Lajm14 Nov 2018

Zvarritet procesi për korrupsion ndaj ish-gjyqtarit të Apelit Shkëlqim Miri

Për shkak të mungesës së prokurorit, avokatit dhe të një prej gjyqtarëve, 10 seancat e fundit në çështjen kundër ish- gjyqtarit Shkëlqim Miri janë shtyrë, duke i dhënë mundësi të pandehurit të përfitoje ulje dënimi nga koha e kaluar në paraburgim.   

Autor: Edmond Hoxhaj BIRN Tiranë
Printo

Në këtë foto arkivë, gjyqtari Shkëlqim Miri po flet për gazetarët pasi fitoi postin e anëtarit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë më 7 dhjetor 2007. Foto: Gent Shkullaku, LSA

Prej datës 9 korrik 2018 deri ditën e mërkurë, procesi gjyqësor ndaj ish-gjyqtarit të Apelit, Shkëlqim Miri është shtyrë plot 10 herë. Sipas grafikut të paraqitur në faqen zyrtare të Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda Tiranë, ky proces gjyqësor e ka kaluar kohëzgjatjen mesatare të një procesi nga 162 ditë në 169 ditë, edhe pse është aplikuar gjykimi i shkurtuar.

Ish-gjyqtari së bashku me kushëririn e tij Kujtim Miri dhe Alban Bucin u arrestuan nga prokuroria për akuzën e korrupsionit pasiv dhe aktiv, pasi sipas prokurorisë kundrejt 30 mijë eurove, ndërhynë për të lënë në fuqi në Gjykatën e Apelit Tiranë dënimin me 8 vite burg për Gentian Dodën, dënim i cili i dha lirinë të akuzuarit për vrasje në Burrel.

Hetimi i prokurorisë nisi pas informacioneve të marra se funksionarë të drejtësisë kanë  favorizuar të pandehurin Gentian Doda i cili ishte dënuar në vitin 2012 me 20 vjet heqje lirie. Doda kishte marrë një ulje dënimi nga Gjykata e Matit dhe më pas trupa gjykuese e Apelit të Tiranës, pjesë e të cilës ishte edhe gjykatësi Miri, la në fuqi dënimin e ri me 8 vjet burg ndaj tij.

Shkëlqim Miri, 46 vjeç, ka pasur një karrierë të gjatë në sistemin e drejtësisë, e cila starton në vitin 1999. Ai më parë ka qenë dhe anëtar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë.

Akuza ndaj ish-gjyqtarit Miri u mbështetën në një sërë përgjimesh dhe më pas në sekuestrimin e sasisë prej rreth 250 mijë eurosh që u gjetën ‘cash’ në shtëpinë e tij. Nga pretenca rezulton se Miri nuk ka mundur të vërtetojë ligjshmërinë e parave që iu kapën. Ai pretendoi se një pjesë e parave, sasia në lekë, i përkisnin babait. Por prokuroria tha se pretendimi nuk qëndronte. Po ashtu sipas prokurorisë as pretendimi se sasia prej 174 mijë eurosh i ishte lënë për investim nga të afërm të bashkëshortes nuk qëndronte.

Kodi Penal parashikon dënime deri në 10 vjet burg, për personat e akuzuar sipas nenin “319 Ç” për “korrupsion  pasiv  i  gjyqtarëve”, por prokurori Klodian Brajo ka kërkuar dënimin e të pandehurit me katër vjet burg, të cilat bazuar në gjykim e shkurtuar reduktohen në 2 vjet e 8 muaj. Çdo ditë e kaluar nga i pandehuri në paraburgim përllogaritet në 1 ditë e gjysmë dënimi dhe zvarritja e procesit gjyqësor e afron ditën e lirimit të ish gjyqtarit.

Tre seanca janë shtyrë për shkak të mos paraqitjes së prokurorit Braho dhe avokatëve mbrojtës. Ndërkohë dy seancat e fundit për pamundësi të formimit të trupit gjykues.  Në të dy seancat ka munguar “me arsye” anëtarja e trupit gjykues Flora Hajredini.

Me datë 9 nëntor 2018 Hajdini është ndodhur për trajnim jashtë shtetit, ndërsa ditën e mërkurë, 14 nëntor kishte marrë leje nga kryetari i gjykatës pasi gjendej në një rast vdekje tek një i afërm.

Më përpara, në seancën e datës 9 korrik 2018, gjykata ka vendosur ta shtyjë procesin për t’ dhënë kohë prokurorit të njihet plotësisht me çështjen. Ndryshe, seanca e datës 18 korrik është shtyrë në pritje të disponimit nga një gjyqtar tjetër i kësaj gjykate mbi kërkesën për përjashtim të paraqitur nga prokurori.

Ky i fundit ka kërkuar shtyrjen më datë 24 korrik 2018 për të përgatitur dhe paraqitur konkluzionet përfundimtare me shkrim dhe më datë 31 të po këtij muaji nuk është paraqitur në gjykatë.

Më datë 17 shtator 2018, prokurori Klodian Braho i ka paraqitur gjykatës konkluzionet përfundimtare duke kërkuar dënimin e ish-gjyqtarit Miri me 2 vjet e 8 muaj burg dhe konfiskimin e 30 mijë eurove për cilat akuzohet se i kishte marrë në formë ryshfeti për të lehtësuar një të dënuar për vrasje. Më datë 2 tetor seanca është shtyrë sërish për ti dhënë kohë avokatit të përgatisë konkluzionet përfundimtare, dhe më datë 15 tetor për mos paraqitje të të pandehurit.

Mungesa e prokurorit, avokatëve mbrojtës dhe një anëtari të trupës gjykuese gjatë tre seancave të fundit e ka bërë të pamundur deri tani dhënien e konkluzioneve përfundimtare të mbrojtjes së ish-gjyqtarit Miri dhe seanca e radhës është lënë data 21 nëntor, ora 11:00.