Lajm15 May 2018

Zaevi i Maqedonisë riorganizohet për të forcuar shumicën

Dy parti të vogla etnike shqiptare do t’i bashkohen koalicionit qeverisës të Maqedonisë, si pjesë e një riorganizimi të parë nga kryeministri Zoran Zaev, që synon rritjen e shumicës së tij të pakët në parlament.

Autor: Sinisa Jakov Marusic BIRN Shkup
Printo

Qeveria maqedonase gjatë një seance. Foto: Qeveria maqedonase.

Koalicionit do t’i bashkohen dy deputetë të Partisë Demokratike të Shqiptarëve, PDSH, dhe tre deputetë të një fraksioni të partisë BESA të udhëhequr nga Afrim Gashi, njoftoi BIRN.

Bashkimi Demokratik për Integrimin, BDI, tashmë është në qeveri.

Ky veprim do të lehtësojë presionin mbi shumicën e brishtë të Zaevit në parlament, ku që nga zgjedhja e tij në prill 2017 ai është mbështetur vetëm tek 61 nga 120 deputetët që janë në total.

Burimet nga shumica qeverisëse thanë për BIRN-it se riorganizimi i ardhshëm do të përfshijë një total prej nëntë postesh ministrore, shumica prej të cilëve zëvendësministra.

Secila palë do të marrë një post ministror në kabinetin e Zaevit, thanë ata për BIRN.

Ato burime dhe burime brenda partive etnike shqiptare thonë se PDSH ka më shumë gjasa të marrë përgjegjësinë për investimet e huaja, me ish-deputetin e PDSH Bardhyl Dauti si kandidatin më të fortë për të zëvendësuar Ramiz Merkon e BDI-së pasi ai u zgjodh kryetar i komunës së Strugës.

Burime të qeverisë thonë se BESA ka shumë gjasa të marrë përsipër Ministrin e Kulturës nga Social Demokratët e Zaevit.

Të dy partitë që po i bashkohen qeverisë pritet të diskutojnë dhe të lajmërojnë zyrtarisht lëvizjen e tyre në ditët e ardhshme.

Pas riorganizimit të qeverisë, burimet e BIRN-it pohojnë se qeveria po planifikon gjithashtu ndryshime në rreth 30 për qind të posteve drejtuese në institucionet dhe kompanitë publike.

Burimet brenda Social Demokratëve të Zaevit theksojnë se emërimet e reja të planifikuara do të bëhen në javët e ardhshme në koordinim me të gjithë partnerët qeveritarë dhe do të marrin parasysh kritikat publike për mangësitë aktuale të qeverisë dhe dështimin e saj për të luftuar me më shumë energji korrupsionin dhe krimin.

Riorganizimi vjen pasi Zaev përgatitet për një reagim nga kundërshtarët ndaj një marrëveshjeje të mundshme me Greqinë në lidhje me emrin e Maqedonisë, të cilin Athina dëshiron të ndryshojë para se të heqë kundërshtimin e saj ndaj anëtarësimit të Shkupit në NATO dhe në Bashkimin Europian.