Analize25 Aug 2021

Zhdukja e profilit: Dhuna online ndaj grave në Kosovë po e dëmton demokracinë

Dhuna online ndaj grave në Kosovë po e dëmton gatishmërinë e tyre për t’u angazhuar në jetën politike dhe publike.

Autor: Shqipe Gjocaj BIRN Prishtinë
Printo

Elonë Kastrati. Foto credits nga Elonë Kastrati.

Në fund të vitit 2015, aktivistja feministe Elonë Kastrati mori një mesazh në llogarinë e saj në Instagram ku shkruhej: “Vdeksh e rrethuar nga pecetat e tua plot me gjak të gërditshëm menstrual”.

Pak muaj më parë, për të shënuar Ditën Ndërkombëtare të Gruas, Kastrati, atëherë 19 vjeçare, kishte depërtuar në tituj të mediave ndërkombëtare duke ngjitur peceta sanitare nëpër drunj dhe objekte tjera në qytetin e saj të lindjes në Karlsruhe, afër kufirit jugperëndimor të Gjermanisë me Francën.

Ajo kishte shkruar në to shprehje si: “Imagjino nëse burrat do të neveriteshin nga përdhunimi njëjtë siç bëjnë me gjakun e menstruacioneve” dhe “Dhunuesit dhunojnë njerëz, jo veshje”.

Por edhe pse shumë nga përgjigjet që mori puna e saj ishin pozitive, të tjerat nuk ishin të tilla. Kastrati, e lindur në Gjermani nga prindër shqiptarë nga Kosova, duket se kishte prekur nervin e shumë shqiptarëve në veçanti.

Me ndihmën e një profesionisteje të teknologjisë informative, Kastrati ia doli të identifikojë vendndodhjen e përafërt prej ku ishte dërguar mesazhi.

Në atë zonë jetonte në atë kohë një shok i dikurshëm, një shqiptar për të cilin Kastrati tha se kishte qenë tepër fyes dhe agresiv gjatë komunikimit që kishin pasur. Ajo shkoi në policinë gjermane, por kishte frikë që ta denonconte me emër personin që dyshonte se e kishte kërcënuar dhe rasti nuk u ndoq më tej.

Reagimet e ashpra online, kërcënimet me përdhunim dhe vdekje, u bënë të padurueshme.

Gjashtë vjet më vonë, Kastrati nuk përdor më Facebook dhe as Twitter me emrin e saj real.

“Janë ambiente shumë toksike,” tha ajo.

Kastrati, e cila për momentin punon në një kopsht fëmijësh në Gjermani, tha se ende është aktiviste feministe, “por nuk bëj ndonjë paraqitje publike”.

“Nuk e kam ndalë kurrë aktivizmin, por kam zgjedhë që të mos kaloj shumë kohë online”, tha Kastrati për BIRN. “Aktivizmi online është emocionalisht shterues dhe të merr shumë kohë. Dhe kjo nuk është prioriteti im për momentin”.

Ajo që i ka ndodhur Elonës flet për ndikimin që ka mizogjinia online te gratë, të cilat zgjedhin që t’i bëjnë zërat e tyre të dëgjohen, sidomos në Ballkan, ku shoqëritë gjerësisht patriarkale e konservatore janë shpesh rezistuese ndaj ndryshimit të roleve “tradicionale” gjinore dhe kërkojnë t’ua mohojnë grave mendimin politik.

Ekspertet thonë se humbja nga debati publik dhe jeta politike nuk duhet të nënvlerësohet.

“Dhuna online ndaj grave ka të bëjë më pak me sulmin e një gruaje në veçanti dhe më shumë me formësimin e perceptimit publik për vlefshmërinë e pjesëmarrjes politike të grave në përgjithësi, thotë Nita Bicurri, menaxhere programi në Institutin Demokratik Kombëtar, NDI, në Kosovë dhe e cila ka disa vjet përvojë me gratë në politikë.

“Shembulli më i qartë është rritja dhe trendi i dezinformimit gjinor dhe mesazhet mizogjene,” tha Bicurri për BIRN. “Mesazhet kanë tendencë krijimin e narrativave se gratë nuk janë të denja për jetën publike”.

