Zgjedhjet presidenciale në Francë janë të rëndësishme për botën, por mbi të gjitha për fatin e Bashkimit Europian. Vota në dorën e popullit francez në këto votime të pazakonta të Republikës së Pestë do të tregojë shumë për të ardhmen e demokracisë liberale.
Gjashtëdhjetë vjet pas nënshkrimit të Traktatit të Romës, Franca është gati të mbajë zgjedhje të cilat do ta bëjnë ose zhbëjnë Bashkimin Europian. Një fitore për qendrorin e pavarur pro-BE, Emmanuel Macron, mund të ishte një pikë pozitive kthese, ku Franca të refuzojë populizmin dhe të thellojë lidhjet me Gjermaninë. Nëse megjithatë votuesit francezë ia japin presidencës Marine Le Pen të Frontit Kombëtar të ekstremit të djathtë – e cila sapo mori një mirëpritje të ngrohtë nga Vladimir Putin në Moskë – projekti i gjatë europian do të përfundojë.
Qartazi, nuk do të jenë zgjedhje të zakonshme franceze. Me mbijetesën e BE-së në lojë, rreziqet janë më të mëdha se në çdo zgjedhje në historinë e Republikës së Pestë. Pra, kanë të djathtët nacionalistë dhe ksenofobë të Francës një shans të vërtetë për të ardhur në pushtet?
Sigurisht, Fronti Kombëtar ka rrënjë të thella në jetën politike franceze. Babai i Le Pen, Jean-Marie Le Pen e themeloi partinë në 1972 dhe e drejtoi atë deri në 2011, kur e mori vajza e tij. Por suksesi i saj elektoral ka qenë deri më tani i kufizuar. Ndërsa Jean-Marie ia doli të ishte deri në raundin e dytë në zgjedhjet e 2002, ai përfundoi duke humbur keqazi kur qendra dhe të majtët u bashkuan nën Jacques Chirac.
Ashtu si babai i saj, Marine Le Pen ka gjasa t’ia dalë deri te raundi i dytë në maj; në fakt, sondazhet i kanë dhënë asaj votat fituese në raundin e parë. Shumë kanë besim se ajo do të mundet në fazën finale: Macron pritet të fitojë 63% të votave në luftën kokë më kokë me Le Pen. Por fitoret populiste në 2016 – veçanërisht votimi Brexit në Mbretërinë e Bashkuar dhe zgjedhja e Donald Trump si president i SHBA – kanë treguar se e pamendueshmja mund të ndodhë.
Në fakt, fjala e vjetër franceze “çfarë ka ndodhur dy herë, do të ndodhë sërish” mund ta tregojë se pasi këtyre dy votimeve, një fitore e Le Pen nuk është e pashmangshme. Por mbase Franca do të jetë humbja e tretë elektorale për kandidatët e ekstremit të djathtë, pas asaj në Austri dhe Holandë, duke ofruar prova se vala populiste mund të kundërveprohet.
Rrethanat e jashtëzakonshme ndonjëherë shkojnë në favor të personaliteteve të jashtëzakonshëm, si në vitet 1930 – një dekadë tragjike me të cilën është lidhur shpesh histeria e sotme politike. Por, ashtu si proverbi i vjetër “çfarë ka ndodhur dy herë, do të ndodhë sërish”, rezultatet mund të jenë negative ose pozitive. Ashtu si presidenti amerikan Franklin D. Roosevelt u shfaq si një rreze shprese gjatë krizës më të keqe ekonomike në historinë e Amerikës, Macron po përhap optimizëm te një publik francez i zhgënjyer nga një kombinim i dhunës, mediokritetit, skandaleve të korrupsionit dhe konfuzionit ideologjik.
Gruaja e Macron bën shaka se ai e merr veten për Zhan D’Ark, fshataren franceze që shpëtoi vendin nga britanikët në Mesjetë. Fizikisht, Macron ngjan më shumë si gjenerali i ri, Napoleon Bonaparti, gjatë fushatës së tij të parë në Itali. Disa shohin te Macron një figurë romantike të dalë nga një roman i Stendal, një Fabrice del Dongo modern, që vendos të mos jetë më një spektator i botës, por të veprojë. Ai e përparon misionin e tij përmes një kombinimi të energjisë së re, të vetëbesimit, dinakërisë politike, aftësive teknokratike dhe një ndjesie modelimi.
Macron përfaqëson një ndryshim në politikën elektorale franceze: erozionin e copëtimit tradicional mes të djathtës dhe të majtës. Ai po përfaqëson lëvizjen e tij qendrore (En Marche!). Asnjë i pavarur nuk ka fituar ndonjëherë presidencën franceze, por sërish, këto nuk janë zgjedhje të zakonshme.
Në fakt, asnjëra prej dy partive të mëdha – Socialistët dhe Konservatorët (Les Republicains, siç e quajnë veten tani) – nuk ka gjasa të arrijnë në raundin e dytë. Ky refuzim i partive tradicionale jehon refuzimin e presidentit socialist François Hollande, popullariteti i të cilit ra shumë (deri në 4% në një pikë) aq sa ai nuk kërkon mandat tjetër, e para herë në historinë e Republikës së Pestë. Gjithashtu reflektohet në rrezikun e abstenimit të konsiderueshëm nga votuesit, e pazakontë për një vend që i merr zgjedhjet presidenciale shumë seriozisht.
Shumë francezë e kanë perceptuar këtë zgjedhje si një lloj programi televiziv reality të përjetshëm. Mund të jetë mbresëlënëse, por ka pak besim se çështjet e panumërta që po e formësojnë atë – nga papunësia te terrorizmi dhe siguria te përfitimet e pensionit dhe moralizimi i jetës politike – do të zgjidhen. (Këto ndodhet një tjetër ndryshim nga zgjedhjet e mëparshme, që kryesisht morën formë nga një ose dy çështje madhore.
Si Dongo – apo Macron – populli francez do të ketë tani shansin të shkojë nga spektator në aktor autonomë. Ata mund të zgjedhin kandidatin e shpresës, siç bënë amerikanët në 2008, kur zgjodhën Barack Obamën. Ose mund të zgjedhin kandidatin e tyre të frikës, siç bënë amerikanët në vitin 2016, kur zgjodhën Donald Trump. Në secilin rast, pasojat e zgjedhjeve të tyre – ashtu si të amerikanëve – do të ndihen nga shumë të tjerë.
Sigurisht, Franca nuk është Amerikë; është të paktën më pak e rëndësishme nga ana strategjike në botë. Por Franca, është jetësore për BE-në. Dhe në një farë kuptimi, Le Pen me eksperiencë politike dhe e qetë mund të jetë edhe më e rrezikshme sesa homologu i çrregullt politik që ka zënë Shtëpinë e Bardhë. Kjo është arsyeja përse shumë vetë në botë – të paktën në anën demokratike të saj – po i ndjekin këto zgjedhje, më të pazakontat në Francë, duke mbajtur frymën.
Marrë me autorizim nga Project Syndicate, 2017. Ripublikimi mund të bëhet vetëm me lejen e Project Syndicate. France’s Extraordinary Election