Pesë persona akuzohen se morë pjesë në përplasjen me armë të enjten në mbrëmje në ish-bllok, gjatë të cilës mbeti i vrarë një 28-vjeçar. Ervis Martinaj dhe Eljon Hato u vunë në masë arresti ndërsa ndodhen të plagosur në spital, ndërsa policia shpalli në kërkim tre persona të tjerë.
Një 28-vjeçarë mbeti i vrarë dhe dy persona të tjerë u plagosën, gjatë një përplasje me armë mbrëmjen e të ejtes në një lokal në hyrje të ish-bllokut në Tiranë. Policia njoftoi se është vendosur masë arresti ndaj dy të plagosurve të cilët kanë marrë pjesë në përplasje, ndërsa janë shpallur në kërkim tre persona.
Sipas policisë Fabjol Gaxha, 28 vjeç mbeti i vrarë, ndërsa u plagosën Ervis Martinaj, 36 vjeç dhe Eljon Hato, 28 vjeç. Të dy të plagosurit të cilët ndodhen në spital nën kujdesin e mjekëve u arrestuan. Ndërkohë u shpallë në kërkim “E. M., 31 vjeç, banues në Tiranë: F. A., 42 vjeç, banues në Tiranë; M. B., 41 vjeç, banues në Tiranë”.
Nga personat e identifikuar si të përfshirë në përplasje Martinaj është me precedentë penalë. Ai u akuzua për një vrasje në vitin 2015, por u dënua për një akuzë të lehtë me vetëm 1 vit e katër muaj. Martinaj po ashtu u përmend edhe gjatë dëshmive në gjyqin ndaj Emiljano Shullazit, ndërsa rezulton se ka një dënim me tre muaj burg për “organizim lojrash të paligjshme të fatit”.
Policia tha se pas ngjarjes së djeshme ishin sekuestruar një armë zjarri pistoletë tip “Glock”, gëzhoja, 10 mijë euro, tre automjete e aparate celular.
Të arrestuarit dhe personat e shpallur në kërkim akuzohen për “Vrasje në rrethana të tjera cilësuese, kundër dy ose më shumë personave e kryer në bashkëpunim” dhe “Prodhim dhe mbajtja pa leje e armëve dhe e municionit luftarak”.