Të premten u zgjodhën anëtarët e rinj të KED-së, të cilët do të përzgjedhin kandidatët për vendet vakante në Gjykatën Kushtetuese.
Presidenti i Republikës, Ilir Meta, zhvilloi të premten shortin për zgjedhjen e anëtarëve të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, për mandatin e ri 1-vjeçar Janar-Dhjetor 2022. Shorti u hodh në prani të përfaqësuesve nga disa institucioneve; Avokati i Popullit, Këshilli i Lartë i Prokurorisë, Këshilli i Lartë Gjyqësor, Gjykata Kushtetuese, Kuvendi i Shqipërisë, si dhe përfaqësuesve të dy misioneve monitoruese të emërimeve në sistemin e drejtësisë, Bashkimi Europian dhe OPDAT.
Sipas procedurës ligjore u zgjodhën nëpërmjet shortit me gogla 9 anëtarë të përhershëm dhe 6 anëtarë zëvendësues në mesin e listave të kandidatëve të ardhura nga disa institucione të drejtësisë.
Këshilltari për Çështjet Ligjore i presidentit, Bledar Dervishaj, i cili moderoi shortin, tha se lista e kandidatëve ishte ndryshuar dy herë pas dorëzimit në afatin zyrtar. “Me dy institucionet kryesore, KLGJ dhe KLP, kemi bashkëpunuar për azhornimin e informacionit dhe pati dy azhornime të listës së kandidatëve pasi 2 magjistratë kishin humbur statusin, njëri për shkak të vendimit të KPA dhe tjetri kishte dhënë dorëheqjen. Ashtu sikundër dhe një prokuror i ishte shtuar zërit të prokurorëve të Gjykatave të Apelit me vendim të formës së prerë të emërimit të tij”.
Nga 7 kandidatë nga Gjykata Kushtetuese u zgjodhën gjyqtarët Marsida Xhaferllari dhe Elsa Toska si anëtar të përhershëm, ndërsa Altin Binaj anëtar zëvendësues.
Nga 9 kandidatë nga Gjykata e Lartë u zgjodh Sokol Binaj, i cili do të jetë edhe kryetari i ri i KED për vitin 2022. Sandër Simoni do të jetë anëtar zëvendësues nga kjo gjykatë.
Nga 9 kandidaturat e Prokurorisë së Përgjithshme anëtar i përhershëm u zgjodh Anila Leka dhe zëvendësues Thoma Jano.
Nga 23 kandidatët e Gjykatave të Apelit nga të cilët u zgjodhën dy anëtarë të përhershëm, Edlira Petri dhe Enton Dhimitri dhe Ridvan Hado si anëtar zëvendësues.
Nga 12 prokurorë nga Zyrat e Prokurorive pranë Gjykatave të Apelit, anëtarët e përhershëm do të jenë Arta Marku dhe Etien Kapo, ndërsa anëtar zëvendësues Genti Xholi.
Nga 23 emra kandidatësh nga Gjykatat Administrative u zgjodhën përfaqësues në KED Klodiana Mema si anëtare e përhershme dhe Erarbër Madhi anëtar zëvendësues.
Këshilli i Emërimeve në Drejtësi vlerëson dhe përzgjedh kandidatët për anëtarë të Gjykatës Kushtetuese.