Dy vite më parë kur Mostari u përfshi garat e hedhjes nga shkëmbinjtë, qytetit iu rigjallërua tradita shekullore e hedhjes nga ura e famshme e Mostarit.
Për breza hedhja nga ura e vjetër e Mostarit në Bosnjën jugore ka qenë për të rinjtë vendas një provë guximi. Tradita e hedhjes së lartë mund të jetë më e vjetër sesa vetë ura e famshme.
Çdo gjë është gati për kampionatin e shtunës ku do të bëhen hedhje nga ura para mijëra spektatorëve.
Hotelet janë rezervuar totalisht dhe është ngritur një platformë për kërcim që e çon lartësinë nga uji te urë në 27 metrat e nevojshëm.
Por njerëzit në Mostar janë mbledhur për të parë zhytësit e rinj të guximshëm të kridhen në ujin e vrullshëm të Neretvës që nga Mesjeta e deri në kampionatin e sotëm të Lorens Listo.
Një 37-vjeçar muskuloz me tatuazhe ka fituar 11 herë garën.
Ai është rritur vetëm 500 metra larg nga ura dhe e gjithë jeta i është rrotulluar në këtë hapësirë.
“I kam parë ato hedhje që kur isha djalë i vogël. Kam parë Emir Baliç, Jadranko Fink dhe kërcyesit e tjerë të mëdhenj dhe gjithmonë ëndërroja të hidhesha si ata një ditë,” tha ai për BIRN.
Tradita e lashtë mahniti udhëtarin osman
Udhëtari osman i shekullit të 17-të Mehmed Zilli, i njohur si Evliya Celebi, të cilit iu deshën 40 vjet të të udhëtuar anembanë perandorisë, shkroi në udhëtimin e tij se kurrë nuk e kishte parë një urë aq të lartë nëpër 16 krahinat e perandorisë gjigante.
“Sikur të ishte hedhur një shkëmb i lartë deri në qiell mbi një tjetër,” ura u ndërtua mbi ujërat e smeraldta të Neretvës nga Mimar Hayruddin, një dishepull i arkitektit të madh osman, Mimar Sinan, shkroi Celebi.
“E parë nga larg, duket e rrumbullakët si një hark nga e cila sapo ka dalë një shigjetë dhe harku ka ngrirë”, e përshkroi ai.
Legjenda thotë se Hayruddin u largua nga vendi i ndërtimit para përfundimit të urës. Ai nuk mund ta shihte se çfarë do të ndodhte kur punëtorët të hiqnin skelat.
Sulltani Sulejmani i Madhërishëm me sa duket e kërcënoi se do t’i priste kokën nëse ura rrëzohej.
“Shumë fëmijë të guximshëm të këtij qyteti iu afruan buzës së urës. Ata pastaj u hodhën poshtë në lumë, duke fluturuar si zogj dhe secili duke bërë një lloj akrobaci,” shkroi Celebi në vitin 1664.
Kampioni nuk e lë djalin të shohë
Në vegjëli, Listo u stërvit shumë, duke bërë deri në 70 kërcime në ditë nga lartësitë 10 dhe 15 metra ndërsa gjithnjë i kishte sytë nga synimi i tij – Ura e Vjetër.
Ai ishte 18 vjeç kur bëri kërcimin e parë nga ndërtimi që zëvendësoi urën pasi u shkatërrua prej konflikteve të viteve 1990.
Ai i tha vetëm një shoku, duke llogaritur që nëse dështonte do të ishte më mirë ta dinin sa më pak njerëz.
“Edhe pse jetoja aq afër, mendoj se mu deshën dy orë të shkoja te ura nga shtëpia ime atë ditë”, kujton Listo.
“Më dukej sikur po bëja një hap para dhe dy hapa pas. Gjithçka më kalonte në mendje, e gjithë fëmijëria. Nuk e dija nëse do të mbijetoja,” tha Listo.
Por nuk kishte kthim mbrapa, njerëz po shihnin.
“Mostari është i tillë,” tha Listo. “Me të ndërmarrë nisëm, nuk ka më kthim mbrapa. Zemra po më rrihte si kurrë më parë,” tha ai.
Kërcimi i tij i parë ishte me kokë. Gjithçka shkoi mirë përveçse ai kishte harruar një detaj të vogël. Ai u transmetua drejtpërdrejt në televizor, ndaj e ëma e kishte parë.
“Asaj thuajse i ra atak në zemër,” tha Listo. Kur ishte kthyer në shtëpi, ajo i pati thënë vetëm “ti nuk je normal”.
Kërcimi i dytë sipas tij ishte edhe më keq, sepse ai e dinte se çfarë goditje e priste.
“Është si të fluturosh, metrat e fundit as që i sheh. Vetëm dëgjon një shpërthim kur prek ujin. Nuk mund ta imagjinoni dhimbjen,” tha ai.
Edhe sot, Listo ulet në breg të lumit menjëherë pas daljes nga uji.
