VI. RAPORTIMI I NGJARJEVE KRIMINALE

Raportimi i ngjarjeve kriminale përbën pjesën më të madhe të informacionit aktual në mediat qendrore dhe lokale në Shqipëri. Lajmet merren kryesisht nga institucionet e policisë dhe prokurorisë dhe lidhen me aksidente, raste krimi, raste trafikimi të qenieve njerëzore, incidente të dhunshme, dhunë brenda familjes apo abuzime ndaj minorenëve. Shpesh, ato mund të kenë si subjekte fëmijët, gratë, grupe vulnerabël, pakica të ndryshme. Në rastet e raportimit të lajmeve nga policia, saktësia dhe vërtetësia merr rëndësi të veçantë.

Në shumë raste, këto lajme kanë të bëjnë direkt me jetën e qenieve njerëzore, dinjitetin dhe personalitetin e tyre, ndaj vërtetësia është primare.
Parimet bazë që udhëheqin punën e gazetarit që raportimin lidhur me krimin:

  • • Vërtetësia
  • • Verifikimi në disa burime të pavarura
  • • Paanshmëria
  • • Prezumimi i pafajësisë
  • • Balanca mes interesit publik dhe mbrojtjes së privatësisë

Praktika e zyrave të shtypit të policisë është që në rastet kur personat e ndaluar/arrestuar apo përfshirë në një vepër penale janë nën 18 vjeç, jepen vetëm inicialet. Kjo ndodh edhe në rastet kur personat procedohen në gjendje të lirë.
Në raste të tjera, gjatë raportimit mund të përfshihen fëmijët apo grupe vulnerabël. Problemet që hasen më shpesh në këtë drejtim janë:

  • • Zbulimi i identitetit të fëmijëve
  • • Identifikimi i vendndodhjes së tyre
  • • Publikimi i fotove te fëmijëve
  • • Identifikimi i personave të afërm të fëmijëve, që mund të çojë në identifikim të fëmijëve

Gjatë raportimit të rasteve të tilla, media lokale në disa raste ka zbuluar identitetin e minorenëve, inicialet apo ka publikuar e transmetuar pamje të tyre.

6.1 Verifikimi informacionit

Informacionet konfliktuale nga burime të ndryshme, të qëllimshme ose jo, mbeten një sfidë e vazhdueshme për gazetarët që raportojnë nga policia. Institucionet që ofrojnë informacionin, por edhe vetë gazetarët dhe redaksitë e tyre i japin rëndësi të madhe shpejtësisë së informacionit. Për këtë arsye, nxitimi për të dhënë lajmin e parë çon shpesh në zbulimin e identitetit, publikimin e emrave apo të dhënave të tjera personale në media. Shpesh gazetarët nuk këmbëngulin në verifikimin e lajmit në dy ose më shumë burime. Raportimi kontradiktor, i paverifikuar dhe i pakujdesshëm krijon konfuzion te publiku dhe nuk i shërben interesit të tij.

Në kohën e sotme, media favorizon shpejtësinë ndaj vërtetësisë kur vjen puna në dhënien e informacionit. Përgjegjësia bie gjithashtu te redaksitë të cilat mund ta kenë harruar se nxitimi i të dhënit lajmin të parët, mund të ketë pasoja negative nëse informacionet që jepen janë të gabuara. Kjo bën që besimi i publikut ndaj medias të lëkundet.

Për këtë arsye del e nevojshme t'i kushtohet një rëndësi e veçantë verifikimit të informacionit në disa burime dhe konfirmimit të tij final, para publikimit apo transmetimit. Gazetarët e kronikës, sidoqoftë, thonë se në rastet e lajmeve nga policia është e vështirë të sigurohen dy ose më shumë burime.

Gazetari duhet të:

  • 1. Të sigurojë material të dorës së parë;
  • 2. Të kontrollojë të gjitha faktet;
  • 3. Të vlerësojë origjinalitetin dhe vërtetësinë e çdo prove të dhënë apo materiali dixhital;
  • 4. Të balancojë akuzat duket patur gjithnjë të pranishme edhe palët e tjera në histori.

