Lajm10 May 2021

Vritet 40-vjeçari në Vlorë, dyshohet përplasje grupesh rivale

Një 40 vjeçar i identifikuar nga policia si Bledar Birçaj është vrarë në një atentat në qytetin e Vlorës, tre javë pasi ishte kthyer nga Spanja.

Autor: Jerola Ziaj BIRN Vlorë
Printo

Shenjat e plumbave në makinën e viktimës. Foto:Jerola Ziaj

Bledar Birçaj është ekzekutuar me armë të hënën në zonën e njohur si “Bishti i Kalldrëmit” në qytetin e Vlorës. 40 vjeçari po udhëtonte me një makinë BMW dhe është qëlluar  me breshëri kallashnikovi nga një automjet tjetër që ka ardhur nga krahu i kundër në drejtim të tij.

Një person i dytë, që dyshohet se ka qenë në makinë me 40 vjeçarin që u ekzekutua, ia ka dalë t’u shpëtojë plumbave ndërsa është fshehur tek garazhi që ndodhej pranë vendngjarjes.

Bledar Birçaj, rezulton të jetë pronari i një bar-kafeje që ndodhet në zonën e “Lungomares” në Vlorë. Atentati dyshohet të jetë vijim i përplasjeve mes grupeve rivale jashtë vendit, kryesisht për konflikte të lindura në Spanjë e Belgjikë. Birçaj sipas policisë kishte vetëm tre javë që ishte kthyer nga Spanja.

Në një njoftim paraprak policia bëri me dije se viktima Bledar Birçaj, ishte akuzuar në vitin 2011 për vrasje e mbetur në tentativë, por ishte shpallur i pafajshëm nga gjykata. Birçaj kishte përfituar dhe dëmshpërblim për shkak të paraburgimit të padrejtë.

Ndërkohë ai ishte arrestuar edhe në vitin 2010 për rrahjen e një punonjësi të hipotekës së Vlorës, por për këtë ngjarje ai u ndoq në gjendje të lirë.