Lajm16 Mar 2021

Vrasja e vitit 2014, Apeli i Shkodrës lë në fuqi dënimin me 13 vjet burg

Gjykata e Apelit në Shkodër la në fuqi një dënim me 13 vjet e 4 muaj burg ndaj një 29-vjeçari të akuzuar për vrasje me dashje në vitin 2014.

Autor: Anila Dushi BIRN Shkodër
Printo

Gjykata e Apelit Shkodër. Foto:Anila Dushi

Gjykata e Apelit në Shkodër la në fuqi javën që shkoi një dënim me 13 vjet e 4 muaj burg ndaj 29-vjeçarit Sadedin Erkoçeviq (Lisi)  të akuzuar për vrasjen me dashje në vitin 2014 të Indrit Hyllit.

Ky ishte gjykimi i dytë i çështjes, e cila u rihap me kërkesë të të pandehurit që kishte munguar gjatë shqyrtimit të parë të dosjes në vitin 2017.

Erkoçeviq u gjet sipas gjykatës fajtor për vrasjen e ndodhur në maj të vitit 2014 në një lokal në Zus të Shkodrës. Ai ishte dënuar fillimisht me burg për vrasje me dashje dhe vendimi ndaj tij  kishte marrë formë të prerë në vitin 2018. Në vitin 2019 Erkoçeviq kërkoi të rigjykohej, pasi nuk kishte qenë i pranishëm në gjykimin e parë.

Por rigjykimi nuk duket se ndryshoi shumë në fatin e çështjes. Gjykata e Shkallës së Parë dhe më pas ajo e Apelit rikonfirmuan dënimin me 20 vjet burg ndaj 29-vjeçarit, që për shkak të gjykimit të shkurtuar u konvertua në 13 vjet e katër muaj.

Masa e dënimit ishte e njëjtë me atë që u kërkua nga prokuroria dhe përfaqësuesi i viktimës në gjykatë. Mbrojtësi i të dënuarit pretendoi sipas vendimit të Shkallës së Parë vetëm zbutje të dënimit duke ngritur si pretendim se si viktima dhe i pandehuri kishin konsumuar alkool.