“T’i bësh gratë të zhduken”

Hana Marku, avokate shqiptaro-kanadeze dhe ish-aktiviste feministe në Kosovë.

Ekspertet e karakterizojnë dhunën online kundër grave si një zgjatim të dhunës me të cilën gratë përballen në jetën e përditshme dhe që përgjithësisht manifestohet në forma të njëjta- për shembull, abuzim verbal, ngacmim seksual dhe përndjekje. Kjo shpesh përforcohet nga mënyra se si gratë portretizohen në media.

Sipas Institutit Evropian për Barazi Gjinore, dhuna online kundër grave dhe vajzave “mund të manifestohet në forma të ndryshme të dhunës, përfshirë dhunën seksuale, psikologjike dhe, siç e tregojnë trendet në rritje, ekonomike, ku statusi i tashëm apo i ardhshëm i punësimit të viktimës komprometohet nga informacioni i dalë online”.

Prapë se prapë, dhuna online ende nuk është përkufizuar në mënyrë strikte ose njohur përmes ligjit në Ballkanin Perëndimor si formë e dhunës, ashtu sikur nuk është konceptualizuar ose ligjësuar si diskriminues në nivel të Bashkimit Evropian.

“Për mua, dhuna online ndaj grave është një ambient toksik ku fjalët dhe opinionet e grave përqeshen, degradohen dhe mund të rezultojnë me kërcënime dhe akte të dhunës offline,” tha Hana Marku, avokate shqiptaro-kanadeze dhe ish-aktiviste feministe në Kosovë.

Për t’iu shmangur dhunës online, shumë gra “zhduken”, shkroi në vitin 2019 Bridget Gelms, asistent-profesore në San Francisco State University, në një tekst të publikuar si pjesë e librit Digital Ethics.

“Një nga mënyrat në të cilat gratë mund ta kontrollojnë ngacmimin online me të cilin përballen është heshtja ose vetë-zhdukja,” shkroi Gelms, puna e të cilës i përket retorikës në media dhe dimensioneve kulturore dhe materiale të mediave sociale. “Ngacmimi online po i detyron gratë të zhduken”.

Gwen Taylor, zyrtare programi në GLITCH, një organizatë bamirëse britanike që punon për t’i dhënë fund abuzimit online, tha se viktimat e abuzimit online janë shpesh “persona me identitete të ndërthurura dhe të margjinalizuara”.

“Dhuna offline dhe online janë të ndërlidhura,” Taylor tha për BIRN, dhe theksoi që “gratë në politikë, gratë me ngjyrë ose gratë me identitete të margjinalizuara” tregojnë interes të veçantë në punëtoritë e GLITCH.

Të mbrojtura vetëm në letër

Flutura Kusari, juriste e së drejtës së medias.

Në Kosovë, ish-krahinë e Serbisë e cila u ngrit në luftë në vitet 1998-99 dhe shpalli pavarësinë në vitin 2008, ekspertët ligjorë thonë se tashmë ekziston një bazë solide ligjore për autoritetet që ta luftojnë dhunën online kundër grave.

“Nëse i thua një personi “kam me t’vra”,  ajo është vepër penale,” tha Flutura Kusari, juriste e së drejtës së medias. “Nuk ka rëndësi nëse e ke thënë verbalisht apo e ke shkruar online”.

“Nëse bëni thirrje për dhunë, sidomos ndaj grave, ajo është vepër penale, pavarësisht a e ke bërë online apo offline,” tha Kusari për BIRN. “Nëse e ngacmon apo sulmon dikë seksualisht, qoftë online apo offline, ajo është vepër penale. E tëra është e rregulluar me Kodin Penal të Kosovës i cili është mjaft i avancuar”.

Megjithatë, problemi qëndron në implementim dhe në standardet e dyfishta gjinore dhe vlerat patriarkale që mbizotërojnë në institucionet publike, tha ajo.

