Një i ri u gjet i vrarë në makinën e tij në anë të rrugës që lidh Vlorën me Dukatin, ndërsa policia dyshon se atij i është bërë pritë nga persona ende të panjohur.
Një 27-vjeçar u gjet i vrarë rreth orës 21 të mbrëmjes së të martës në Fushë- Dukat të Vlorës. Policia njoftoi se viktima quhet Beniamin Bezhani, dhe se ai ishte gjetur i vrarë nga një qytetar në rrugë. Dëshmitari ka telefonuar policinë dhe ka njoftuar se një trup i pajetë ndodhej brenda një automjeti të ndaluar buzë rrugës.
Sipas Policisë 27-vjeçari është vrarë me armë zjarri. Policia njoftoi se ka ngritur disa pika kontrolli në zonë në kërkim të autorëve të mundshëm. “Shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë dhe të Stacionit të Policisë Orikum kanë ngritur pika kontrolli dhe po kontrollojnë zonën për shoqërimin e personave të dyshuar si autorë të ngjarjes apo që mund të kenë dijeni për ngjarjen”, thuhet në njoftimin e policisë.
Persona në dijeni të rrethanave thanë se 27-vjeçari ishte duke u kthyer nga shtëpia e të fejuarës. Atij i është bërë pritë në rrugë.