Lajm13 May 2019

Xhama të thyer dhe fishekzjarre të zhurmshme në protestën e opozitës

Mijëra protestues të opozitës sfiduan shiun në një marshim protestë që zgjati për disa orë dhe u shoqërua me fishekzjarre të zhurmshme dhe xhama të thyer por pa incidente të rënda ndërsa opozita u kritikua ashpër nga disa ambasada njëherësh.

Autor: Gjergj Erebara BIRN Tiranë
Printo

Një protestues para forcave policore të pozicionuara para ndërtesës së seancave plenare të Kuvendit të Shqipërisë në Rrugën George Bush në Tiranë më 13 maj 2019. Foto: Gjergj Erebara/BIRN

Opozita shqiptare marshoi për rreth 5 kilometra në qendër të Tiranës ndërsa mbështetësit e saj përdorën fishekzjarre më të zhurmshme se sa zakonisht si dhe thyen disa xhama në ndërtesën e Drejtorisë së Policisë së Tiranës, por në përgjithësi nuk pati incidente të mëdha. Policia njoftoi për një efektiv të lënduar.

Protesta e së Hënës u zhvillua nën shi të dendur ndërkohë që opozita u përball me kritika të forta nga partnerët ndërkombëtar të vendit. Disa ambasada dhe organizata ndërqeveritare lëshuan deklarata kundër dhunës ndërsa ambasada e SHBA në Tiranë i bëri thirrje drejtpërsëdrejti krerëve të opozitës Lulzim Basha dhe Monika Kryemadhi të flisnin kundër dhunës.

Protesta nisi në bulevardin Dëshmorët e Kombit para selisë së kryeministrit ndërsa Basha udhëhoqi mbështetësit e tij në një marshim, fillimisht drejt zyrave qendrore të Policisë së Shtetit në Bulevardin Bajram Curri dhe më pas në ndërtesën e Seancave Plenare të Kuvendit të Shqipërisë. Para parlamentit pati momente tensioni pasi një pjesë e protestuesve përdorën kangjellat e policisë për të krijuar një barrikadë të improvizuar para derës së oborrit të kuvendit ndërkohë që forcat speciale në policisë qëndruan në pritje për përballje bashkë me një autobot uji me presion.

Protestuesit vijuan më tutje marshimin drejt Drejtorisë së Policisë së Tiranës në Rrugën Sami Frashëri ku gjenden edhe qeli paraburgimi ku qëndrojnë një pjesë e rreth 50 personave të arrestuar pas protestës së të shtunës, kur protestuesit përdorën bomba molotov kundër policisë.

Protesta e të shtunës ishte edhe tema e një numri të pazakontë deklaratash kritike nga ana e ambasadave të shteteve aleate. Ambasada Amerikane, ajo e Italisë, e Britanisë së Madhe dhe e Holandës kritikuan opozitën për dhunën bashkë me Delegacionin Europian në Tiranë dhe drejtuesit e Organizatës për Bashkëpunim dhe Siguri në Europë, OSBE.

Në veçanti, ambasada e SHBA i bëri thirrje drejtpërsëdrejti Bashës dhe Kryemadhit të dënojnë dhunën si dhe të bashkëpunojnë me autoritetet për identifikimin e përsonave përgjegjës për dhunë.

“Ne iu bëjmë thirrje udhëheqësve të opozitës, veçanërisht Kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha dhe Kryetares së Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi, që të dënojnë publikisht veprimet e dhunshme të mbështetësve të tyre,” thuhet në deklaratë.

Ambasada Britanike dënoi gjithashtu dhunën duke i bërë thirrje udhëheqësve të opozitës “të sigurohen që protestat e tyre të jenë paqësore dhe në respekt të ligjit”.

Forca policore pranë Ministrisë së Brendshme në Tiranë gjatë marshimit të protestuesve të opozitës më 13 maj 2019. Foto: Gjergj Erebara/BIRN

Forcat policore para ndërtesës së Kuvendit të Shqipërisë ulin mburojat ndërsa protestuesit largohen për të vijuar marshimin e protestës më tutje. Tiranë më 13 maj 2019. Foto: Gjergj Erebara

Forca policore në gadishmëri para Kuvendit në Tiranë më 13 maj 2019. Foto: Gjergj Erebara/BIRN

Një mbështetës i opozitës mban një pankartë “Ik” gjatë një proteste në Tiranë më 13 maj 2019. Foto: Gjergj Erebara/BIRN

Një mbështetëse e opozitës mban një pankartë “Ik” gjatë një proteste në Tiranë më 13 maj 2019. Foto: Gjergj Erebara/BIRN

Një mbështetës i opozitës mban një pankartë “Ik” gjatë një proteste në Tiranë më 13 maj 2019. Foto: Gjergj Erebara/BIRN