Gjithnjë duhet të kemi parasysh se në përmbajtjen e lajmeve që botojmë apo transmetojmë, vërtetësia ka vlerë më shumë sesa shpejtësia. Një gjë e tillë përbën edhe bazën e besimit të audiencës ndaj medias. Kujdes në raportim nuk do të thotë vetëm të mbledhësh faktet dhe t'i pasqyrosh ato siç duhet. Historia duhet të jetë e balancuar dhe të mos anojë nga njëra anë.

Nëse ka një çështje që janë të diskutueshme, duhet të mblidhen edhe opinione të ndryshme veç fakteve. Kur është e nevojshme, të gjitha faktet dhe informacioni i mbledhur duhet të peshohen në mënyrë që audienca të mos keqdrejtohet apo keqinformohet.

6.2 Sekreti hetimor

Dy institucionet që dokumentojnë ngjarjet dhe aktivitetin kriminal në vend janë policia dhe prokuroria. Në momentet e para, pas regjistrimit të një ngjarje kriminale, këto institucione janë përgjithësisht të kufizuara në informacionin që i tejçojnë publikut, duke ruajtur sekretin e akteve hetimore.

Sekreti hetimor rregullohet nga neni 279 i Kodit të Procedurës Penale, sipas të cilit veprimet hetimore paraprake konsiderohen sekrete derisa i pandehuri të ketë marrë dijeni për to. Megjithatë, sipas këtij neni Prokurori mund të lejojë, me vendim të arsyetuar, publikimin e akteve të veçanta ose pjesë të tyre.

Publikimi i akteve hetimore gjatë hetimeve paraprake nga gazetarët behët shpesh shkak për tensione ndërmjet tyre dhe institucioneve të prokurorisë dhe policisë. Gjatë viteve të fundit, publikimi nga ana e gazetarëve të ndryshëm i akteve hetimore, është bërë shkas për fillimin e disa procedimeve penale nga ana e prokurorisë për nxjerrje të sekretit hetimor – hetime të cilat nuk kanë konkluduar në të pandehur të proceduar penalisht.

Përgjithësisht, hetimet për nxjerrje të sekretit hetimor nga prokuroria nuk kanë pasur si shënjestër primare gazetarët që mund i kanë publikuar lajmet e rrjedhura, por megjithatë këta të fundit janë marrë shpesh në pyetje si persona që kanë dijeni për një vepër penale, dhe në rastin e gazetarit investigativ Artan Hoxha, në shtator 2016-të, i janë sekuestruar aparatet celularë me qëllim identifikimin e autorit të rrjedhjes së informacionit që mbrohej nga sekreti hetimor.

Gazetarët duhet të rezervohen nga publikimi i akteve hetimore gjatë hetimeve paraprake në qoftë se nuk ka një interes të qartë publik, që këto akte të bëhen publike dhe audienca e gjerë të informohet mbi to. Gjatë publikimit të të dhënave nga hetimet paraprake, gazetarët duhet marrin në konsideratë ndikimin që publikimi i tyre do të ketë në hetimin e çështjes, ndikimi i mundshëm te viktimat e krimit, privatësia e tyre dhe informacioni që të dyshuarit mund të marrin mbi veprimet e policisë gjyqësore dhe të prokurorisë.

Në përgjithësi, një gazetar dhe redaktor i përgjegjshëm, do të vendoste të publikonte të dhëna nga hetimet paraprake, vetëm nëse një publikim i tillë do të ishte qartësisht në interesin publik, në atë masë sa të mbizotëronte mbi ndikimin që një publikim i tillë mund të ketë mbi hetimin. Një rast i qartë kur një veprim i tillë do të justifikohej është kur gazetari ka siguruar informacion se veprimet e organeve ligjzbatuese ose të Prokurorisë nuk kanë si qëllim zbardhjen e të vërtetës ose kufizohen nga interesa politikë, komericalë dhe privatë.

