Lajm4 Apr 2021

Vritet në gurore 45-vjeçari, policia procedon drejtuesin teknik të kompanisë

Një punëtor u vra gjatë punës në një gurore në zonën Devrisë në Çorovodë, ndërsa policia njoftoi se kishte nisur procedim penal ndaj drejtuesit teknik të kompanisë emrin e të cilës nuk e bëri publik.

Autor: Erjola Azizolli BIRN Berat
Printo

Zonë e nxjerrjes së gurit në Malin Tomorr. Foto: Erjola Azizolli.

Policia e Beratit njoftoi se kishte filluar procedimin penal ndaj drejtuesit teknik të një kompanie të nxjerrjes së gurëve dekorativë në Devri të Çorovodës, pasi një punëtorë i gurores humbi jetën të premten i zënë poshtë një masivi gurësh.

Policia njoftoi se kishte nisur “procedim penal për shtetasin J.K, 59 vjeç, banues në Tiranë, (inxhinier minierash), për veprën penale “Shkelje e rregullave të mbrojtjes në punë”. 59 vjeçari akuzohet në lidhje me një aksident në punë në të cilin një 45 vjeçar nga Çorovoda humbi jetën.

Ky nuk është rasti i parë i aksidenteve në këtë sektor. Minierat dhe karrierat, në të cilat përfshihet edhe sektori i nxjerrjes së gruëve,  janë ndër sektorët me më shumë aksidente në punë. Në dy vitet e fundit 2019-2020, në miniera dhe karriera u shënuan 54 aksidente me 11 viktima.

Aksidenti i fundit ndodhi në një subjet që nxjerr mermer në zonën e Dëvrisë, në Bashkinë e Skraparit. Policia e Beratit, në vijim të një politike të ngjashme edhe në zona të tjera të vendit, nuk e bëri publik emrin e kompanisë ku humbi jetën 45 vjeçari.

Punëtori po ashtu u identifikua nga policia me inicialet S.P. BIRN mësoi se ai punonte prej vitesh në subjektin ku ndodhi aksidenti.