Investigim13 Apr 2013

Zbulohet kompania e fshehtë e Andis Harasanit

Ish-deputeti i PS dhe ish-drejtori i Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare krijoi një kompani të fshehtë dhe nuk e deklaroi atë siç e kërkon ligji për deklarimin e pasurisë

Autor: Altin Raxhimi, Besar Likmeta BIRN Tiranë
Printo

Presidenti Bujar Nishani, kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi dhe ish deputeti i PS Andis Harasani, gjatë një takimi në New York, të organizuar nga Këshilli Kombëtar Shqiptaro-Amerikan.  (Foto/Dritan HAXHIA/LSA) E Shtunë, 28 Shtator 2013

Presidenti Bujar Nishani, kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi dhe ish deputeti i PS Andis Harasani, gjatë një takimi në New York, të organizuar nga Këshilli Kombëtar Shqiptaro-Amerikan. (Foto/Dritan HAXHIA/LSA)
E Shtunë, 28 Shtator 2013

Një lagje e shtresës së mesme në ish-kryeqytetin e Gjermanisë Bon, nuk është një vend që duket sikur ka lidhje me Andis Harasanin në vitin 2007 dhe i tillë është edhe shteti i Singaporit, 10 mijë kilometra më në lindje. Për publikun, ai qe deputet i ri i Partisë Socialiste, fitues në zgjedhje të ashpra në një pjesë të varfër dhe të pisët në veri të Tiranës, deri në atë kohë, bazë e Partisë Demokratike. Por të dhënat e nxjerra nga një mal me dokumente që ranë në dorë të një grupi gazetarësh investigativë, tregojnë se 41 vjeçari Harasani, i cili u largua nga parlamenti një vit para përfundimit të mandatit shtatorin e kaluar, përdori adresë në Bon për të regjistruar një kompani 8 mijë kilometra në më perëndim në parajsën fiskale të Ishujve Virxhin të Britanisë.

Sipas dokumenteve që zbuloi Balkan Insight, në nëntor 2007, Harasani e regjistroi kompaninë në Ishujt Virxhin të Britanisë me emrin White Ebony Holdings Ltd, ku ai rezulton drejtor dhe aksioner. Të dhënat identifikojnë Singaporin, një parajsë tjetër fiskale, si vendi ku kompania u regjistrua fillimisht dhe përmend si adresë biznesi një apartament në Franzstrasse në Bonn. Motra e Harasanit është një gazetare për Radio Deutsche Welle në Bon dhe ajo banon në këtë adresë.

I zgjedhur dy herë në parlament më 2005 dhe 2009, nga shtatori 2002 deri në korrik 2005 Harasani qe drejtor i KESH, kompanisë më të madhe në Shqipëri me shitje prej afro gjysmë miliardi euro.Në shtator 2012, ai dha dorëheqjen si deputet dhe shkoi në Nju Jork për të drejtuar një kompani të quajtur Phoenix Network LLC, ku është ortak dhe drejtor i operacioneve. Në një intervistë për gazetën Java në nëntor, Harasani deklaroi se ai po punonte për të krijuar një kompani ndërtimi në Nju Jork, me veprimtari në zonën e Manhatanit.

Ligji shqiptar detyron zyrtarët publikë në Shqipëri të deklarojnë të gjitha bizneset dhe burimet e të ardhurave si pasojë e përpjekjeve për të ndërtuar transparencë në politikë, të reduktojë korrupsionin dhe të shmangë konfliktin e interesit. Por të dhënat nga Inspektoriati i Lartë i Deklarimit të Pasurive tregojnë se Harasani nuk e deklaroi kompaninë e tij të fshehtë, White Ebony Holdings, të cilën e pati regjistruar gjashtë vjet më parë. I kontaktuar nga Balkan Insight për të dhënë përgjigje mbi këtë fakt, ai refuzoi të flasë.

Databaza që lidh Harasanin me kompaninë White Ebony Holdings dhe e identifikon atë si aksioner të kompanisë është pjesë e më shumë se 2 milionë emaileve dhe dokumenteve për përdorim të brendshëm që i përkasin përgjithësisht parajsës fiskale të Ishujve Virxhin të Britanisë. Këto dokumente ranë në dorë të Konsorciumit Ndërkombëtar të Gazetarisë Investigative, ICIJ. Investigimi ka nxjerrë në pah mijëra pronarë të fshehtë kompanish nëpër botë. ICIJ pritet të publikojë pronësinë e kompanive së shpejti, por për shkak të problemeve teknike, ligjore dhe etike, nuk do ta publikojë setin e të dhënave në tërësi, të paktën tani për tani.

Përveç Harasanit, dokumentet përmbajnë të dhëna për një kompani të quajtur Floryien Shipping and Trading Corp, nën pronësinë e Gazmir Tahirit, drejtor në Administratën Detare Shqiptare. Në një intervistë telefonike nga zyra e tij në Portin e Durrësit, Tahiri tha se e ka mbyllur Floryien gjashtë vjet më parë. “Unë kam jetuar dhe punuar në Turqi për 16 vjet dhe kur u zhvendosa sërish në Shqipëri, e mbylla kompaninë,” tha ai.

Tahiri shpjegoi se e kishte krijuar kompaninë në parajsë fiskale përmes një firme ligjore në Turqi. Të dhënat tregojnë se ai pagoi tarifa mirëmbajtjeje deri më 2009, para se të punësohej si kreu i Administratës Detare.

Me perceptimin për korrupsion nga më të lartët në Europë sipas Transparency International, aludimet për pastrim parash dhe kompani nëpër parajsa fiskale janë të shpeshta në Shqipëri.

Deputeti socialist Tauland Balla në vitin 2011 akuzoi Ministrin e Teknologjisë Genc Pollo se ka marrë një ryshfet prej 1.2 milionë eurosh nga një kompani interneti në Qipro. Pollo i mohoi akuzat dhe e paditi Ballën për shpifje në gjykatë. Rreth një vit më vonë, Pollo e tërhoqi padinë, e cila në atë kohë qe në proces në Gjykatën e Tiranës. Grupi me bazë në Uashington Global Financial Integrity, deklaroi dhjetorin e kaluar se më shumë se 1.3 miliardë dollarë janë nxjerrë nga Shqipëria në drejtim të parajsave fiskale mes viteve 2005 dhe 2010.

Shkrimtari dhe komentatori politik Fatos Lubonja, i cili kaloi 17 vite në burgjet kampe pune të regjimit komunist, tha se nuk kishte shpresa se zbulimi i fundit do të sjellë më shumë transparencë. “Skandalet nuk ngrenë pluhur këtu. Vendi nuk ka gazetari investigative dhe nuk ka as drejtësi të pavarur,” tha ai. “Shoqëria është e vetëdijshme dhe pjesëmarrëse në një sistem të korruptuar në të njëjtën mënyrë siç qe e vetëdijshme dhe pjesëmarrëse në diktaturën Staliniste.”