“Ti e raporton rastin në polici që dikush po të kërcënon me dhunim, vrasje… që do të ta lëndojnë vajzën etj… Por policia rëndom do të të përgjigjen: ‘Po pse pa fol? Ose edhe më keq: ‘ Por pse ti nuk po ke kujdes me gjuhën?”.

As zyra më e lartë shtetërore në Kosovë nuk kursehet nga dhuna online.

“Fatkeqësisht, për të qenë grua e pranishme dhe aktive në sferën publike në Kosovë, por edhe përtej, nënkupton që gjithmonë do të përballesh me nivele të larta të dhunës online,” tha Vjosa Osmani- Sadriu, e cila ka qenë në shënjestër të disa rasteve të abuzimit online para dhe pasi u zgjodh në postin e Presidentes në prill të këtij viti, gruaja e dytë që e mban këtë pozitë në Kosovë.

“Përderisa dhuna online është fenomen i pranishëm gjithkund dhe prek pothuaj secilen/in, ajo është e drejtuar kryesisht ndaj grupeve të margjinalizuara, si dhe ndaj vajzave e grave,” me një ndikim në motivimin e tyre “për t’u angazhuar në jetën publike”, Osmani- Sadriu tha për BIRN në një deklaratë të shkruar.

Sipas hulumtimeve të fundit të NDI, 51 për qind e respondentëve u pajtuan me deklaratën se dhuna kundër grave në politikë është e përhapur në Kosovë dhe 45 për qind u pajtuan se dhuna online shënjestron gratë në politikë dhe se kjo i dekurajon ato që të marrin pjesë në politikë.

“Hulumtimi i NDI dëshmon prani relativisht të madhe të mizogjinisë në mediat online dhe mediat sociale, sidomos ndaj grave të përfshira në politikë,” organizata tha për BIRN. “Një pjesë e madhe e diskursit mizogjen përbën dhunë online ndaj grave. Narrativat mizogjene janë të shpërndara në mediat online dhe ato tradicionale pa u konsideruar si të tilla”.

Në Serbi, një hulumtim i Qendrës së Grave Autonome, AWC, një OJQ, në vitin 2019 gjeti se 57 për qind e vajzave mes moshës 14 dhe 19 vjeçe kanë qenë të ekspozuara ndaj komenteve online me konotacion seksual dhe 9 për qind thanë se fotografitë dhe videot e tyre të dërguara privatisht u janë postuar online. Rreth 55 për qind e djemve brenda të së njëjtës grupmoshë kanë pranuar kërcënime online për sigurinë e tyre fizike.

Koordinatorja e projektit në AWC Sanja Pavloviq tha se është e zakonshme që gratë me profil publik të bëhen shënjestër e abuzimeve online.

“Besoj se gratë dhe vajzat që kalojnë më shumë kohë online dhe ato që janë më të dukshme në jetën publike [si gazetaret dhe politikanet] janë më të prekurat, dhe ato zakonisht janë të ekspozuara ndaj formave të ndryshme të dhunës në internet të kryera nga burrat të cilët nuk i njohin personalisht,” tha Pavloviq për BIRN në një përgjigje me shkrim.

“Në anën tjetër, ajo që shohim përmes praktikës së shërbimeve të drejtpërdrejta është që gratë e të gjitha moshave nuk kursehen kur është fjala te dhuna nga partneri dhe se partnerët e dhunshëm nuk hezitojnë të përdorin mjete të ndryshme digjitale për ta imponuar kontrollin dhe izolimin ndaj viktimave të tyre”.

Pavloviq theksoi nevojën për më shumë hulumtime të detajuara rreth llojeve të dhunës online, që përfshijnë gratë dhe vajzat e moshave të ndryshme. Në të vërtetë, mungesa e të dhënave në rajon po i minon përpjekjet për ta adresuar këtë fenomen.

BIRN ka kërkuar nga Policia e Kosovës të dhëna zyrtare rreth dhunës online kundër grave por ata kanë dërguar të statistika rreth krimeve më të zakonshme kibernetike. Dhuna online ndaj grave nuk ishte në mesin e tyre.

As Prokuroria e Kosovës dhe Gjykata Themelore në Prishtinë nuk i janë përgjigjur kërkesës për të dhëna.

