Lajm11 Apr 2018

Zgjedhja e Metës dhe mosarrestimi i Tahirit mbajtën demokracinë në vendnumëro

Raporti vjetor i Freedom House për demokracinë në Europën Lindore, Ballkan dhe Azinë Qendrore ngre shqetësime për zgjerim të tendencave autoritariste në të gjithë botën post-komuniste ku regresi më i madh u shënua në Poloni, Hungari e Serbi. Për Shqipërinë ekziston frika për autoritarizëm nga pushteti pa balanca e kontrolle të kryeministrit Edi Rama.

Autor: Gjergj Erebara BIRN Tiranë
Printo

Kryeministri Edi Rama në Kuvendin e Shqipërisë. Foto: LSA

Zgjedhjet parlamentare të kryera në mënyrë të qetë vitin e kaluar i dhanë Shqipërisë një përmirësim fare të lehtë në indeksin e demokracisë të vlerësuar dhe llogaritur nga organizata amerikane Freedom House, ndërkohë që fitorja e shumicës nga socialistët ngre, sipas  raportit vjetor të organizatës, njëkohësisht mundësi dhe rreziqe për autoritarizëm.

Freedom House publikoi të mërkurën raportin e vet kryesor “Kombe në Tranzicion” ku vlerësohet progresi apo regresi drejt demokracisë i vendeve që i përkasin botës postkomuniste në Europën Lindore, Ballkan dhe në Azinë Qendrore.

Raporti vëren me shqetësim rritjen e politikës iliberale në shumë vende të rajonit, fuqizimin me tendenca autokratike të presidentit të Serbisë Aleksandar Vucic dhe shqetësimet për tendencat negative në Poloni e Hungari ndërsa lavdëron zhvillimet pozitive në Maqedoni, ku sistemi i kapjes së shtetit nga ish-kryeministri Nikola Gruevski është tashmë drejt çmontimit. Për Serbinë dhe Malin e Zi, raporti thekson se këto dy vende janë efektivisht “Shtete të Kapura” nga ana e Vucic dhe Gjukanovic dhe vlerëson në mënyrë veçanërisht negative faktin që Vucic arriti të bëhej president dhe emëroi një person të pafuqishëm si kryeministër në një rokadë politike të zhvilluar sipas modelit të presidentit të Rusisë Vladimir Putin.

Freedom House i vlerëson vendet në një shkallë nga 1 në shtatë, ku 1 është demokraci e plotë dhe 7 është diktaturë e plotë. Në rajonin e Ballkanit, Rumania, Bullgaria, Serbia, Hungaria e Kroacia konsiderohen si vende me demokraci të konsoliduar përgjysmë, ndërsa Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Bosnja konsiderohen si regjime hibride, vende ku demokracia efektivisht nuk ka mbërritur ende.

Mundësi dhe frikë me Ramën

Në rastin e Shqipërisë, raporti thekson njëkohësisht se fitorja e shumicës së thjeshtë parlamentare nga Partia Socialiste vitin e kaluar përbën një mundësi që qeveria të çojë përpara luftën kundër korrupsionit, një nga pengesat kryesore të rrugës së Shqipërisë drejt demokracisë, por duke vërejtur praktikat autoritariste të kryeministrit Rama brenda Partisë Socialiste, zgjedhjen e Ilir Metës si president me votat e socialistëve dhe dobësimit të madh të Partisë Demokratike në opozitë, raporti shpreh frikë se Shqipëria mund të ecë në drejtim të kundërt, në rrugën drejt autoritarizmit.

“Për Shqipërinë, viti 2018 mban premtimin për përmirësim të qeverisjes si dhe rrezikun për autoritatizëm,” shkruhet në raport. “Me një shumicë komode në parlament, partia Socialiste në pushtet dhe kryeministri i saj kanë një mundësi të pastër për të kryer reforma të rëndësishme me potencial për të reduktuar korrupsionin në drejtësi dhe ryshfetin në administratën publike. Në anën tjetër, kontrolli i plotë që Kryeministri Rama ka mbi Partinë Socialiste dhe shumica solide që gëzon në parlament, kombinuar me kontrollin e rreptë mbi ekzekutivin, mund të sjellin ngritjen e tendencave autoritariste të cilat mund të sjellin institucionet e tjera të shtetit nën kontrollin e kryeministrit,” theksohet në raport.

Shqipëria konsiderohet si një vend që ka bërë disa hapa para dhe disa hapa prapa, ku për të dyja duket se është përgjegjës vetëm kryeministri Edi Rama. Sipas raportit, ndonëse pati më shumë luftë kundër kultivimit të kanabisit gjatë vitit 2017, kur disa oficerë të lartë të policisë u arrestuan ose u shpallën në kërkim të dyshuar për lidhje me krimin e organizuar, ky përmirësim i kompensua nga vendimi kontrovers i Partisë Socialiste për të përdorur shumicën e tyre parlamentare për të refuzuar kërkesën e Prokurorisë për arrestimin e ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri. Bllokimi i kërkesës së prokurorisë me vota parlamentare, shoqëruar me agresion verbal nga ana e Ramës ndaj prokurorëve që bënë kërkesën konsiderohet fenomen veçanërisht negativ për shkak se cënon pavarësinë institucionale të prokurorisë nga politika.

Raporti thekson gjithashtu se zgjedhja e njëanshme e kryeprokurores së përgjithshme të përkohshme Arta Marku me votat e shumicës socialiste, bojkoti i parlamentit nga opozita, gjë që solli pengimin e krijimit të institucioneve të reja të drejtësisë, si dhe praktika e Ramës për të pasur një qeveri tërësisht nën kontrollin e vet personal janë zhvillime negative për demokracinë.

“Partia Demokratike në opozitë duket se është në një proces disintegrimi pas disfatës më të keqe elektorale në 25 vjet ndërsa presidenti i ri, Ilir Meta, nuk ka kredibilitet për të bllokuar abuzimet potenciale të pushtetit nga ana e ekzekutivit,” thuhet në raport.