“Çdo gjë duket e lëkundshme pas kërcimit. Nuk dua të eci dhe të dukem si i dehur” tha ai.
Gjoksi i kthehet në blu nga ndikimi. Vitin e kaluar, ai theu një gisht dhe e ndrydhi kyçin. Në të shkuarën, ka lënduar edhe shtyllën kurrizore dhe ka thyer dy brinjë.
Nëna e tij nuk e ka parë kurrë të hidhet duke qenë e pranishme dhe ai nuk dëshiron që fëmija i tij tetë-vjeçar ta shohë. Çdo kërcim është një rrezik, edhe sot, thotë ai.
Me 11 fitore, Listo mund të jetë i kënaqur me rekordin e tij, por ai ende ndjen se nuk është akoma aty ku dëshiron të jetë.
Ai dëshiron të përballet me njeriun që adhuronte, legjendën e Mostarit – Emir Baliç.
Legjenda filloi në moshën 15-vjeçare
Sot Baliç është 83 vjeç. Emri i tij është sinonim i traditës së kërcimit dhe ai ka qenë model për rininë e Mostarit për dekada të tëra.
Por të gjitha filluan me një kërcim të ngathët 68 vjet më parë, kur ishte vetëm 15 vjeç.
Baliç po ashtu kishte parë paraardhësit e tij dhe një ditë shkoi në urë në kostumin e tij të banjës. “Qëndrova atje për një kohë të gjatë, duke hezituar,” tha Baliç për BIRN.
“Uji ishte shumë më i cekët atëherë. Të gjithë filluan të fërshëllejë dhe të më bënin me shenjë të hidhesha,” kujton ai.
“Të gjithë po shihnin por u ula në urë, kalova në anën tjetër, u ula përsëri dhe kështu me radhë derisa më në fund u hodha – me këmbë”, tha ai.
“Ndjesia në ajër ishte e tmerrshme. Ishin vetëm tre sekonda e gjysmë, por dukej si një përjetësi,” tha ai.
Mentori i tij, Adil Djukiç, të cilin ai e konsideronte si baba, po kalonte anë lumit në atë çast dhe pa kërcimin e tij “patetik”. Ai i tha të stërvitej të hidhej me kokë.
Baliç vazhdoi të praktikonte te një shkëmb aty afër derisa pas një viti u kthye te ura.
Këtë herë kërcimi ishte i mirë.
“Njerëzit po duartrokisnin, por i kalova të gjithë dhe shkova në shtëpi për të shëruar për pesë apo gjashtë ditë plagët në trup. Pas atyre ditëve, shkova në qytet me kokën lart,” kujton ai.
Që atëherë, gjatë 20 viteve të ardhshme, Baliç fitoi 13 herë, përfundoi katër herë i dyti dhe zuri tri herë vendin e tretë. Ai kurrë nuk u kthye në shtëpi pa fitore.
Një nga pasuritë më të çmuara të legjendës lokale është një skulpturë që i bënë në kërcimin e tij të 1000.
Jeta e Baliç ka evoluar gjithashtu rreth urës. Ai ishte në Zagreb kur një gazetare e telefonoi në vitin 1993 për t’i thënë se ura ishte zhdukur.
“Ajo e tha në një formë aq të trishtuar, sikur të kishte qenë babai im. Ata ma vranë urën. Isha i dërrmuar,” kujtoi ai.
Kur u kthye në Mostar, Baliç kërceu edhe një herë në vitin 1996 në moshën 60 vjeçare nga platforma ku dikur qëndronte ura.
Ai bënte shëtitje të vazhdueshme për të vëzhguar rindërtimin.
Gjatë disa viteve pas luftës në 1992-1995 në Bosnjë, ekspertët ndërkombëtarë nxorën gurin e urës nga shtrati i lumit dhe e rindërtuan përsëri urën, gur pas guri, si një mister gjigant.
Nuk mund të ishte një urë e re e vjetër. Ajo duhej të ishte Ura e Vjetër e vjetër, tha UNESCO, para se të certifikonte strukturën e rindërtuar si një vend të Trashëgimisë Botërore, pasi u rihap në 23 korrik 2004.
Shpirti i Mostarit u rishfaq në formën e një elegance që harkohej mbi lumë dhe sërish tërhoqi të rinj nga të dyja anët e qytetit, e cila ka mbetur e ndarë midis boshnjakëve dhe kroatëve që nga lufta.
Dhe u rishfaqën sërish – kërcimtarët. Baliç nuk kërceu në ceremoninë e hapjes. Ishte koha për të rinjtë të çonin përpara traditën shekullore.
Ata kërcyen nga ura duke mbajtur pishtarë. Përpara se të hidheshin, ia dorëzuan pishtarët Baliç. Mes tyre ishte edhe Listo.
“Nëse fitoj dhe dy herë të tjera, do të jem si Emir. Do të kemi të njëjtin numër fitoresh të para, të dyta dhe të treta, që të dy në një karrierë 20-vjeçare,” tha Listo.
“Jo, ti duhet ta mundësh rekordin tim,” shtoi Baliç.