Lajm28 Sep 2021

Vritet në detyrë oficeri i policisë së Lezhës, autori i dyshuar tenton vetëvrasjen

Përditësim/ I dyshuari se vrau punonjësin e policisë ndodhet në gjendje kritike pasi tentoi vetëvrasjen gjatë rrethimit nga policia.  Oficeri i antikrimit Saimir Hoxha u qëllua dhe vdiq ndërsa transportohej në spital pas një përplasje të një grupi të policisë me persona të dyshuar për kultivim të narkotikëve në hyrje të rezervatit të Kune Vain.

Autor: Elvis Hila BIRN Lezhë
Printo

Një makinë policie në vendin ku u vra oficeri Saimir Hoxha. Foto:Elvis Hila.

Përditësim/ Aldi Rama, i dyshuar se vrau një oficer policie në Lezhë, ndodhet në gjendje të rëndë në spital, pasi sipas policisë qëlloi vetën pas rrethimit.  Policia e Lezhës njoftoi se fillimisht kishte zbuluar vendndodhjen e të dyshuarit dhe e kishte rrethuar atë.

21-vjeçarit sipas policisë iu bë thirrje për t’u dorëzuar, por ai fillimisht qëlloi me armë ndaj një helikopteri dhe më pas ka qëlluar veten. Policia thotë se ai ka plagë në kokë dhe ndodhet në gjendje kritike për jetën.

Oficeri i Krimeve në Komisariatin e Policisë Lezhë Saimir Hoxha, 44 vjeç u vra të martën pas një përplasje me armë në hyrje të rezervatit Kune Vain në Lezhë. Policia bëri me dije se Hoxha dhe kolegë të tij pjesë e një grupi kontrolli kundër kultivimit të Kanabisit u qëlluan rreth orës 10.30.

Sipas njoftimit zyrtarë Hoxha mbeti i plagosur rëndë dhe humbi jetën rrugës për në spital.

Një 21-vjeçar i identifikuar nga policia si A. Rama u shpall në kërkim rreth një orë më vonë dhe policia tha se ai ishte autori i dyshuar i vrasjes.

Policia tha se Rama ishte dënuar më parë për prodhim dhe shitje të narkotikëve dhe mbajtje pa leje të armëve të ftohta.

Për ndalimin e tij pas ngjarjes në ndihmë të policisë lokale në Vain u dërguan forcat speciale RENEA, grupe të FNSH-së dhe një grup i posaçëm hetimor nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit.

Vrasja e Hoxhës u bë menjëherë pjesë e diskutimeve në Komisionin e Sigurisë Kombëtare në Parlament. Deputetë të opozitës e quajtën atë “Dëshmorë i Kombit”, ndërsa kërkuan mbajtjen e një minute heshtje.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *