Analize20 Nov 2017

“Zonja e hekurt” e Turqisë një sfidë për regjimin e Erdoganit

Një parti e re e udhëhequr nga Meral Aksener, një grua e vendosur me prejardhje nga Ballkani, premton të trondisë politikën e Turqisë dhe t’i hapë punë presidentit Erdogan.

Autor: Ekipi i BIRN BIRN Sarajevë, Ankara, Stamboll
Printo

Meral Aksener mbajti një fjalim në vitin 2016 në Ankara. Foto: Yıldız Yazıcıoğlu/Wikimedia

Kundërshtarë të presidentit turk Recep Tayyip Erdogan kanë shpresa se vendi një ditë do të kthehet në formën parlamentare të demokracisë, e cila është hequr pas ndryshimeve të diskutueshme në kushtetutë.

Disa sondazhe, të bëra publike gjatë ditëve të fundit, tregojnë se se Partia e sapokrijuar Iyi (E mirë) ka fituar mjaft mbështetje publike për të sfiduar establishmentin politik aktual.

Partia filloi zyrtarisht vetëm në fund të muajit të kaluar, me sloganin “Turqia do të jetë e mirë” dhe një diell të ndritshëm si logon e saj. Pluralizmi politik, sundimi i ligjit, liria e shprehjes dhe vlerat patriotike janë parimet bazë të saj.

Liderja e saj 61-vjeçar Meral Aksener, një politikane e shquar e krahut të djathtë dhe ish-ministre e brendshme, shihet si një kundërshtare serioze ndaj Erdoganit përpara zgjedhjeve të ardhshme presidenciale në vitin 2019.

Një sondazh i publikuar më 6 nëntor nga SONAR sugjeroi se Partia Iyi të fitonte të paktën 16 për qind të votave në rast zgjedhjesh të menjëhershme.

Ditë më parë, kompania kërkimore “Gezici” vlerësoi gjithashtu se partia mund të fitonte pothuajse 20 për qind të votave, në një kohë kur partitë e tjera kryesore tregojnë rënie të konsiderueshme në renditjet e tyre.

Analistët thonë se partia i bën thirrje njerëzve sepse ajo ofron alternativën e vetme reale për partitë që janë tani në pushtet.

“Partia qeverisëse Drejtësi dhe Zhvillim, AKP, është kampionia e dekadës së fundit në Turqi. Një nga arsyet më të rëndësishme për këtë situatë është se asnjë parti tjetër s’mund të konkurrojë kundër AKP-së. Ka pasur mungesë opozite serioze, kështu që elektorati nuk pati zgjedhje tjetër,” tha për BIRN Gozde Kilic-Yasin, një analiste politike nga Ankaraja.

Anketimet e fundit e tregojnë vetë Aksenerin në vend të dytë pas Erdoganit në zgjedhjet e ardhshme presidenciale që priten të mbahen në vitin 2019.

Kompania “Gzici” sugjeron se në rast zgjedhjesh presidenciale, 38 për qind e votuesve do të votonin për të, vetëm 10 për qind pas 48 për qindëshit që dëshiron të mbështesë Erdoganin.

Pronari i “Gezici”, Murat Gezici, tha për shërbimin turk Sputnik më 1 nëntor se Aksener do të kishte gjasa të rriste sasinë e votave të marra me afrimin e zgjedhjeve sepse ajo kishte marrë një qëndrim shumë të ashpër kundër partisë në pushtet dhe publiku ndjente simpati për të si një grua të ashpër.

“Hulumtimi ynë tregon se gjysma e elektoratit ka pak simpati për Partinë e Mirë, ndërsa Aksener mund të jetë një rivale e madhe kundër j Erdoganit në garën presidenciale. Hulumtimet tregojnë potencial të vërtetë për partinë e re dhe drejtuesen e saj,” tha Gezici.

