Lajm8 Oct 2018

Zyrtarisht ekonomia po rritet, por shqiptarët janë më të mërzitur se kurrë

Lajmet pozitive të prodhuara nga institucionet shtetërore mbi ecurinë e ekonomisë gjatë muajve të fundit janë të shumta, nga rritja ekonomike te papunësia e ulët. Por bizneset dhe konsumatorët janë sot më të trishtuar se kurrë që nga viti 2013.

Autor: Gjergj Erebara BIRN Tiranë
Printo

Treguesi i Ndjesisë Ekonomike

Zyrtarisht ekonomia shqiptare në tremujorin e dytë të këtij viti u rrit me 4.3% ndërsa ishte rritur në tremujorin e parë me 4.5% në terma realë. Instituti i Statistikave ka ndërprerë ndërkohë publikimin e të dhënave të detajuara mbi PBB nominale dhe treguesin e deflatorit, duke e bërë të pamundur të shihet ecuria e PBB-së nominale.

Gjithsesi, rritja në gjashtëmujorin e parë të këtij viti është më e larta e regjistruar në ekonominë shqiptare që nga viti 2009.

Paralelisht me rritjen ekonomike, INSTAT raporton se norma e papunësisë ra në tremujorin e dytë në 12.4%, shifra më e ulët që nga koha e rënies së komunizmit. Dhe treguesi i pjesëmarrjes në forcat e punës është rritur në nivelin më të lartë në shumë kohë. [Link]

Pavarësisht këtyre lajmeve pozitive, një anketë tremujore e kryer nga Banka e Shqipërisë tregon pikërisht të kundërtën. Treguesi i Ndjesisë Ekonomike, i cili llogaritet duke pyetur bizneset e konsumatorët si si e vlerësojnë gjendjen e ekonomisë dhe çfarë presin prej saj, ka rënë për tre tremujorë me rradhë dhe aktualisht gjendet në të njëjtën kuotë që gjendej në vitin 2010.

“Treguesi i ndjesisë ekonomike (TNE) rezultoi në vlerën 102.1, duke shënuar një rënie me 4.0 pikë gjatë tremujorit të tretë të vitit 2018,” shkroi Banka e Shqipërisë.” Ecuria e treguesit reflektoi si rënien e besimit të biznesit, ashtu edhe të konsumatorëve,” vijon raporti.

Të gjithë përbërësit e besimit të biznesit kanë pësuar rënie të shpejtë gjatë këtij viti, pavarësisht se ekonomia zyrtarisht po rritet. Treguesi i besimit në Industri dhe ai në sektorin e Shërbimeve pavarësisht rënieve gjatë këtij viti, vijojnë të jenë në një nivel më të lartë se sa mesatarja historike ndërsa treguesit e besimit në ndërtim, tregi dhe ai i besimit të konsumatorëve kanë rënë poshtë mesatares historike.

“Treguesi i besimit në sektorin e ndërtimit (TBN) ra me 1.9 pikë përqindje gjatë tremujorit të tretë, duke vijuar prirjen rënëse të tre tremujorëve të mëparshëm. Kjo tendencë e ka zhvendosur treguesin rreth 9.6 pikë përqindje poshtë mesatares historike të tij,” thotë BSH.