Dy zyrtar të Këshillit të Qarkut dhe një qytetar u arrestuan me akuzën e falsifikimit të dokumenteve të një prone në Dhërmi, ndërsa dyshohet se inskenuan grabitjen në zyrat e tyre.
Policia e Vlorës arrestoi të premten tre persona që dyshohet për falsifikim të dy Akteve të Marrjes së Tokës në Pronësi në Dhërmi. Ndër të arrestuarit është Drejtori i Drejtorisë së Administrimit dhe Mbrojtjes së Tokës, në Këshillin e Qarkut të Vlorës Bardhyl Gjika dhe specialisti i kësaj drejtorie Kreshnik Mino dhe një qytetar i identifikuar si Spiro Duni.
“Nga hetimet ka rezultuar se shtetasi B. Gj, me detyrë Drejtor i Drejtorisë së Administrimit dhe Mbrojtjes së Tokës, pranë Këshillit të Qarkut Vlorë, në bashkëpunim me specialistin e kësaj drejtori shtetasin K. M, dhe shtetasin S. D, dyshohen se kanë falsifikuar formularët e AMTP dhe Formularin nr.6 për regjistrimin e një pasurie (truall), në fshatin Dhërmi”, thuhet në njoftimin e policisë.
Hetimet për falsifikimin kishin filluar muaj më parë dhe policia e prokuroria dyshojnë se Bardhyl Gjika dhe specialisti Kreshnik Mino, inskenuan vjedhjen e disa ditëve më parë të dokumenteve për pronat në zyrat e tyre pasi prokuroria kishte kërkuar sekuestrimin e tyre për shkak të këtij hetimi.
Dy zyra të Administrimit dhe Mbrojtjes së Tokës në Këshillin e Qarkut Vlorë u thyen dhe u grabitën të martën në 12 tetor dhe në to u morën dokumente në lidhje me pronat në bregdet.
I arrestuari këtë të premte Bardhyl Gjika, drejtor i drejtorisë së Administrimit dhe Mbrojtjes së Tokës i pyetur nga mediat pas grabitjes pretendoi se vjedhësi kishte hyrë nga dritarja dhe kishte dalë me pas nga dera kryesore. Gjika tha atëherë se nuk e dinte se çfarë ishte vjedhur.
Pronësia në bregdet është burim i vijueshëm konfliktesh në Vlorë. Për shkak të përplasjeve për pronat kryesisht në rivierë ku po ndërtohen ndërkohë një sërë resortesh luksoze Agjencia Shtetërore e Kadastrës në Vlorë ka ndërruar 10 drejtues në dy vitet e fundit.