Analize16 Jun 2017

Zgjedhjet 2017, beteja për një mandat në Korçë

Qarku i Korçës do të ketë 11 mandate në zgjedhjet e vitit 2017 nga 12 që ka pasur në dy zgjedhjet e kaluara, gjë që e kthen këtë qark në betejë të PD-së dhe PS-së për të mos humbur deputetë nga sa kanë aktualisht.

Autor: Gjergj Erebara BIRN Tiranë
Printo

Qarku Korçë

Korça qe një nga qarqet që në zgjedhjet e vitit 2013 i hoqi një mandat Partisë Demokratike për t’ia dhënë atë Lëvizjes Socialiste për Integrim ndërkohë që Partia Socialiste nuk arriti të marrë mandat shtesë në krahasim me vitin 2009 pavarësisht se mori gati 5 mijë vota më shumë.

Në zgjedhjet e vitit 2009 Partia Demokratike dhe Partia Socialiste u ndanë me nga gjashtë deputetë secila, ndërsa rezultati në vota qe gjithashtu i përafërt me një avantazh të lehtë për Socialistët dhe aleatët e tyre të vegjël.  Në vitin 2013, Partia Demokratike ra në 5 mandate ndërsa LSI arriti të marrë një mandat deputeti duke lënë në të njëjtin numër deputetësh me 2009 Partinë Socialiste.

Qarku i Korçës do të ketë këtë vit një mandat më pak se sa në zgjedhjet e kaluara, duke reflektuar ndryshimet demografike të vendit dhe kjo gjë pritet ta bëjë betejën edhe më të ashpër.

Aktualisht vetëm disa qindra vota minus te rezultati i Partisë Socialiste të vitit 2013 ose disa qindra vota plus te rezultati i PD dhe aleatëve të vet, mjafton që rezultati të ndryshojë.

Lëvizja Socialiste për Integrim mori 14,400 vota në zgjedhjet e vitit 2013 në këtë qark, vota që mjaftojnë për të zgjedhur një deputet e gjysmë por që janë shumë larg zgjedhjes së të dytit.

Për rrjedhojë, gara në Korçë duket se zhvillohet mes Partisë Socialiste që synon të mbajë gjashtë mandatet e përfituara në vitin 2013 dhe Partisë Demokratike që mund të marrë katër mandate nga pesë që kishte, në rast se nuk e përmirëson rezultatin. Partia Demokratike ka vënë në vend të pestë në listën e vet Andrea Manon [Link CV], 46 vjeç, aktualisht kryetar i degës së kësaj partie në Korçë, mandati i të cilit duket se është në fije të perit.

Përballë tij, në vend të gjashtë për Socialistët garon Edlira Bode [Link CV], aktualisht drejtoreshë e Spitalit Rajonal Korçë.

Lëvizja Socialiste për Integrim garon në Korçë ministrin e Bujqësisë Edmond Panariti [Link CV], ndërsa në vend të dytë garon deputeti aktual i kësaj partie Piro Kapurani [Link CV].

Lista e votuesve në këtë qark mbart 280 mijë votues për zgjedhjet e 25 qershorit. Pushteti vendor në Qarkun Korçë është i ndarë në gjashtë bashki. Bashkia e Korçës, e cila ka ka edhe 107 mijë nga 280 mijë votuesit e regjistruar, është nën kontrollin e Partisë Socialiste ndërsa kryebashkiaku aktual Sotiraq Filo realizoi një fitore të thellë më 2015 kur mori 59 për qind të votave. Partia Demokratike kontrollon Bashkinë e Pogradecit, e cila ka afro 71 mijë votues të regjistruar, si dhe Bashkinë e Devollit, e cila ka 33 mijë votues të regjistruar. Bashkia tjetër e madhe, ajo e Maliqit, me 48 mijë votues, kontrollohet gjithashtu nga socialistët.

Partitë e vogla si PDIU mund të mos arrijnë të marrin një deputet në Korçë, por mundet gjithashtu të kontribuojnë në rezultatin e partive të mëdha duke i hequr votat njërës ose tjetrës palë. PDIU pati marrë afro 1400 vota në Qarkun Korçë në zgjedhjet e vitit 2013 ndërsa aktualisht garon me kandidatin Spartak Meraku [CV Link], një biznesmen me aktivitet në import-eksport dhe fasoneri dhe njëkohësisht kryetar i degës së PDIU në Korçë. Këto vota mund të pengojnë Partinë Socialiste për të ruajtur mandatin e gjashtë në Korçë ose Partinë Demokratike për të kapur mandatin e pestë, gjithmonë duke supozuar se nga viti 2013 nuk ka pasur ndonjë ndryshim rrënjësor në panoramën e përgjithshme të votave në këtë qark.

Abonohu te buletini ynë

Emri
Email *