Analize30 Sep 2017

Vrasja në familje, pasojë e tolerimit të konflikteve dhe dhunës brenda saj

Pas vrasjes së një 33-vjeçari në Shkodër nga xhaxhai, psikologët dhe ekspertët thonë se mungesa e  denoncimit të dhunës dhe lënia e konflikteve të përkeqësohen rrit mundësinë ngjarjeve të rënda.  

Autor: Elvis Nabolli BIRN Shkodër
Printo

Rrethimi i policisë në lagjen “Vojo Kushi” në Shkodër, pas vrasjes së 33-vjeçarit Mirsad Kuçi. Foto:E.Nabolli

Motivi i konfliktit të një jave më parë që çoi në vrasjen e Mirsad Kuçit 33 vjeç, për të cilën akuzohet xhaxhai i tij 62-vjeçari Bujar Kuçi është parkimi i makinës në oborrin e përbashkët të dy shtëpive dhe fakti se qeni i viktimës kishte ndotur pjesën e oborrit të xhaxhait në lagjen “Vojo Kushi” të Shkodrës.

Megjithatë, fqinjët dhe të afërmit e familjes Kuçi thonë se 62-vjeçari ishte i vrazhdë dhe se grindje kishin ndodhur edhe më parë mes tij dhe nipit, por sipas policisë, asnjë nga palët nuk kishte denoncuar më parë dhe as ishte kërkuar ndërmjetësim për të zgjidhur konfliktin.

Sipas psikologëve ky është gabimi që çon më pas në përkeqësim të situatës deri në dhunë të rëndë apo vrasje. Ato thonë se denoncimi dhe sesibilizimi janë të vetmet mënyra për të ndaluar më të keqen.

“Një akumulim i tillë i dhunës sistematike çon në viktima”, i tha BIRN psikologia pranë Gjykatës së Shkallës së Parë në Shkodër Megi Shllaku.

“Nuk mund të pretendosh që të eleminohen rastet e krimit në familje, kur një person ka kaluar gjysmën e jetës i dhunuar, apo duke ushtruar dhunë”, shtoi Shllaku. Sipas saj sesibilizimi për këtë duhet të fillojë me fëmijët.

Po ashtu një prokuror i Shkodrës i thanë BIRN se përgjigja e parë për këtë lloj krimi ishte ndërhyrja ndaj personave të dhunshëm para se situata të përkeqësohet në krime. Megjithëse, pas ndryshimeve ligjore kjo prokuori nuk i heton më të tilla raste, sipas prokurorit e vetmja mënyrë për të parandaluar krimin është denoncimi.

Në fakt numri i denoncimeve për dhunën në familje është rritur gjatë këtij viti më qytetin e Shkodrës. Burime nga policia bëjnë të ditur se gjatë 9 muajve të 2017- ës janë regjistruar 160 raste denoncimesh për dhunë në familje, rreth 80 më shumë se vitin e kaluar.  Por sipas tyre, megjithë këtë dyfishim, numri i atyre që vuajnë dhunë në familje mund të jetë edhe më i madh, pasi shumë refuzojnë të denoncojnë.

Psikologia Shllaku thotë se faji për këtë është i strukturave të shtetit që nuk funksionojnë.  “Mos funksionimi i strukturave të shtetit nuk u jep siguri të dhunuarve, prandaj edhe denoncimi bëhet i vështirë”, thotë ajo.

Mirsad Kuçi ishte viktima e dytë e konflikteve brenda familjes vetëm gjatë këtij viti. Krimi e ka lënë familjen të shokuar dhe në kërkim të përgjigjeve.

“Ajo çfarë i ka ndodhur familjes tonë, mos i ndodhtë kujt. Me të vra axha! A ka hall më të madh në botë,” tha njëri nga familjarët, të cilët  presin ngushëlimet e miqve për humbjen e jetës së 33-vjeçarit.

Fqinjët thonë se përplasjet e tij me xhaxhain ishin të vjetra, pasi dy familjet jetonin në të njëjtën ndërtesë dhe ndanin oborrin  që ishte kthyer në arsye të konflikteve të vazhdueshme, deri të shtunën e javës së shkuar kur sipas policisë Bujari qëlloi tre herë me thikë nipin.

Policia thotë se i akuzuari kishte qëlluar me thikë tre herë nipin. Njëra prej plagëve ka rezultuar vdekjeprurëse pasi e ka prekur atë pranë zemrës.

Bujar Kuçi është mbrojtur në gjykatë duke thënë se kishte reaguar për vetëmbrojtje dhe se Mirsadi e kishte sulmuar i pari. Ndërkohë, policia zhvendosi familjen e tij për të shmangur përplasje të reja.

“Bujari ishte i rëndë, por ishin familje e qetë kjo që ka ndodhë është e tmerrshme,” shprehet një nga komshinjte e familjes Kuçi i cili kërkon të mos i përmendet emri dhe shton i përlotur se “ 33-vjeçari ka lënë dy fëmijë të mitur”.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *