Një person i identifikuar nga policia si Tauland Gjikaj (Beqiraj) është vrarë në afërsi të Gjykatë së Apelit të Vlorës, ndërsa policia ka ndaluar një të dyshuar.
Një person u vra të mërkurën në Vlorë, pasi u qëlluar me armë zjarri, në lagjen “Bashkimi”, në afërsi të Gjykatës së Apelit. Policia njoftoi se ngjarja ndodhi rreth orës 14.20 dhe se viktima, i identifikuar si Tauland Gjikaj (Beqiraj), ishte shpallur i vdekur pas mbërritjes në spitalin e Vlorës.
Policia njoftoi po ashtu se kishte arrestuar një të dyshuar ndërsa ai përpiqej të largohej nga vendi i ngjarjes. Sipas policisë i dyshuari është Andi Jonuzaj.
Viktima është një person i njohur për policinë e Vlorës. Ai është arrestuar edhe dy herë më parë për akuzën e tentativës së vrasjes në vitin 2017 dhe për shkelje të vendimit të gjykatës me “arrest shtëpie” dhe armë mbajtje pa leje. Policia thotë se ai në vite ka përdorur disa identitete të ndryshme.
Në vitin 2018 caktimi ndaj tij i një mase sigurie “arrest shtëpie”, pasi më herët kishte thyer një masë të tillë dhe ishte gjetur nga policia i armatosur solli akuza nga Ministria e Drejtësisë dhe ajo e Brendshme ndaj gjyqtares Herila Çela.
Viktima ishte dënuar nga Gjykata e Apelit Vlorë me 3 vjet burg për armë mbajtje pa leje dhe largimi prej vendit ku ishte caktuar në masë sigurie. Por vendimi ka pezulluar dënimin.