Rasti i Artan Hoxhës, konfiskimi i telefonave celularë

Gazetari investigativ Artan Hoxha u shoqërua në zyrën e Prokurorisë së Krimeve të Rënda më 16 shtator 2016, menjëherë pas një programi televiziv gjatë të cilit ai zbuloi informacione lidhur me një hetim në proces. Ai u lirua menjëherë pas procedurës së marrjes në pyetje.
Hoxha ishte një nga pjesëmarrës në një emision televiziv lidhur me rrëzimin e një avioni të vogël që drejtohej nga një pilot italian 69-vjeçar. Avioni bëri ulje të detyruar në një fshat në Durrës për shkak të një problemi teknik. Gjatë emisionit televiziv, Hoxha tha se policia kishte dyshime që avioni të ishte përdorur për trafikimin e mundshëm të drogës.
Pas programit televiziv, Hoxha u shoqërua nga oficerët e prokurorisë së krimeve të rënda me dyshimin se ai kishte zbuluar sekretin hetimor. Gazetari tha se informatat ishin zbuluar gjatë marrjes së pyetje të pilotit nga oficerët e prokurorisë së krimeve të rënda. Ai deklaroi se informatat i ishin dërguar atij me SMS. Sipas prokurorisë, zbulimi i informacionit për publikun konsiderohet si zbulim i sekretit hetimor dhe u hap rrugë personave të dyshuar të prishin provat. Në momentin e shoqërimit, Hoxha tha se nuk e dinte se informacioni që kishte zbuluar për media ishte sekret shtetëror apo pjesë e një hetimi sekret. Unioni i Gazetarëve publikoi një deklaratë ku thuhej se "po e ndiqte me shqetësim këtë çështje dhe u bën thirrje autoriteteve të sqaronin arsyet e kësaj procedure ndaj gazetarit".

6.3 Parimi i pafajësisë

Prezumimi i pafajësisë është një ndër parimet bazë të së drejtës. Mosrespektimi i këtij parimi është kthyer tashmë në një prej problemeve më të shpeshta që evidentohet në raportimin e lajmeve që vijnë nga policia, prokuroria dhe gjyqësori.

Shpesh gazetarët i referohen të akuzuarit apo të dyshuarit kryesor për një vepër penale si autor i saj. Shumë prej gazetarëve shprehen se prej informacioneve të siguruara nga policia ka një tendencë për të theksuar se “autori” i një ngjarjeve kriminale është ndaluar apo arrestuar. Kjo tendencë i orienton gazetarët drejt nxjerrjes së një përfundimi mbi ngjarjen edhe pse ata nuk i zotërojnë të gjitha faktet.

Në raste të tjera, gazetarët ndihen nën presion për t’i dhënë publikut informacion që do t’i shërbente apo do të tërhiqte vëmendjen e tij. Ndalimi apo arrestimi “i autorit” tërheq vëmendjen shumë më tepër sesa arrestimi i “të dyshuarit”.

Në këtë drejtim, shpesh reporterët e rinj kanë nevojë për më shumë orientim e njohuri ligjore lidhur me këto koncepte bazë si dhe ndërgjegjësim për respektimin e Kodit të Etikës apo parimeve editoriale, qe janë specifikë e medias ku punojnë.

Gazetarët luajnë rol të rëndësishëm në mënyrën dhe formën me të cilën qytetarët informohen për krimet në shoqëri dhe proceset gjyqësore. Raportimet mediatike të krimeve zakonisht tërheqin vëmendje të madhe të publikut dhe ekziston rreziku që për shkak të raportimeve të rrezikohet e drejta e prezumimit të pafajësisë së personave të përfshirë në raste të ndryshme. Në këtë kontekst, është më rëndësi të theksohet se gazetari duhet të udhëhiqet nga parimi se nuk është detyrë e tij të vendosë se kush është fajtori por ai duhet të paraqesë faktet e rastit dhe zhvillimin e procesit ashtu siç është.

Kjo detyrë nuk është e lehtë për shkak se kërkohet njohuri e sistemit gjyqësor dhe e terminologjisë juridike. Rreziku për gazetarë gjatë raportimit të krimeve është më i lartë për shkak se një gabim në terminologji mund të rezultojë në shpifje dhe shkelje të së drejtës së prezumimit të pafajësisë. Për shembull, nëse një i dyshuar paraqitet në media si i akuzuar, ky gabim mund të përbëjë bazë për padi të suksesshme për shpifje dhe shkelje të së drejtës për proces të rregullt gjyqësor. Për këtë arsye, në këtë manual ofrohen disa terma juridike bazike të nevojshme për gazetarët që raportojnë nga gjykatat.