“Pazari virtual”

Xheni Karaj, aktiviste e të drejtave të komunitetit LGBT në Shqipëri.

Facebook është rrjeti social më i përdorur në Kosovë, duke u bërë për shumë kosovarë platforma ku merren e jepen informata, për të promovuar punën, për komunikim dhe socializim. Marku thotë se i përngjan një “pazari virtual”.

Gjiganti i mediave sociale është gjithashtu një forum, ku aktivistet feministe në Kosovë luftojnë kundër një kulture që mohon se dhuna ndaj grave ekziston, kulturë e përforcuar nga mediat që shpesh promovojnë shprehje dhe simbolika seksiste. Dhe Kosova nuk është e vetme.

Në Shqipërinë fqinje, sociologia feministe Ermira Danaj tha se mënyra se si mediat shqiptare e portretizojnë gruan është një formë e dhunës.

“Parlamenti fillon punën dhe lajmi në Shqipëri është përqendruar në atë se si janë veshur gratë politikane,” tha Danaj.

Në Kosovë, Kusari theksoi rëndësinë e trajnimeve për gazetarë se si të raportojnë rreth çështjeve gjinore dhe përfaqësimit të grave në televizion. Por ka pak interes, tha ajo, dhe kjo nuk nuk ka të bëjë me koston financiare të medieve.

“Thjesht ka mungesë vullneti sepse besimet patriarkale janë aq thellë të ngulitura në media saqë edhe kur provojnë t’i përfshijnë gratë, atë e bëjnë në mënyrë të gabuar dhe vetëm çka bëjnë dëm,” tha Kusari.

Xheni Karaj, aktiviste e njohur për të drejtat e komunitetit LGBT në Shqipëri, e përjetoi vetë këtë kur bëri një koment në një debat televiziv në korrik rreth asaj se si Britania e Madhe merret me çështjen e adoptimit të fëmijëve nga çiftet e seksit së njëjtë, komente që rezultuan në një artikull me titull “Komuniteti LGBT dëshiron ta largojë fjalën ‘nënë’”.

“Kur u zgjova në mëngjes gjeta mijëra kërcënime me dhunim dhe vrasje, komente në fotografitë e mia në Instagram, komente agresive jo vetëm ndaj meje por ndaj komunitetit LGBT në përgjithësi,” kujton Karaj.

Ajo e raportoi abuzimin në regullatorin shqiptar të mediave, “sepse mendoj se tërë kjo histeri kolektive ishte inkurajuar nga narrativa që e krijoi vetë media”.

Karaj thotë se dhuna krijon “një cikël të frikës”, duke i lënë viktimat të frikësuara për ta pranuar veten ose t’u tregojnë të dashurve të tyre, të cilët gjithashtu mund të bëhen shënjestër. Ajo përmendi komentet e bëra online drejtuar nënës së saj, “e cila ka lindur një monstrum, jo një fëmijë”.

“Kjo prek secilin, jo vetëm viktimën por edhe prindërit e tyre, të afërmit, partnerët, miqtë, shokët dhe komunitetin e gjerë”.

Kusari gjithashtu u ankua për dominimin e “burrave me ndikim (influencer)” në Kosovë, sidomos “komentuesve” të profilit të lartë në debate politike.

“Le të themi që një aktiviste ka 2,000-3,000 ndjekës, pranjë komunitet të vogël të njerëzve që e ndjekin dhe përgjithësisht ia aprovojnë postimet. Pastaj shfaqet një burrë me më shumë se 100 mijë ndjekës dhe e kritikon kot dhe pa mend aktivisten. Natyrisht se kjo ndikon në dekurajim,” tha Kusari. “Por mesazhi për gratë tjera është: ‘Shiko se çka do të të ndodh nëse edhe ti ja nis me fol”.

Marku tha se shumë burra në Kosovë, edhe ata që e konsiderojnë veten feministë, e kanë të vështirë kur një grua u drejtohet, “E ke gabim, shumë gabim”.

“Është thjesht e rrënjosur në kulturën tonë t’i thuhet një gruaje sa herë ajo shpreh një opinion: ‘Mbylle gojën. Çka din ti?”, thotë ajo.

