Pas shkarkimit të kryebashkiakut të mëparshëm Elvis Rroshi, presidenti dekretoi 7 majin për zhvillimin e zgjedhjeve të parakohshme për postin e kryetarit të Bashkisë së Kavajës, por deputeti Edi Paloka i Partisë Demokratike sinjalizoi bojkotin e zgjedhjeve.
Presidenti Bujar Nishani dekretoi sot (e premte) datën 9 maj për zhvillimin e zgjedhjeve të parakohshme në Bashkinë Kavajë pas shkarkimit të ish-kryebashkiakut Elvis Rroshi, por Edi Paloka, deputet i Partisë Demokratike në opozitë deklaroi se PD nuk ka ndër mend të marrë pjesë në zgjedhje.
“Në Kavajë nuk do të ketë zgjedhje”, deklaroi Paloka para gazetarëve, por nuk është e qartë nëse ky është një vendim i prerë i Partisë Demokratike.
Bojkoti i zgjedhjeve ka qenë një kërcënim i herë pas hershëm i opozitave në Shqipëri përgjatë 25 viteve të pluralizmit por ai është zbatuar shumë rrallë dhe në përgjithësi bojkoti ka mbetur një tabu. Partia Socialiste refuzoi të marrë pjesë në zgjedhjet për pushtetin vendor në vitin 2006 dhe më pas arriti një marrëveshje me qeverinë e djathtë të asaj kohe për të shtyrë zgjedhjet me disa muaj.
Partia Demokratike bojkotoi zgjedhjet në Bashkinë Kurbin në vitin 2015 pas ankesave se kandidati socialist dhe fituesi i zgjedhjeve Artur Bardhi, kishte të shkuar kriminale. Bardhi rezulton aktualisht në proces verifikimi nga KQZ në bazë të ligjit për dekriminalizimin.
Bashkia Kavajë ka 81 mijë banorë sipas regjistrit civil dhe dhe 40 mijë banorë sipas censusit. Në zgjedhjet e vitit 2015 në këtë bashki morën pjesë 26 mijë votues. Zgjedhjet u fituan nga Rroshi me 64 për qind të votave.