I dyshuar është personi për të cilin policia ka dyshim të arsyeshëm se ka kryer vepër penale, por kundër të cilit procedura penale ende nuk ka filluar zyrtarisht.

Ndalimi bëhet kur ka shkaqe të bazuara për të menduar se ka rrezik ikjeje pse të shkatërrimit të provave dhe prokurori urdhëron ndalimin e personit që dyshohet për një krim. Edhe policia mund të ndalojë një person me inciativën e vet, kur nuk është e mundur për shkak të gjendjes së ngutshme të pritet urdhri i prokurorit.

I arrestuar është personi që kapet në flagrancë për një krim me dashje, të kryer ose të mbetur në tentativë. Arrestimi mund të bëhet nga policia të cilët duhet të njoftojnë menjëherë prokurorinë.

I pandehur - një person merr cilësinë e të pandehurit nëse i atribuohet vepra penale me aktin e njoftimit të akuzës. Cilësia e të pandehurit ruhet në çdo gjendje dhe shkallë të procesit derisa të ketë marrë formë të prerë vendimi i pushimit të akuzës, i pafajësisë ose i dënimit. Cilësia e të pandehurit rimerret kur prishet vendimi i pushimit ose kur vendoset rishqyrtimi i procesit.

I dënuar është personi për të cilin me vendim të formës së prerë të gjykatës është vërtetuar se është fajtor për kryerjen e veprës penale.

I dëmtuar është personi të cilit çfarëdo e drejte personale ose pasurore i është shkelur ose i është rrezikuar me veprën penale.

Rasti i Ilia Bashos

Në shkurt të vitit 2012, emri i Ilia Bashos, në atë kohë i akuzuar për vrasjen e bashkëshortes së tij, Eleni Basho, u përmend nga media si autor i krimit [i] . Gjatë gjithë raportimit lidhur me këtë rast, Basho ishte identifikuar nga media si autor. Gazetarët thanë se i ishin referuar një deklarate për shtyp të policisë më 2 Shkurt 2012, ku Basho raportohej si autor i krimit.
Në Maj 2014, Basho u lirua nga burgu për mungesë provash. Vazhdimi i kësaj historie nuk është ndjekur nga afër dhe mbuluar nga media.
Sipas Kodit të Procedurës Penale [ii] , çdokush duket të respektojë parimin e prezumimit të pafajësisë. Deri në momentin e dhënies së vendimit të formës së prerë nga gjykata, personi i akuzuar duhet të konsiderohet “i akuzuari” apo “i dyshuari”.

6.4 Ndikimi te publiku

Kur raportojmë lidhur me krimin duhet të konsiderojmë gjithnjë impaktin që do të kemi te audienca. Raportimi mbi krimin synon t’i japë audiencës faktet. Por në asnjë mënyrë ai nuk duhet të bëhet shkak për shtimin e frikës se njerëzit mund të bëhen viktimë e krimit.

Raportimi për faktet lidhur me kriminelët mund të përfshijë detaje nga jeta, rrethanat e tyre familjare. Në fakt, duhet të evitojmë lavdërimin e tyre, por edhe nuk duhet të nënkuptojmë faktorë pa pasur fakte.

Kur intervistojmë personat përgjegjës për krime, kjo mund të shkaktojë dhimbje dhe stres për viktimat apo të afërmit ndaj duhet pasur kujdes pala tjetër të jetë informuar dhe të mos ndihet e lënë jashtë raportimit. Nëse është e mundur të përdoret një ndërmjetësues si punonjësit e policisë apo stafi i shërbimit social, mund të bëhet por është përgjegjësia e gazetarit të kontaktojë me familjarët e viktimave dhe të verifikojë nëse ata janë informuar si duhet.

Përdorimi i materialeve arkivore në rastin e krimit, duhet të jetë shumë i kujdesshëm. Ai kërkon një gjykim të kujdesshëm editorial për të evituar probleme të reja.

