Një 32 vjeçar humbi jetën në Durrës, pasi u qëllua me armë zjarri në lagjen numër 16 të qytetit, pas një përplasje të çastit.
Një 32 vjeçar humbi jetën pasditen e së dielës në Durrës, pasi u qëllua me armë zjarri në lagjen numër 16 të qytetit.
Policia njoftoi fillimisht se i riu me iniciale J.B. u plagos në këmbë pas një konflikti të çastit dhe më pas ishte dërguar në spital, ku sipas policisë ndërroi jetë.
“Ju njoftoj se shtetasi i plagosur J. B., ndërroi jetë në Urgjencën e Spitalit Rajonal Durrës”, njoftoi Policia e Durrësit mediat pak minuta pas njoftimit për ngjarjen.
Megjithëse plagosja u shënua në orën 17:20 nën reshjet e shiut, ka pasur disa dëshmitar që panë ngjarjen.
“Në ambientet e Policisë janë shoqëruar disa shtetas të cilët ndodheshin në vendin e ngjarjes”, shpjegoi policia në njoftimin për mediat.
Sipas saj janë ngritur disa pika kontrolli dhe po bëhet krehja e zonës, teksa grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për identifikimin dhe kapjen e autorit.