Lideri i Social Demokratëve, Zoran Zaev po peshon emrat e mirënjohur të partisë së tij për të përcaktuar ministrat e rinj, megjithëse ai mund të përfshijë edhe shumë aktivistë të shoqërisë civile në kabinetin e tij, i thanë BIRN burime të brendshme.
Zv. Kryetarja e Partisë Social Demokratike të Maqedonisë, Radmila Shekerinska dhe sekretari i përgjithshëm i partisë Oliver Spasovski, pothuajse janë kandidatë të sigurt për postet kryesore të ministrive në qeverinë e re të kryesuar nga socialdemokrati Zoran Zaev, zbuloi BIRN.
Shekerinska, e cila qe Zv. Ministre për Çështjet Europiane në vitin 2005 kur Maqedonia fitoi statusin e kandidatit në BE, është një kandidate serioze për të mbajtur të njëjtin pozicion ose për të drejtuar Ministrinë e Jashtme, tha për BIRN një burim anonim pranë lidershipit të partisë.
Spasovski, nga ana tjetër, “është një kandidat serioz si ministër i brendshëm, nëse kjo ministri i përket LDSM “, tha burimi duke shtuar se kjo do të vendoset pas bisedimeve ndërpartiake për qeverinë.
Spasovski udhëhoqi Ministrinë e Brendshme gjatë dy viteve të fundit, por si një ministër i përkohshëm në qeverinë teknike para zgjedhjeve të përgjithshme të 11 dhjetorit. Si i tillë, ai kishte vetëm autoritet të kufizuar në ministri, që e ndante me anëtarët e ish-partisë qeverisëse VMRO DPMNE.
Një tjetër pjesëmarrës në qeverinë e përkohshme, Kire Naumov, përmendet si kandidat për ministër të ri të financave.
Profesoresha e njohur e drejtësisë Renata Deskoska, përmendet si një zgjedhje e mundshme për postin e ministrit të drejtësisë.
Sipas burimit të BIRN, “asgjë nuk është përcaktuar akoma, pasi duhet të flasim me partnerët tanë [tre partitë etnike shqiptare që janë pjesë e shumicës së re] dhe ndajnë pozitat ministrore”.
Megjithatë i njëjti burim tha se LSDM do të përpiqet të mos rekrutojë shumë ministra të rinj nga radhët e deputetëve aktualë, “pasi do të donim të kishim një grup të fortë parlamentar gjithashtu”.
Në këtë drejtim, disa poste ministrore po mendohet t’i jepen ekspertë dhe aktivistëve të njohur të shoqërisë civile, të cilët kanë qenë kritikë ndaj ish-qeverisë së VMRO DPMNE.
Megjithatë, emrat nuk janë bërë publikë ende.
Të premten, Zaev planifikon të takohet me liderin e BDI, Ali Ahmeti për të diskutuar për qeverinë e re, takim pas të cilit do të dalin në pah më shumë detaje.