Dy persona që dyshohet se kanë ndezur qëllimisht pyllin në Malin e Shëngjinit për të përfituar dru dhe kullotë u arrestua nga policia, por zv.kryeministri Erjon Braçe hodhi dyshime se zjarrvënia ishte bërë me qëllim lirimin e tokës për ndërtime.
Policia e Lezhës njoftoi të shtunën arrestimin e dy personave me akuzën e “Shkatërrimit të pronës me zjarr”. Të arrestuarit një 24-vjeçar i identifikuar me inicialet A.U dhe një 34-vjeçar i identifikuar si M.I., dyshohet se kanë ndezur qëllimisht zjarrin që shkatërroi pjesë të mëdha të pyllit në Malin e Shëngjinit dhe vuri në rrezik banesa e biznese në zonë.
Policia bëri me dije se zjarri ishte i qëllimtë dhe se të ndaluarit synonin të krijonin hapësirë për të prerë dru për shitje dhe hapje kullotash.
“Këta dy shtetas, në bashkëpunim me njëri – tjetrin, rreth orës 21:45 datë 22 gusht, në Malin e Shëngjinit tek ” Lugu i Lemes”, dyshohet që i kanë vënë zjarrin malit me qëllim hapjen e kullotave për bagëtitë dhe prerjen e lëndëve drusore për shitje, zjarr i cili ka marrë përmasa duke djegur disa hektarë bimësi e pisha si dhe rrezikuar banesa e jetë njerëzish”, thuhet në njoftimin e policisë.
Por në një status në faqen e tij zëvendës kryeministri Erjon Braçe hodhi dyshime se zjarrvënia ishte kryer prej personave që kërkonin ta kthenin zonën në truall ndërtimi. “Kurora e Shëngjinit është shkatërruar fiks kështu, nga interesa kriminale horrash që urrejnë pyllin e se paratë i bëjnë nga betoni!”, shkroi Braçe.
Zv.kryeministri aludoi se zjarrvënësit ishin ata që kishin synuar apo synonin të vidhnin pronësinë mbi pyllin, për ta përdorur për ndërtime dhe që tani nuk donin “ta gëzonte kurrkush”. Braçe nuk përmendi emra, por prokuroria e Lezhës dhe ajo e Krimeve të Rënda kanë sekuestruar pas dy hetimeve paralele dhjetra hektarë tokë në këtë zonë të tjetërsuar nga pyll e ranishte në tokë truall.
Në fund të korrikut biznesi i njërit prej denoncuesve të tjetërsimit të pronave në bregdetin e Shëngjinit u dogj nga persona të pa identifikuar. Pjetër Prela i tha BIRN atëherë se dyshonte që zjarrvënësit kishin të bënin me denoncimin e tij ndaj tjetërsuesve të pronës në këtë zonë. Të akuzuar për tjetërsimin janë ndër të tjerë edhe ish-depueti i Partisë Socialiste Arben Ndoka dhe ish-kryebashkiaku i Partisë Demokratike Fran Frroku. Të dy i kanë mohuar akuzat.
Nga ana e saj policia nuk ka bërë me dije motive të tjera për zjarrvënien veç asaj për hapje kullote dhe drurësh zjarri. Ajo njoftoi se materialet procedurale hetimore në ngarkim të të arrestuarve për zjarrvënie të qëllimshme, i ishin referuar Prokurorisë pranë Gjykatës Shkallës Parë Lezhë. Po ashtu policia referoi edhe një person të tretë i cili dyshohet se ka djegur 500 metra tokë të tijën me qëllim pastrimi.
Ndërkohë pas disa më shumë se 24 orësh luftë me flakët vatrat e zjarrit në Malin e Shëngjinit janë vënë nën kontroll, por nuk janë shuar plotësisht. Ushtrisë dhe zjarrëfikësve që ndodhen në vendngjarje u erdhën në ndihmë reshjet e shiut të një natë më parë.
Forcat e ushtrisë vijojnë të punojnë për shuarjen e plotë të zjarrit, i cili gjatë ditës së premte mori përmësa të mëdha duke rrezikuar banesa e biznese.