Rindërtimet e ngjarjeve mund të jenë të rëndësishme për të kuptuar faktet dhe historinë. Gjithsesi ato duhet të kufizohen në drejtimin e publikut drejt një kuptimi të caktuar. Faktet janë më interesante dhe te ato duhet të jenë e bazuar historia.

Kur rindërtojmë historinë e një krimi për programet/faqet e lajmeve duhet të kemi parasysh se rindërtimi duhet të bazohet mbi ato çfarë dimë dhe jo mbi spekulime apo detaje të pabaza.

Rasti i krimit ‘monstruoz’ në Himarë

Një prej rasteve më tronditëse për publikun ishte raportimi dhe publikimi i pamjeve të rënda pas vrasjes së një 12 vjeçari në fshatin Palasë të Himarës në gusht 2016 [iii] . Materiale filmike të transmetuara përmbanin pamje të rënda dhe ishin në shkelje të parimeve profesionale, si dhe normave etike dhe morale.

Sipas Kodit Shqiptar të Etikës, çdo produkt mediatik që promovon luftën, dhunën, zemëratën apo lëndon ndjenjat e publikut në tërësi ose veçanti është rreptësisht i ndaluar. Dhuna dhe mizoria nuk duhet të përdoren për sensacion. Raportimi duhet të mbajë parasysh nevojën për të mbrojtur fëmijët. Gjatë raportimit lidhur me krimet e kryera nga të rinjtë apo procedimit të tyre penal, shtypi duhet të mbajë parasysh konsideratën për të ardhmen e fëmijës. Ky rekomandim vlen edhe gjatë raportimit lidhur me viktimat e krimit të kryer nga të rinjtë.

Është një praktikë e mirë që para shkrimit të një historie, sidomos në rastin kur ajo ka karakter investigativ, të kërkohet miratimi editorial dhe të bëhet këshillimi ligjor lidhur me pyetjet e mëposhtme:

  • • Cila është mënyra për të proceduar?
  • • Cilat janë faktet?
  • • Cila është e mira e përdorimit të informacionit të siguruar në mënyrë sekrete?
  • • A janë burimet konfidenciale apo a mund të ruhet konfidencialiteti i tyre?
  • • Cilat janë pasojat e veprimeve tona?

Portretizimi

Aktivitetet e paligjshme si përdorimi dhe trafikimi i drogës nuk duhet të portretizohen si ngjarje pa probleme apo raste të lavdishme. Mund të jetë e përshtatshme që gjatë raportimit të reflektohen pasojat negative të aktiviteteve të tilla si dhe të nënvizohet fakti se ato janë të paligjshme.

Çdokush që pranon të kryejë apo ka kryer një akt të paligjshëm mund të procedohet penalisht. Shënimet, ditarët apo informacione ende të pabotuara mund të konfiskohen nga policia me urdhër të gjykatës. Ky material mund të paraqitet edhe si provë në gjykatë.

Në rastet kur ka një shkelje të dukshme të ligjit që bëhet pjesë e një historie apo debati publik, redaktorët duhet të konsiderojnë përgjegjësinë e tyre për të reflektuar debatin apo evente në tërësi dhe të mos publikojë materiale të tilla.

Miratimi për të regjistruar një aktivitet të paligjshëm mund të jepet vetëm në rastin kur ai është në interes publik.

6.5 Kujdesi për fëmijët

Gjatë raportimit të krimit apo rasteve gjyqësore, shpesh mund të përfshihen në histori fëmijët si viktima apo të lënduar apo në role të tjera. Identifikimi i fëmijëve, familjeve të tyre apo vendit ku banonin në media është hasur vazhdimisht në të përditshmet shqiptare apo televizionet.

Diskutimet me gazetarë tregojnë se tashmë ka një ndërgjegjësim gjithnjë e më të madh lidhur me mbrojtjen e fëmijëve gjatë publikimit të informacioneve rreth tyre në media.

Megjithatë ka edhe raste të tjera në të cilat për shkak të shpejtësisë së dhënies së informacionit dhe një gare të brendshme mes gazetarëve të kronikës, apo edhe për shkak të moskonsultimit me kodin e etikës apo në mungesë të parimeve editoriale, të dhënat apo fotot e fëmijëve publikohen.

