Reportazh9 Feb 2018

Vullnetaret e çojnë përpara kauzën e grave dhe komunitetit LGBT në internet (Video)

Një grup vullnetarësh shqiptarë kanë vendosur ta kalojnë në internet përpjekjen e tyre për barazi dhe mosdiskriminim, duke zgjedhur krijimin e informacionit për gratë dhe komunitetin LGBT në enciklopedinë e hapur, Wikipedia.

Autor: Ivana Dervishi BIRN Tiranë
Printo


Kristina Millona dhe Greta Doçi janë dy të reja në Tiranë, të cilave u pëlqen që kafenë pas pune ta shoqërojnë me vullnetarizëm.

Të shqetësuara nga mungesa e materialeve shqip në internet për vajzat dhe gratë, si dhe për grupet e diversitetit në Shqipëri, ato kontribuojnë prej disa vitesh në shtimin e informacionit në enciklopedinë online Wikipedia.

Për Gretën, një vullnetarizëm i tillë ishte kombinimi perfekt i profesionit të saj në teknologjinë e informacionit dhe kauzës feministe të cilës ajo i qëndron.

“Duke parë mungesën e theksuar të biografive të vajzave dhe grave që kanë një eksperiencë shumë të mirë për të pasur një artikull enciklopedik, u nis dhe projekti rreth vajzave dhe grave, i fokusuar kryesisht te ato shqiptare,” tha Greta për BIRN.

“Sa më shumë lexoja për këtë gjë, aq më shumë kuptoja për kulturën tonë dhe se sa vajza dhe gra të arrira të asaj kohe kemi pasur, po që nuk i njeh askush, sepse askush nuk shkruan për to,” shtoi ajo.

Vullnetarja tregon se kënaqësinë më të madhe nga kontributet e saj në artikujt në Wikipedia e merr përmes informacionit që mëson dhe vetë, ndërkohë që thekson se kjo eksperiencë i ka mprehur aftësitë hulumtuese.

“Pas dhjetë artikujve të parë, bëhet si instiktive dhe gjithmonë gjatë ditëve i rezervon kohë përmirësimit të artikujve ose shkrimit të tyre për gratë në Wikipedia,” përfundoi Greta.

Ndonëse Wikipedia në gjuhën shqipe përmban rreth 72 mijë artikuj, vullnetaret shpjegojnë se ky numër mund të rritet falë kontributit individual të kujtdo përmes përkthimit të artikujve të rinj ose redaktimit të atyre ekzistues.

“Është një dije shumë e vogël që ta mundëson këtë përditësim të informacionit, mjafton vullneti dhe dëshira për ta zgjeruar atë,” sqaruan ato.

Misionin e grupit të përdoruesve shqiptarë në enciklopedinë online e ka njohur dhe Fondacioni Wikipedia, përmes fushatave të redaktimit të artikujve që ata organizojnë.

Kristina, thotë megjithatë se nuk janë të pakta rastet e vandalizimit dhe se përditësimi duhet të jetë i vazhdueshëm që në internet të ekzistojnë artikuj të rëndësishëm për personalitetet dhe çështjet LGBT në shqip.

“Pikë së pari ka një mungesë të theksuar… kur kemi filluar editimin nuk ka pasur asnjë artikull ekzistent rreth çështjeve [LGBT],” tha Kristina për BIRN.

“Edhe kur bëhet një artikull, ai shpesh herë bie pre e përdoruesve të tjerë të cilët fillojnë dhe eliminojnë kontentin në artikuj,” shtoi ajo.

“Një komunitet që mbase në realitet është i diskriminuar dhe mbetet i padukshëm… nuk ka pse të jetë e njëjta situatë edhe në Wikipedia,” përfundoi Kristina.

Vullnetarët shqiptarë të enciklopedisë, synojnë t’i çojnë përpara kauzat e tyre edhe me aktivitete të tjera gjatë këtij viti.