Lëvizja Rinore Egjiptiane e Rome paditi qeverinë pasi prej dy vjetësh ka “harruar” të miratojë vendimet dhe kriteret për statusin e “klientit në nevojë”, që do të mbronin familjet në minimumin jetik nga ndërpreja e energjisë elektrike. Ministritë përgjegjëse, edhe pas dy vitesh nuk janë të qarta se kush duhej të ndërmarrë nismën për miratimin VKM-së.
Familja prej pesë anëtarësh e Rapush Rrapushit jeton pa energji elektrike prej Janarit në një shtëpi përdhese me dy dhoma në lagjen “Beqir Dardha” të Elbasanit, ku pajisja e vetme elektrike është një televizor i vjetër.
Ajo përdor një sobë druri për ngrohje dhe një furnelë gazi për gatim, e megjithatë, kryefamiljari Rrapushi ankohet se nuk kishte mundësi të paguante faturat e kripura të OSHEE-së ndaj edhe ia prenë energjinë.
“Tre deri në katër mijë lekë çdo muaj”, thotë Rrapushi, ndërsa shton se faturës duhej t’i shtonte edhe 1 mijë lekë pas një akt-marrëveshjeje të mëparshme me kompaninë për detyrimet e papaguara. “Ne marrim vetëm 5 mijë lekë përkrahje. Nuk na del as për bukë”, shton ai.
Vështirësitë e familjeve në kushte të ngjashme me atë të Rrapushit ishin parashikuar që në vitin 2015, kur parlamenti miratoi ligjin “Për sektorin e energjisë elektrike”. Në nenet 95 dhe 96, ligji parashikon mbrojtje për familjet që do të përfitonin statusin e “klientit në nevojë”, ndërsa emrat e tyre do të duhej t’i kalonin OSHEE-së për trajtim të diferencuar përmes një regjistri të veçantë.
Por kjo e drejtë ligjore nuk zbatohet pasi qeveria nuk ka nxjerrë ende aktet nënligjore dhe VKM-në që përcakton kriteret për të përfituar statusin e “klientit në nevojë”.
Gentian Serjani, aktivist i Lëvizjes Rinore Egjiptiane dhe Rome, i cili po ndjek këto raste i tha BIRN se organizata që ai përfaqëson e ka paditur qeverinë në Gjykatën Administrative për zvarritjen e vendimit të mësipërm, çka sipas tij ka penalizuar shumë familje të komunitetit që ai përfaqëson. “Qindra familje të komunitetit në Elbasan dhe qytete të tjera nuk kanë mundësi që të përballojnë faturat e energjisë dhe as marrëveshjen që kanë bërë për pagesat e prapambetura me OSHEE-në,” tha Serjani për BIRN.
Serjani thotë se nxjerra e këtyre akteve do të ishte zgjidhje për familjet e varfra, të cilat më pas do të kishin furnizim universal, të paktën për ndriçim dhe nevoja bazike. Në padinë e dorëzuar në Gjykatën Administrative, Lëvizja Rinore Egjiptiane dhe Rome kërkon që qeveria të nxjerrë aktet nënligjore të premtuara dhe të shmangë situatën diskriminuese për qytetarët e këtij komuniteti.
Të pyetura nga BIRN, dy nga ministritë përgjegjëse pranuan se vendimi ende nuk ka dalë, ndërsa bënë me përgjegjësi njëra-tjetrën se kush duhej të ishte iniciues.
E pyetur nga BIRN për mungesën e VKM-së, Etiola Kola, këshilltare për mediat në Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale (MShMS) iu referua VKM-ve të nxjerra para ligjit të vitit 2015, që rregullojnë kompensimin e çmimit të energjisë për disa kategori pas heqjes së fashës 300 KWH në muaj.
Sa i përket ligjit të prillit 2015, i cili ngarkon me detyrë MShMS, ministrinë e Financave dhe atë të Energjitikës për të nxjerrë aktet nënligjore, përfshi kriteret e përfitimit të statusit të klientit në nevojë, ajo tha se detyrimi për të iniciuar VKM-të i takonte Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë.
“Për çdo ndryshim, nisma merret nga MIE”, tha Kola.
Nga ana tjetër, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjitikës i bëri me dije BIRN se “nisma për këtë VKM duhej të shkonte si bashkëpropozim nga tre ministritë e përmendura në ligj” për të nxjerrë VKM-në, por sipas tyre është Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale që duhet të iniciojë punën.
Për të zbutur efektet e pagesave të prapambetura të energjisë, OSHEE aplikoi akt-marrëveshjet me debitorët mbi një plan shlyerjesh me këste të shtrira në kohë. Megjithatë, mijëra familje kanë dështuar sërish t’u përmbahen kushteve të nënshkruara.
Zëdhënësi i OSHEE, Ardi Kola i tha BIRN në një përgjigje me shkrim se janë anuluar 6657 akt-marrëveshje të institucionit me debitorët. Anulimi i aktmarrëveshjes nënkupton për shumicën e këtyre familjeve edhe ndërpreje të furnizimit me energji, qoftë edhe vetëm për ndriçim apo nevoja bazike.
Dhjetra klientë të tjerë të OSHEE-së janë në fije të perit. Violeta Veshi, kryefamiljare, thotë se vazhdon të paguajë me vështirësi detyrimet e aktmarrëveshjes së lidhur me OSHEE-në.
Ajo thotë se borxhi i saj u krijua prej një gjobe 135 mijë lekëshe të vendosur në dhjetor të vitit 2011, të cilën së bashku me faturat e prapambetura sipas aktmarrëveshjes ajo duhet t’i shlyejë edhe për 360 muaj, pasi ka paguar për 20 muaj deri tani. E vetme, me vajzën me probleme të theksuara shëndetësore, Violeta ka frikë se po vjen momenti kur nuk do të ketë mundësi të paguajë faturën e saj.
Ajo ankohet se gjoba ndaj saj ka qenë e padrejtë dhe se ka një procesverbal që thotë se matësi i energjisë nuk kishte pasur probleme. Ankesat e saj kanë rënë deri tani në vesh të shurdhër. Për qytetarë si Rrapushi apo Veshi, statusi i klientit në nevojë konsiderohet shpëtim, pasi do të kishin energji për nevojat e tyre bazike. Një rregullore e Entit Rregullator të Energjisë, e nxjerrë për konsultim në Janar parashikon që familjet me statusin e “klientit në nevojë” nuk mund t’u ndërpritet energjia elektrike pa të paktën dy njoftime e paralajmërime me shkrim dhe disa përpjekje të tjera për t’i ndihmuar ata që të paguajnë faturat e prapambetura apo energjinë mujore që konsumojnë.
Por që të vendoset në zbatim rregullorja e ERE që ofron njëfarë mbrojtje për këto familje, duhej që më parë qeveria të miratonte me vendim të saj se cilat familje do përfitonin statusin e klientit në nevojë dhe po ashtu t’i dërgonte OSHEE-së një listë me këto familje që përfitojnë mbrojtje për shkak të kushteve sociale në të cilat ndodhen.
Në pritje që qeveria të kujtohet për VKM-në, shtëpia e Rrapushit është në errësirë. Kryefamiljari thotë se nuk gjen dot punë dhe nuk ka as ku merr borxh për të shlyer faturat. “Duam të paktën ndriçim pasi kemi dhe fëmijë të sëmurë. Me asistencë për 5 veta, nuk kam mundësi të paguaj,” përfundon ai.