Praktikat e mira apo parimet profesionale editoriale parashikojnë mbrojtje të veçantë për fëmijët, duke evituar publikimin e fotove, identitetit e të dhënave të tjera personale të tyre.

Dy janë parimet universale të cilat edhe gazetarët duhet t’i respektojnë gjatë raportimit lidhur me fëmijët: interesi më i lartë i fëmijës, si dhe e drejta absolute për privatësi.
Leja nga prindi apo kujdestari është një domosdoshmëri në rastet e fëmijëve nën 18 vjeç. Sa më delikate të jetë çështja/historia që raportohet, aq më të rrezikuar janë fëmijët dhe aq më e rëndësishme bëhet marrja e lejes nga personi përgjegjës për fëmijën.
Kur pyesim fëmijët për informacione të ndryshme, gjithashtu duhet të konsiderojmë se deri në çfarë shkalle është e nevojshme apo e domosdoshme leja nga prindi. Intervistimi i fëmijëve duhet të bëhet në prani të prindërve apo kujdestarëve ligjorë të fëmijëve. Refuzimi i tyre duhet respektuar [iv] .


Publikimi i të dhënave identifikuese

Agjencia Shtetërore për Mbrojtjen e Fëmijëve si dhe Këshilli i Ankesave në AMA u ankuan në gusht 2016 lidhur me publikimin e një lajmi qe përmbante të dhëna sensitive lidhur me rastin e një fëmije- viktimë e abuzimit seksual në familje (në Dibër) nga dy kanale televizive me format informative dhe një kanali kombëtar [v] . Identifikimi i babait me emër e mbiemër, fshatit dhe vendbanimit çoi në identifikimin e fëmijës. Kjo përbën shkelje të të drejtave, konfidencialitetit si dhe privatësisë së fëmijëve. Në këtë rast, Këshilli i Ankesave në AMA tërhoqi vëmendjen e televizioneve për të fshirë të dhënat si dhe për të mos e ripublikuar rastin.
Në nëntor të vitit 2016, një kronikë televizive në një prej televizioneve me format informative bëri të mundur publikimin e të dhënave identifikuese për një të mitur e cila dyshohet se ishte abuzuar nga babai në nëntor 2015 [vi] . Në tekstin e kronikës jepeshin detajet identifikuese të saj si dhe pamja e babait të dyshuar si abuzues në sallën e gjyqit. Historia ishte ripublikuar në momentin e nisjes së gjyqit.

Identifikimi i emrit të minorenes së abuzuar

Në tetor të vitit 2012, Klementina Çaushaj, 30 vjeç, nga Saranda, akuzoi partnerin, Panajot Anagnosti, se kishte abuzuar seksualisht me vajzën e saj tetëvjeçare me inicialet L.C. Historia u publikua nga shumë gazeta të përditshme shqiptare si dhe u ripublikua në mediat online. Vajza u identifikua lehtësisht nga media, për shkak të identifikimit të nënës së saj si dhe zonës ku familja jetonte. Sipas Kodit të Etikës [vii] , identiteti dhe imazhet e fëmijëve në media nuk duhet të publikohen asnjëherë, përveç rasteve kur kjo është në interesin më të lartë të fëmijës.