Disa analistë të tjerë thonë gjithashtu se programi i saj mund t’i bëjë thirrje një numri të madh votuesish. “Aksener mund të jetë rivalja e vetme e Erdoganit dhe Partia e Mirë po mirëpritet nga një numër i madh njerëzish,” tha për BIRN Kursat Guc, një ekspert i politikës turke nga Universiteti i Ankarasë.

Një “Zonjë e hekurt” me një prejardhje nga Ballkani

Aksener lindi në vitin 1956 në qytetin industrial të Kocaelit, nga një familje boshnjako-turke që emigroi fillimisht nga ajo që tani është Maqedonia.

Rajoni i saj i lindjes është shtëpi e shumë njerëzve që u larguan nga Ballkani për në Turqi, me rënien e Perandorisë Osmane – boshnjakë, shqiptarë dhe turq etnik në veçanti.

Ajo filloi të punonte në shërbimin publik, njësoj si shumë fëmijë të tjerë emigrantësh nga Ballkani, dhe u bë mësuese dhe më vonë profesoreshë në universitet.

Në vitin 1994, ajo kandidoi për kryetare në komunën e Kocaelit, por humbi. Disa vjet më vonë, ajo u zgjodh si deputete nga Partia Rruga e Drejtë, DYP, dhe u bë ministre e brendshme e Turqisë gjatë një periudhe turbulencash politike, nga nëntori 1996 deri në korrik 1997.

Pavarësisht kërcënimeve me vdekje për të dhe familjen e saj, ajo qëndroi e fortë kundër ushtrisë, që prej kohësh donte të dominonte politikën turke dhe shkarkoi shumë oficerë të lartë policie dhe guvernatorë, të cilët kishin punuar me regjimin ushtarak gjatë “Memorandumit Ushtarak Turk 1997”.

Aksener fitoi shpejt pseudonimin “Zonja e Hekurt”.

“Ajo u pa si një alternativë në politikën e Turqisë, ku rivalitetet janë mizore dhe ka shumë pak vend për gratë,” theksoi Kursat Guc.

Si anëtare e Partisë së Lëvizjes Nacionaliste të ekstremit të djathtë, MHP, ajo u rizgjodh si deputete në vitin 2007 dhe u bë gruaja e dytë në historinë turke që shërbeu zi v/kryetare e parlamentit.

Gjatë kohës që ajo kaloi në këtë post, ajo meritoi sërish pseudonimin e saj “Zonja e Hekurt” me deklaratat e saj të ashpra publike dhe menaxhimin e seancave parlamentare vërtet me një grusht të hekurt.

Megjithatë, vitin e kaluar, Aksener u përjashtua nga MHP, bashkë me disa anëtarë të tjerë të lartë, pas mosmarrëveshjeve që patën me drejtuesin e partisë, Devlet Bahceli.

Muaj më vonë, mbështetja e Bahcelit për Erdoganin e ndihmoi atë të fitonte referendumin e diskutueshëm dhe ndarës me anë të të cilit Turqia kaloi nga një sistem parlamentar në një sistem presidencial ekzekutiv.

Shërimi i një shoqërie të polarizuar

Partia u themelua më 25 tetor me një premtim për të shkundur mirë politikën e Turqisë. Pesë anëtarë të parlamentit turk të përbërë nga 550 vende e kanë mbështetur që në fillim partinë, ndërsa shumë figura të tjera të njohura publike kanë treguar mbështetjen e tyre për platformën e saj të qendrës së djathtë.

Analistët thonë se një nga asetet kryesore të partisë është gatishmëria e saj për të trajtuar të gjitha këndvështrimet e ndryshme politike të vendit.

“Partia e Mirë synon t’i japë fund polarizimit të shoqërisë, e cila e ka prekur atë për shumë vite. Deri më tani, partia në pushtet e ka ndarë atë në aspektin e grupeve të ndryshme fetare, ideologjisë politike, prejardhjeve etnike madje edhe gjinore, për të konsoliduar bllokun e saj të votimit,” tha Kursat Guc.

