Analize28 Jun 2019

Zgjedhjet njëngjyrëshe të 30 qershorit: 97 kandidatë për 61 bashki

Votimet e kontestuara të së dielës në shifra; mbi 3.5 milionë shqiptarë janë ftuar nga mazhoranca t’u drejtohen kutive të votimit në një proces ku treguesi i vetëm i garës duket se do të jetë pjesmarrja ose bojkoti i tyre.

Autor: Gjergj Erebara BIRN Tiranë
Printo

Punonjes te KQZ ne Lunder, duke pergatitur materialet zgjedhore per 21 qershorin. 2017 Foto: KQZ

Të dielën më 30 qershor, 3,535,386 shqiptarë me të drejtë vote janë ftuar nga mazhoranca t’u drejtohen kutive të votimit për zgjedhjet e pushtetit vendor, në një kohë kur Presidenti ka shpallur zhdekretim dhe partitë kryesore në opozitë bëjnë thirrje për bojkot.

Shqiptarët janë ftuar të votojnë në 5364 qendra votimi.

KQZ i menaxhon zgjedhjet përmes 90 Zonave të Administrimit Zgjedhor. Shumica e bashkive kanë nga një zonë administrimi zgjedhor, ndërsa bashkitë e mëdha kanë më shumë se një. Bashkia Tiranë ka 13 ZAZ.

Tirana është bashkia më e madhe në vend për nga numri i votuesve me 662,837 emra në listën zgjedhore, e ndjekur nga Durrësi me 251 mijë dhe Elbasani me 166 mijë. Pusteci është bashkia me numrin më të vogël të votuesve në Shqipëri, 4360 vetë të regjistruar. Listën e bashkive dhe numrin përkatës të votuesve në formatin Excel e gjeni duke klikuar këtu:

Në krahasim me zgjedhjet lokale tëvitit 2015, numri i votuesve në lista është rritur me 163 mijë vetë ose me afro 5%.

Megjithëse këto zgjedhje janë bojkotuar nga partitë kryesore të opozitës, përfshirë Partinë Demokratike dhe Lëvizjen Socialiste për Integrim, në teori shqiptarët do të mund të zgjedhin mes 36 partive politike të regjistruara për këto zgjedhje. Ka gjithashtu edhe dy koalicione që nominalisht garojnë si dhe tetë parti që garojnë jashtë koalicioneve. [Lexo listën e plotë të partive duke klikuar këtu.]

Gjithsej janë 97 kandidatëqëgarojnë për 61 poste kryebashkiakësh.

Në 31 bashki garojnë vetëm kandidatët e Partisë Socialiste, ndërsa në 30 bashki ka më shumë se njëkandidat; 12 prej të cilëve janë tëpavarur, 22 i takojnë partisë Bindja Demokratike ndërsa tre kandidatë i përkasin një koalicioni të emëruar “Shpresa për Ndryshim”.

Partia Socialiste garon në të gjitha bashkitë e vendit me përjashtim të bashkisë Finiq, ku garon Kristo Kiço i partisë MEGA me kryebashkiakun aktual Leonidha Hristo, i cili fitoi zgjedhjet më 2015 si kandidat i MEGA, por tani garon kundër Kristo Kiços, i cili është kryetar i MEGA. Pavarësisht se garon më vete dhe jashtë koalicioneve qeverisëse, Kiço është aktualisht nënkryetari i Bashkisë Sarandë dhe u prezantua nga Edi Rama si kandidat më 22 qershor.

Devolli është bashkia ku garojnë më shumë kandidatë këto zgjedhje, gjithsej katër.

Ndonëse ka 36 parti të regjistruara në zgjedhje, shumica dërrmuese e tyre kanë paraqitur lista me kandidatë për këshilltarë vetëm për një numër të kufizuar bashkish. Rregullat e imponuara në kodin zgjedhor sanksionojnë që një parti, sado e vogël që të jetë, duhet të dorëzojë një listë të plotë kandidatësh për këshilltarë për të fituar të drejtën për të garuar në një bashki të caktuar, pavarësisht se mund të synojë të zgjedhë një apo dy këshilltarë.

Kjo e bën të vështirë për shumicën e partive që të gjejnë kandidatë për këshilltarë që e kanë të sigurt se nuk do të zgjidhen kurrë.

Kështu, për Bashkinë Tiranë kanë paraqitur lista kandidatësh për këshilltarë 20 parti politike. Në bashkitë e tjera garojnë për këshilltarë më pak se sa kaq. Në Poliçan ka dy lista këshilltarësh ndërsa në Dropull ka tre.

Qytetarët që duan të dinë se kë mund të zgjedhin për këshilltar do ta kenë të pamundur ta bëjnë. Në fletët e votimit jepet emri i partisë dhe emri i kryetarit të partisë, ndërsa listat e kandidatëve për këshilltarë gjenden vetëm në faqen e internetit të KQZ-së. Njësoj si në zgjedhjet parlamentare, listat e kandidatëve për këshilltarë janë të mbyllura, d.m.th., shanset që dikush të zgjidhen përcaktohen në shumicë dërrmuese nga partitë politike respektive. Jetëshkrimet e kandidatëve për këshilltarë mund të gjenden në faqen e internetit të KQZ-së duke klikuar [këtu].

Pjesëmarrja 2015

Si zgjedhje pa garë të mirëfilltë për shkak të bojkotit të opozitës, shumë po presin të shohin nivelin e pjesëmarrjes së votuesve në zgjedhje si tregues të mbështetjes për qëndrimet e mbajtura nga njëri krah apo krahu tjetër politik. Në këtë drejtim, shifrat e zgjedhjeve të kaluara për pushtetin vendor konsiderohen si treguesi bazë për të parë nivelin e pjesëmarrjes.

Në zgjedhjet e vitit 2015 pati 3.37 milionë shqiptarë me të drejtë vote, nga të cilët, morën pjesë në votime 1.6 milionë ose 48% e votuesve. Rreth 40 mijë ose 2.5% të votave të hedhura në kutitë për kryetarët e bashkive ishin të pavlefshme. Të gjithë kandidatët për kryetarë morën sëbashku 1.57 milionë vota ose 47% të shqiptarëve me të drejtë vote.

Në zgjedhjet e vitit 2015, Puka ishte bashkia që shënoi pjesëmarrjen më të lartë të votimit, rreth 61% e votuesve hodhën një votë për garën për kryetarë bashkie, pasuar nga Hasi, Klosi, Pusteci dhe Kukësi.

Kurbini ishte zona me pjesëmarrjen më të ulët, vetëm 24%. Kjo pjesëmarrje e ulët në Kurbin lidhet me tërheqjen e opozitës nga gara në këtë bashki si pjesë e sherreve mbi kandidatët me të shkuar penale në zgjedhje.

Finiqi, Dropulli dhe Himara ishin bashki ku u shënua gjithashtu pjesëmarrje e ulët. Mes qyteteve të mëdha, në Korçë, pjesëmarrja ishte 40% ndërsa në Shkodër, 44%.