Lajm14 Sep 2021

“Zemra më rreh për Ballkanin,” thotë kancelarja në ikje Angela Merkel

Kancelarja e Gjermanisë Angela Merkel kreu vizitën e saj të fundit në Ballkan duke theksuar se “Procesi i Berlinit” nuk e zëvendëson integrimin në BE dhe “nuk ka dështuar”. Rama nga ana e tij e konsideroi nismën gjermane të vitit 2015 “një kapërcim shekujsh” me telashe.

Autor: Gjergj Erebara BIRN Tiranë
Printo

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama dhe kancelarja e Gjermanisë Angela Merkel në Tiranë më 14 shtator 2021. Foto: LSA

Kancelarja e Gjermanisë Angela Merkel kreu vizitën e saj të lamtumirës si kancelarë në rajonin e Ballkanit ku theksoi se rruga e rajonit për në BE është e gjatë por se BE-ja ka interes të madh gjeostrategjik për anëtarësimin e këtyre vendeve.

Merkel, e cila ka qenë kancelare që nga viti 2005 dhe që në vitin 2015 inicioi një platformë politike të quajtur “Procesi i Berlinit” pasi Bashkimi Evropian vendosi të ngrijë zgjerimin “së paku për pesë vjet”, theksoi në Tiranë se ky proces nuk ishte një dështim dhe se ai gjithsesi nuk synonte të zëvendësonte procesin e integrimit në BE. Nga ana tjetër, kryeministri Edi Rama e shpalli procesin e integrimit një sukses të jashtëzakonshëm, një kapërcim dekadash dhe shekujsh ndasish.

“Unë nuk e konsideroj si të tillë, [dështim], në fakt nuk mund të themi se është mbaruar ndërtimi i autostradave të synuara, por janë procese të iniciuara,” deklaroi Merkel, duke iu përgjigjur pyetjes së një gazetareje. “Ndoshta BE nuk është aq e shpejtë sa duhej, por shumëçka është në rrugën e duhur,” shtoi ajo ndërsa përmendi si arritje faktin që kryeministri shqiptar dhe presidenti serb tashmë takohen shpesh ndërkohë që marrëdhëniet mes dy vendeve ishin të paralizuara që nga viti 1947 deri më 2017.

Rama u shpreh edhe më optimist se sa Merkel sa i përket rezultatit të Procesit të Berlinit.

“Në rajonin e Ballkanit Angela Merkel ka vendosur një gur kilometrik në histori. Jemi duke kapërcyer dhjetëra dhe qindra vite histori,” deklaroi Rama, i cili ia hodhi fajin për mungesën e progresit në integrimin Evropian problemeve politike të brendshme të vendeve të ndryshme anëtare.

Merkel përshëndeti procesin e dialogut të njohur si “Ballkani i Hapur” si diçka e mirë, një proces ku merr pjesë Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Serbia dhe që është bojkotuar nga Kosova e Mali i Zi.

Merkel ishte në Beograd ku deklaroi se rruga e integrimit Evropian është e gjatë, ndërsa në Tiranë u takua me udhëheqësit e tjerë të Ballkanit, kryeqytetet e të cilave nuk i vizitoi për mungesë kohe.

Merkel theksoi në Beograd se integrimi i rajonit është “interes gjeostrategjik absolut” ndërsa u lavdërua nga presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiç si “udhëheqësja e vërtetë e Evropës”.

Merkel tha në Tiranë se kishte diskutuar me palën shqiptare çështje të bashkëpunimit ekonomik, përfshirë të ashtuquajturën “Autostradë të Paqes” si dhe paralajmëroi se vendet e Ballkanit pasi të integrohen në Evropë, do të përballen me objektivat evropiane të luftës kundër ndryshimeve klimaterike.

Autostrada e Paqes është një projekt infrastrukturor që synon të lidhë autostradat ekzistuese në Shqipëri, Kosovë dhe Serbi, me synimin e lidhjes së Beogradit me portin e Durrësit në Shqipëri përmes Kosovës. Seksioni i parë brenda Serbisë është financiar ndërsa segmentet e tjera janë ende në fazë fillestare.

“Ne kemi rënë dakord që sa më shumë të bashkëpunohet në rajon aq më mirë,” deklaroi Merkel. “Zemra ime rreh për këtë rajon edhe pse nuk do të jem më në këtë detyrë,” shtoi aji.