Lajm5 Nov 2021

Zgjatja e mandatit të vetingut shkon në “Venecia”

Këshilli Legjislativ i Kuvendit vendosi në mungesë të anëtarëve të opozitës që t’i drejtohet Komisionit të Venecias për opinion në lidhje me zgjatjen e afatit kushtetues të organeve të vetingut për gjyqtarët dhe prokurorët.

Autor: Blerina Gjoka BIRN Tiranë
Printo

Deputetja Klotilda Bushka në mbledhjen e Këshillit Legjislativ të premten më 5 nëntor. Foto: LSA

Anëtarët socialistë në Këshillin Legjislativ të Kuvendit vendosën të premten që t’i drejtohen Komisionit të Venecias për amendamentet e tyre për ndryshimin e Kushtetutës me qëllim zgjatjen e mandatit të institucioneve të vetingut deri në fund të vitit 2024.

Demokratët munguan në mbledhjen e së premtes, ndërsa socialistët votuan në favor të propozimit të deputetes Klotilda Bushka që për këtë çështje të kërkohej opinioni i Komisionit të Venecias.

Në votim abstenoi deputeti Fatmir Xhafaj –i cili drejtoi komisionin e Posaçëm për reformën në drejtësi.

Xhafaj tha se i qëndronte deklaratave të bëra në mbledhjen e kaluar dhe e cilësoi të panevojshëm mendimin e “Venecias”.

Xhafaj përsëriti kërkesën e tij për kolegët që diskutimet për zgjatjen e afateve të mos trajtoheshin si teknike, por të shërbenin për një analizë të procesit të vetingut.

“Vijoj t’i përkas bindjes se i gjithë ky proces që kemi ndërtuar përmes këtij kalendari intensiv duhet të na çojë në një analizë të plotë shteruese të procesit të vettingut në këta 5 vjet, si domosdoshmëri nga njëra anë për të argumentuar drejtësinë e procesit në tërësi dhe nismës për zgjatjen e afatit në veçanti,” tha ai.

Xhafaj parashtroi një dyzinë me pyetje për ekspertët e thirrur nga këshilli për këtë çështje; pedagogen Aurela Anastasi, Erind Përmeti dhe ish-deputetja e LSI-së, Silva Caka.

Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla që drejton këtë mbledhje deklaroi se SHBA e BE do asistojnë procesin nëpërmjet ekspertëve të tyre.

Nga ana e saj, opozita nuk ka shprehur një qëndrim të qartë për këto ndryshime kushtetuese të cilat kërkojnë dhe votën e saj për miratim. Përfaqësuesit e PD-së e kushtëzuan pjesëmarrjen e tyre me kërkesën me futjen në të njëjtin kalendar të nismës së tyre kushtetuese që parashikon vetingun e politikanëve –kërkesë e cila u refuzua nga socialistët.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *