përgjithshme janë pezulluar nga detyra dhe janë vendosur nën hetim, pasi akuzohen se kanë mbajtur një qëndrim të paligjshëm gjatë rekursit të një çështjeje gjyqësore në Gjykatën e Lartë.
“Prokurori i Përgjithshëm, z. Adriatik Llalla pezulloi nga detyra Drejtorin e Drejtorisë Gjyqësore, Alma Muça dhe prokurorin e Prokurorisë së Përgjithshme, Artur Selmani, si edhe urdhëroi nisjen e hetimit ndaj tyre, për shkak të qëndrimit të dyshimtë që është mbajtur në Gjykatën e Lartë, ku po shqyrtohet rekursi për një ngjarje të rëndë në Vlorë, ndodhur në vitin 2015, ku kanë mbetur të vdekur 3 persona pas një konflikti të armatosur,” tha Prokuroria nëpërmjet një njoftimi për shtyp.
“Gjatë shqyrtimit të rekursit në Gjykatën e Lartë, prokurori i çështjes, Artur Selmani, jo vetëm që nuk ka mbështetur qëndrimet e mëparshme të Prokurorisë, por ai ka kërkuar pushimin e akuzave shumë të rënda, për të cilët të pandehurit ishin dënuar maksimalisht në dy shkallët e gjyqësorit në Vlorë,” shtoi Prokuroria.
Sipas organit të akuzës në dijeni të veprimeve të Selmanit ka qenë dhe prokurorja Alma Muça, drejtore në Drejtorinë Gjyqësore në Prokurorinë e Përgjithshme.
Çështja në fjalë lidhet me vrasjen e 3 të rinjve gjatë një konflikti të armatosur në lagjen Çole të Vlorës në Maj 2015, për të cilën janë shpallur fajtor 3 persona. Një prej të pandehurve është dënuar me burgim të përjetshëm, ndërsa dy prej të pandehurve janë dënuar me 35 vjet burg nga Gjykata e Apelit Vlorë.
Të enjten Gjykata e Lartë e la në fuqi vendim e Gjykatës së Apelit Vlorë për 3 të akuzuarit.
Prokurorët Selmani dhe Muça do të hetohen për veprat penale të “Korrupsionit pasiv të gjyqtarëve dhe prokurorëve….” Dhe “Shpërdorim detyre.” Gjithashtu, pjesë e penalizimit administrativ dhe hetimit penal janë edhe ndihmësit gjyqësorë, të cilët kanë përgatitur relacionin për prokurorin.