Përgjigje të tilla “peshojnë rëndë”, tha Karaj. “Jo vetëm gjuha e urrejtjes por edhe fjalori diskriminues përforcon paragjykimet ndaj komunitetit,” tha ajo për BIRN. “Ka pasoja të drejtpërdrejta fizike. Kjo nuk mbetet thjesht në botën virtuale”.

Osmani- Sadriu, Presidentja e Kosovës, tha se ekzistenca dhe pranimi i gjerë i një gjuhe të tillë “në politikë dhe në sferën publike, e legjitimon mizogjininë”.

“T’ua themi emrat”

Protesta e vitit 2015 e Kastratit, nën hashtagun #padsagainstsexism, ia solli asaj një ftesë për TED talk pak muaj më vonë në Kosovë, vendi nga i cili prindërit e saj ishin larguar në vitin 1994 përderisa Jugosllavia socialiste u shpërbë në luftë.

Nën titullin “Emri im nuk është zemër”, Kastrati foli me humor dhe fuqi rreth absurditetit të turpit menstrual në Kosovë, rreth përvojës së saj kur e ka parë shitësin duke i mbështjellë me gazetë pecetat menstruale që të mos i shohin blerësit tjerë.

Ajo foli rreth dëmit që sjell martesa e hershme dhe barrës se pritjeve të grave shqiptare në diasporë për t’u martuar me një burrë shqiptar.

Audienca dukej e angazhuar dhe e argëtuar. Por nuk kishte asgjë argëtuese rreth përgjigjes kur fjalimi i saj u postua në Facebook dhe mori 14,000 klikime.

Komentet shkonin nga tallja te kritikat e ulëta, kërcënimet për përdhunim dhe vdekje. Administruesit e TEDxPrishtina e çaktivizuan faqen e komenteve.

Marku, e cila ishte në atë kohë pjesë e TEDxPrishtina Women, tha se për gratë e reja hapësira digjitale mbetet e pasigurt.

“Duhet të kishim bërë më shumë për ta mbrojtur Elonën nga sulmet e dhunshme”, tha ajo. “Kemi qenë naive duke besuar se fjalimi i saj do të ishte frymëzues, pavarësisht faktit se ajo foli për çështjet më bazike rreth të drejtave të grave shqiptare”.

Marku tha se ështëqenësore që njerëzit të mbahen përgjegjës për fjalët e tyre.

“Në sferën virtuale, dominon perceptimi se fjalët nuk çojnë peshë dhe ato nuk kanë kuptim në jetën e përditshme”, tha ajo për BIRN. “Kjo i bën njerëzit më përbuzës… sepse pasojat janë zero. Kjo është arsyeja pse unë besoj që këta njerëz duhet të japin llogari, t’ua themi emrat”.

Kastrati kurrë nuk ia dha policisë gjermane emrin e personit që ajo dyshon se i dërgoi kërcënimin me vdekje në vitin 2015. “Isha shumë e frikësuar,” tha ajo.

Më herët këtë vit, megjithatë, Gjermania miratoi një ligj që e njeh në mënyrë eksplicite dhunën online. Ata që shpallen fajtorë për kërcënime online me vdekje ose dhunim tani përballen me burg deri në tri vjet. Ligji i ri dhe fakti se ajo tani ka sigurim për mbulimin e shpenzimeve për avokat e ka vënë Kastratin në pozitë tjetër.

“Sot, do t’ia kisha thënë emrin,” tha Kastrati. “Nëse vendosi që ta rihap rastin tim, ka shumë gjasa që ai të përfundojë në burg dhe karriera e tij të merr fund”.

“Nëse vendosi që të dal prapë online siç kam qenë përpara, do të jem e sigurt”.

Kastrati tha se ajo ende besonte që barazia online është e mundur.

“Burri hetero-cis [një burrë heteroseksual gjinia e të cilit e përcaktuar në lindje përputhet me ndjenjën e tij të identitetit] nuk është më në qendër të vëmendjes” buzëqesh ajo. “Kultura jonë po bëhet më shumë queer”.