Reportazh11 Sep 2017

Zjarret e mistershme shkatërrojnë trashëgiminë kulturore në Bullgari

Një seri zjarresh të mistershme kanë rënë herë pas here në ndërtesat e trashëgimisë kulturore të lëna në harresë në Sofje, duke nxitur dyshime.

Autor: Mariya Cheresheva BIRN Sofje
Printo

Banjat publike të braktisura. Foto: Elena Chochkova (Own work)/CC nga -SA 3.0

Në Sofje, ndërtesat e vjetra historike i quajnë “bukuritë e braktisura” pasi kanë të njëjtën fatkeqësi të prishjes dhe shkatërrimit.

Të lëna për dekada në degradim nga pronarët e tyre privatë ose publikë, ato përballen me një tjetër rrezik – zjarret e shpeshta.

Ndërtesa e fundit që pati këtë fat të keq ishin banjot publike të braktisura por me pamje spektakolare në lagjen Ovcha Kupel të Sofjes.

Pavarësisht se u përzgjodh si vend i trashëgimisë kulturore, ndërtesës i ra zjarr të mërkurën.

Zjarrfikësit mbërritën shpejt dhe shuan flakën duke penguar kështu dëme më të mëdha.

Por disa dyshojnë se ky zjarr – dhe shumë të tjerë – nuk ishin një aksident.

“Nuk ka zjarre rastësore”, tha për BIRN Gergin Borisov nga grupi mbikëqyrës i urbanistikës Të Shpëtojmë Sofjen.

Kabina “Vishneva” e përfshirë nga flakët. Foto: Save Sofia

Ai renditi disa ndërtesa historike, një pjesë e të cilave të përfshira nga mosmarrëveshjet e pronësisë, ose nga planet e rizhvillimit, të cilat “aksidentalisht” morën flakë kohët e fundit.

“Kjo është një metodë. Është mister se si ndërtesat që e mbetura përfshihen nga flakët kaq shpesh,” theksoi ai.

Sipas Girginov, ky shkatërrim i vazhdueshëm i historisë dhe trashëgimisë kulturore të Sofjes mund të parandalohet nëse autoritetet komunale zbatojnë ligjet e trashëgimisë kulturore më efektivisht.

“Ata kanë mjetet ligjore për të shpronësuar monumentet e keqmenaxhuara të kulturës. Por masat nuk janë përdorur as edhe një herë të vetme,” shtoi ai.

Është e paqartë nëse këto ndërtesa të vjetra do të ishin më mirë edhe po të bëheshin pronë e shtetit. Banjat publike të përfshira nga zjarri në Ovcha Kupel nuk lënë të kuptohet kështu.

Për gati dy dekada e mbyllur, këto banja janë pronë e Ministrisë së Shëndetësisë, të njohura për cilësitë medicinale të burimeve të termike, të cilat përdoreshin gjerësisht që nga vitet 1930.

Ministria, e cila pranoi se nuk ka mjetet për të ruajtur pronën, nisi një procedurë për transferimin e pronësisë së saj në bashkinë e Sofjes.

Por procedura ende vazhdon. Ndërkohë, ndërtesa u braktis dhe qe në mëshirë të aksidenteve si zjarri i kohëve të fundit.

BIRN pyeti bashkinë e Sofjes për statusin aktual të banjove publike, për planet e ruajtjes së tyre dhe përdorimin e ndërtesës, si dhe për çdo masë specifike që autoritetet kishin ndërmarrë për të parandaluar aksidentet.

Në kohën e publikimit nuk u mor asnjë përgjigje.

Kjo ishte gjithashtu ndërtesa e fundit që mori flakë në Sofje, duke zemëruar shumë qytetarë për menaxhimin e dobët të pasurive të lashta të qytetit.

Në korrik, po ashtu mori flakë dhe thuajse u shkatërrua kabina e dashur në stacionin e preferuar të tramvajit të Sofjes – “Vishneva” në lagjen Lozenets.

Ndalesa e tramvajit është një pjesë e rëndësishme e peizazhit të qytetit pikërisht për shkak të kabinës, e cila përdorej për të ruajtur mjetet e ndërtimit të punëtorëve të stacionit dhe për të ruajtur bagazhet e pasagjerëve.

Menjëherë pas zjarrit, kryebashkiaku Yordanka Fandakova premtoi se autoritetet komunale do të rikthenin ndërtesën në gjendjen e mëparshme sa më shpejt të ishte e mundur.

E ashtuquajtura “Shtëpia e dyfishtë” në bulevardin Vassil Levski në qendër të Sofjes, megjithatë, kishte më pak fat.

Shtëpia e dyfishtë përpara se të shkatërrohej. Foto: Extinguishing Sofia

Ajo u braktis për dekada dhe pronarët e saj ndryshuan shumë herë. Por, ndërkohë që statusi i saj si një monument kulturor e mbrojti atë nga prishja, ajo ka marrë flakë disa herë.

Në vitin 2016, Ministria e Kulturës mori vendimin kontavers për t’i hequr statusin e mbrojtur.

Kjo vendim i dha mundësinë pronarit të saj, biznesmenit Kiril Kirov, që ta shkatërronte plotësisht në maj, pavarësisht protestave popullore.

Krasimir Georgiev, pronar i ish-kinemasë Vazrazhdane – një monument arkitekturor në Sofjen qendrore – pati plane të ngjashme për pronën e tij.

Në mars të vitit 2016, ai njoftoi një plan për të shembur ndërtesën, e cila ishte diskotekë gjatë dekadës së fundit dhe ndërtoi një të re, duke ruajtur stilin dhe disa prej ornamenteve të kinemasë së mëparshme.

Projekti u bllokua pasi autoritetet shtetërore vendosën se shkelte Ligjin e Trashëgimisë Kulturore.

Në mars, ndërtesa u përfshi nga flakët.

Policia tha se dyshonte te persona të pastrehë që kishin hyrë në ndërtesën e braktisur dhe kishin shkaktuar aksidentin.