Lajm1 Nov 2021

Zoran Zaev jep dorëheqjen

Kryetari i Partisë Socialdemokrate të Maqedonisë së Veriut dhe kryeministri Zoran Zaev dha dorëheqjen të dielën në mbrëmje, pasi partia e tij në pushtet humbi në zgjedhjet lokale të së dielës.

Autor: Sinisa Jakov Marusic BIRN Shkup
Printo

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut Zoran Zaev. Foto: Facebook/Zoran Zaev.

Në një fjalim të dielën vonë në mbrëmje, Zoran Zaev tha se po jep dorëheqjen nga posti i tij si kryeministër i Maqedonisë së Veriut dhe si lider i socialdemokratëve, pas humbjes së partisë në Shkup dhe qytete të tjera të rëndësishme përballë VMRO DPMNE-së në zgjedhjet e mbajtura gjatë kësaj fundjave.

“Unë marr përsipër përgjegjësinë për rezultatet e zgjedhjeve. Po jap dorëheqjen time edhe si kryeministër edhe si kryetar i socialdemokratëve”, tha Zaev në një konferencë për mediat në Shkup mbrëmë vonë.

Dorëheqja e tij erdhi menjëherë pasi u bë e qartë se socialdemokratët nuk arritën të përmirësonin rezultatet e tyre në raundin e dytë të zgjedhjeve lokale.

Kandidati për kryetar komune i socialdemokratëve humbi garën në Shkup përballë kandidates Danela Arsovska të VMRO DPMNE-së, si dhe në komuna të tjera të mëdha që janë pjesë e Shkupit.

Ata u mundën edhe në disa qytete të tjera të rëndësishme si Manastir, Ohër dhe Kumanovë.

“Jam shumë i bindur se së bashku me qytetarët progresivë i kemi kthyer vendit tonë lirinë dhe demokracinë. Dhe kur liria dhe demokracia mbretërojnë, rregulli është që duhet të ketë përgjegjësi. Duke marrë përsipër këtë përgjegjësi, dua të lë një gjurmë që qytetarët ta kenë parasysh dhe të rrisin në kapacitetin e tyre demokratik”, tha Zaev.

Duke uruar kundërshtarët e tij, Zaev, megjithatë, u shpreh se mbetet i bindur se vendi nuk ka nevojë të shkojë drejt zgjedhjeve të përgjithshme të parakohshme dhe se shumica që ai gëzon në parlament duhet të vazhdojë pa të.

“Unë do të qëndroj derisa të jem i nevojshëm, që të organizohet një qeveri e re me përkrahjen e shumicës progresive në parlament që është atje dhe mund të bëhet më e madhe”, tha Zaev.

Ligjërisht, kjo do të thotë se i gjithë kabineti qeveritar i Zaevit tani ka dhënë dorëheqjen, por do të vazhdojë të kryejë detyrat e tij derisa kreu i shtetit, Stevo Pendarovski t’ia besojë mandatin një kandidati tjetër, i cili ka mbështetjen e shumicës prej së paku 61 deputetëve në parlament.

Pas fitores së ngushtë në zgjedhjet e përgjithshme të parakohshme në verën e vitit 2020, qeveria e Zaev gëzoi mbështetjen e vetëm 62 deputetëve.

Politikani pro-evropian Zaev u bë kryeministër në mesin e vitit 2017, pas një krize të thellë dhe të zgjatur politike, e cila përfundoi me rrëzimin e ish-liderit autokratik të VMRO DPMNE-së dhe kryeministrit Nikola Gruevski, i cili ndërkohë është arratisur në Hungari.

Gjatë kohës së tij në detyrë, vendi arriti një marrëveshje historike për emrin me Greqinë fqinje, duke zhbllokuar integrimin e bllokuar euro-atlantik të vendit. Në vitin 2020, nën drejtimin e tij, vendi u bë anëtar i NATO-s, por një bllokadë nga Bullgaria për një mosmarrëveshje dypalëshe t bëri që vendi të mos mund të fillonte bisedimet e pranimit në BE më vonë atë vit.

Megjithatë, ai u kritikua ashpër nga shumë prej ish-mbështetësve të tij se nuk bëri mjaftueshëm për të reformuar vendin nga brenda. Opozita e ka akuzuar atë vazhdimisht për tradhti të interesave kombëtare, për korrupsion dhe kohët e fundit për trajtimin e dobët të krizës shëndetësore të koronavirusit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *