Reportazh25 Jul 2021

Zgjatja e orarit të muzikës rikthen jetën e natës në Shëngjin

Lehtësimi i masave kundër COVID-19 i ka dhënë frymëmarrje sektorit të turizimit në bregdetin e Adriatikut.

Autor: Elvis Hila BIRN Tiranë
Printo

Pushues duke u argëtuar me muzike live në Shëngjin | Foto : Elvis Hila

Enver Parllaku me origjinë nga Kukësi ka ardhur nga Amerika për të kaluar pushimet verore në Shëngjin. Sëbashku me familjen prej ditësh është akomoduar në një nga hotelet e zonës turistike në të cilin çdo mbrëmje luhet muzike live.

“Na merr shumë madhi për Shqipërinë dhe ka 10 ditë që kam ardhur këtu në Shëngjin për pushime,” tha Parllaku, i cili theksoi se po ja kalojmë shumë mirë.

“Shëngjini është zhvilluar shumë dhe po na pelqen gjithçka, duke nisur nga uji, rëra e gjithçka tjetër,” shtoi ai.

Parllaku thotë se është i apasionuar pas muzikes popullore shqiptare dhe zgjatjen e orarit të muzikës deri në orën 23:00 e ka pritur mjaft mirë.

“Këtu në Shëngjin luhet muzikë popullore të cilën unë e preferoj shumë,” tha ai, ndërsa theksoi se ditët e para të pushimeve muzika mbyllej në oren 22:00 dhe ‘s’po ja dëgjonin aspak lezetin.”

“Ne kemi ardhur këtu për pushime dhe mendoj se muzika është jetë që të qetëson shpirtin,” shtoi ai.

Pas protestave të pronarëve të biznesve përgjatë të gjithë vijës bregdetare – nga Vlora në Shëngjin, me datë 19 korrik Komiteti Teknik i Ekspertëve zgjati orarin gjatë të cilit lejohet muzika në biznese, e cila shkakton grumbullime të mëdha njerëzish gjatë sezonit turistik.

Infrasktuktura, pastërtia dhe bukuria e plazheve e kanë kthyer Shëngjinin në një nga destinacionet turistike më të pëlqyera nga vendas e të huaj, e këtë e dëshmon numri i pushuesve i cili gjatë viteve të fundit ka ardhur gjithnjë në rritje.

Shëngjini ka hyrë në pikun e sezonit turistik dhe zona turistike është pushtuar nga pushues vendas e të huaj, ndërsa zgjatja e orarit të muzikës ka rikthyer jetën e natës.

Pas përëndimit të diellit shëtitorja e plazhit është e tejmbushur e më pas pushuesit iu bashkohen mbrëmjeve muzikore në lokalet e zonës. Muzika popullore shqiptare është ajo më e preferuara e që po tërheq në maksimum vemendjen e pushuesve.

Azem Baliaj nga Kosova po i kalon për herë të parë këtë vit pushimet verore në Shëngjin.

“Këtu qenka një vend i mrekullueshëm dhe po e kalojmë shumë mirë,” tha ai, ndërsa shtoi se me zgjatjen e orarit të muzikes është rikthyer dhe jeta e natës.

Baliaj tha se gjatë orëve të mbrëmjes po argëtohen pa masë dhe po e kalojnë shumë mirë, pasi i pëlqen muzika dhe kënga popullore.

“Mendoj se ishte shumë e domosdoshme zgjatja e orarit të muzikës sepse ne kemi ardhur këtu për pushime dhe normalisht që duam dhe të argëtohemi gjatë natës,” tha Baliaj.

“Shëngjini është një vend i mrekulluëshem që ti ofron të gjitha, duke nisur nga plazhi e deri tek argëtimi në mbrëmje,” përfundoi ai.

Ndërsa një tjetër pushues nga Divjaka kërkoi që orari i muzikës të zgjatet edhe më shumë.

“Ne kemi turizëm dhe atje, por këtu është një vend i mrekullueshem,” tha ai, ndërsa vlerësoi atmosferën me muzikë live që krijohet në lokalet e Shëngjinit.

“Kemi ardhur për pushime këtu dhe duhet të argëtohemi,” tha pushuesi, ndërsa shtoi se ‘muzika të çliron nga gjithçka dhe të zgjat jetën.”

Ndryshimi i masave kufizuese ka dhënë impakt pozitiv të menjëhershem, për bizneset e turizmit në Shëngjin. Ata shprehen se që në ditët e para të zgjatjes së orarit të muzikës të ardhurat janë rritur.

“Ne vimë pas një viti mjaft të vështirë si shkak i pandemisë së COVID-19, ç’ka na ka shkaktuar humbje të mëdha financiare,” thotë Zef Doçi, administrator i një hoteli ku luhet muzikë live në Shëngjin

Sipas Doçit zgjatja e orarit të muzikës deri në orën 23:00, ka ndikuar në mënyrë të menjëhershme të rritjen e të ardhurave të biznesit që ai administron, për shkak se klientët konsumojnë më shumë nëse rrinë më gjatë.

Doçi thekson se ky lehtësim i masave kundër COVID-19 duhet të ishte bërë që në fillim të sezonit turistik.

“Mbyllja e muzikës në oren 22:00, siç ishte përpara na ka sjell shumë humbje financiare sepse kur nuk ka muzikë nuk qëndron njeri në lokal, pasi pushuesit këtu kanë ardhur për tu argëtuar,” shjegoi ai, ndërsa shtoi se sipas mendimit të tij muzika duhet të zgjasë deri në oren 24:00.

“Kjo do na ndihmonte shumë neve si biznes, pasi mbrëmja është një mundësi e mirë për të punuar,” përfundoi Doçi.

Rikthimi i jetës së natës ka ndikuar pozitivisht në të gjitha bizneset e Shëngjinit, jo vetëm ato që organizojnë mbrëmje me muzikë live.

“Kur ka muzike ka gjallëri e gjithë zona,” shprehet Nuremin Hasani, pronar i një restoranti të vogël.

Sipas Hasanit pushuesit duan argëtim gjatë mbrëmjes sepse kanë ardhur me pushime. Ai thekson se edhe qarkullimi në restorantin e tij është rritur pas shtyrjes më 1 orë të orarit të muzikës.

“Mbyllja e muzikes në orën 22:00 nuk ishte aspak e mjaftueshme për tu argëtuar,” tha Hasani.

“Unë jam i mendimit që muzika të mbyllet edhe më vonë,” përfundoi ai.