Në shfaqjet e saj të para publike si drejtuese e partisë së re, Aksener ka thënë se ajo dëshiron të mbledhë bashkë të gjithë këta njerëz të ndryshëm, të qendrës së djathtë, nacionalistë apo votues demokratikë.

“Ne do t’i japim fund të gjitha ndarjeve në shoqëri, në mënyrë që populli turk të mund të takohet rreth tryezës së Bajramit. Të gjithë do të jemi të mirë dhe të barabartë rreth tryezës,” tha Aksener në vizitën e saj të fundit më 28 tetor.

Fakti që një numër i madh njerëzish të mirëbesuar janë të përfshirë në parti shihet gjithashtu si relevante.

“Shumica e themeluesve të partisë janë luftëtarë të njohur kundër korrupsionit dhe ryshfetit, ose janë fytyra të reja, kështu që niveli i vëmendjes së publikut tek partia e re dhe drejtuesja e saj është i lartë”.

“Megjithatë, ne do të presim zhvillime të ardhshme dhe do të shohim si dalin kandidatët e partisë në zgjedhjet e ardhshme. Shumë gjëra ndryshojnë lehtë në politikën turke,” tha Gozde Kilic-Yasin.

Dhënie fund të prirjes drejt Lindjes së Mesme në politikën e jashtme

Sipas programit të partisë, partia synon të shërojë marrëdhëniet e dobëta të Turqisë me BE-në dhe NATO-n dhe t’i japë fund asaj që e quan “orientim drejt Lindjes së Mesme” të politikës së jashtme, duke iu referuar largimit të Turqisë nga Perëndimi dhe afrimit drejt botës myslimane arabe nën drejtimin e Erdoganit.

“Partia jonë do të ndjekë një politikë të jashtme kombëtare në lidhje me të drejtën ndërkombëtare – të balancuar, të besuar, të qëndrueshme, të orientuar drejt zgjidhjes dhe të shumëfishtë. Vendi ynë do të jetë përsëri në nivelin e qytetërimit bashkëkohor dhe do të shpëtojë nga ky orientim drejt Lindjes së Mesme,” thuhet në program.

Kilic-Yasin beson se nëse Partia e Mirë fiton pushtetin, ajo do të përpiqet patjetër të shërojë marrëdhëniet me Perëndimin, pasi këto marrëdhënie konsiderohen si vendimtare për paqen dhe stabilitetin e të gjithë rajonit.

“Me shumë gjasa, Partia e Mirë do të përpiqet të shmangë manovrat dhe temat e rrezikshme të politikës së jashtme,” tha ajo.

Theksi do të vihet në “axhendën e anëtarësimit në BE dhe rëndësinë e anëtarësimit në NATO. Ballkani, Azia Qendrore dhe Kaukazi do të jenë përsëri në krye të listës së prioriteteve,” shtoi ajo.

Partia e Mirë ka thënë se synon të përqendrohet më shumë te Ballkani, pasi atje “mendjet dhe zemrat e miliona njerëzve janë me Turqinë”.

“Ne s’duhet të harrojmë se Aksener është bija e një familje emigrante nga Ballkani dhe në parti ka shumë anëtarë të tjerë nga diaspora. Këto janë arsye personale për të pritur një politikë aktive ballkanase nga Partia e Mirë,” tha Kursat Guc.

“Aksener beson se marrëdhëniet më të mira me qeveritë rajonale, duke shmangur çdo konflikt dhe lëvizje të rrezikshme, janë në favor të turqve dhe shoqërive të tyre të afërme (siç janë boshnjakët dhe të tjerët) në rajon,” shtoi Guc.

“Ne mund të jemi të sigurt se anëtarët e diasporës ballkanike do të marrin pozicione të larta në parti, kështu që përparësia e çështjeve të Ballkanit do të çonte në një qeveri të mundshme të Partisë së Mirë”.