Rrjedhja në media e dëshmisë së një personi të akuzuar për pedofili

Rasti i publikimit të një dokumenti zyrtar që përmbante deponimin e një të akuzuari për dhunë seksuale (A.Prrenjasi) ndaj një minoreni në mars të vitit 2013 nga një gazetë e përditshme shqiptare shkaktoi shumë debate publike. Kjo çështje solli në vëmendje se etika profesionale është e brishtë.
Një gazetë e përditshme shqiptare publikoi detaje të dëshmisë (pjesë e një procesverbali zyrtar) së një personi të akuzuar për vrasje dhe pedofili (Ardian Prrenjasi) të siguruara gjatë marrjes në pyetje nga policia. Informacioni i publikuar përmbante detaje të rënda të dhunës dhe abuzimit seksual ndaj një djali 10-vjeçar. Deponimi i të dyshuarit (në atë kohë) përmbante përshkrime të abuzimit seksual me 10-vjeçarin, i cili gjithashtu ishte identifikuar nga media. Vendimi për publikimin e dëshmisë shkaktoi debate të forta publike si dhe brenda fushës lidhur me respektimin e etikës në media si dhe vijën e kuqe mes interesit publik lidhur me një çështje dhe mbrojtjes së interesit më të lartë për fëmijën, duke ruajtur privatësinë e tij.
Sipas Kodit të Etikës [viii] , pamje brutale e informacione që përmbajnë dhunë dhe skena të rënda apo material pornografik nuk duhet të publikohen. Veç kësaj, një dokument i marrjes në pyetje nga policia nuk duhet të publikohet në media ndërsa rasti është në hetim.
6.6 Korrigjimi i gabimeve

Në rastet kur ka gabime të rënda, ato duhen korrigjuar sa më shpejt, sa më qartë dhe në mënyrë të dukshme. Pakujdesitë në raportim mund të çojnë në ankesa për paanshmëri. Publikut i duhet shpjeguar çfarë është bërë gabim dhe sesi duhet të korrigjohet. Media ndërkombëtare gjerësisht kanë një seksion të veçantë për ankesat dhe korrigjimet, ku publikohen korrigjimet e gabimeve të ndryshme të bëra nga mediumi por edhe ankesat e marra nga qytetarë të ndryshëm në lidhje me shkrimet e gazetës ose transmetimet e televizionit.

Nga ana tjetër, gjuha e përdorur është një faktor i rëndësishëm kur bëhet fjalë për raportimin e krimeve. Përshkrimi faktual i krimeve është shpesh i mjaftueshëm për të përcjellë informacionin. Këtu nuk ka nevojë për më shumë nuanca të forta të gjuhës, klishe apo mbiemra të panevojshëm. Kur krijojmë historinë, është e rëndësishme të jemi të kujdesshëm me përdorimin e ekspertëve që do të pyesim si dhe statistikave që do të japim.

Për publikimet online, rregullat për ankesat dhe korrigjimet janë të ngjashme, përveç rasteve të veçanta kur ka kërkesa për të fshirë nga interneti informacionin e publikuar. Për shembull gazeta prestigjioze Washington Post, e ka si rregull që kurrë mos ta bëjë draft, ta kthej mbrapsht në sistemin online të menaxhimit një lajm të publikuar. [ix] Megjithatë, në raste gabimesh serioze, pjesë e shkrimit ose shkrimi mund të fshihet dhe të zëvendësohet me një shënim nga redaktori. Një rregull i ngjashëm zbatohet dhe nga gazeta New York Times. Të dy gazetat kur bëjnë gabime në faktet e publikuara, e korrigjojnë artikullin por i shtojnë atij një shënim në fillim ose fund (varet nga sa i rëndë është gabimi) për të reflektuar faktin që më herët është botuar një variant i artikullit që nuk ka qenë i saktë.

6.7 Si të raportojmë ngjarje kriminale

Raportimi i ngjarjeve kriminale është një nga detyrat kryesore për reporterët e rinj në median shqiptare. Në këtë nënkapitull të këtij udhëzuesi do të fokusohemi ke një listë me këshilla praktike për gazetarët që raportojnë mbi krimin, duke filluar që nga mënyra sesi ato e zbulojnë një histori krimi, si të ndjekin indicje dhe të intervistojnë njerëz për të nxjerrë informacion dhe shkrimi i një teksti të gjallë dhe pa gabime nën presionin e afateve të ngushta të raportimit. Raportimi i ngjarjeve kriminale ka qenë gjithmonë pjesë e medias në një shtyp të lirë, për shkak se këto ngjarje kanë valencë mediatike. Më poshtë po listojmë disa arsye pse gjerësisht publiku tërhiqet nga ky lloj lajmi dhe pse gazetarët duhet t’i raportojnë ato. [x]

  • • Dëgjuesit, shikuesit dhe lexuesit kërkojnë një përgjigje pse krimet ndodhin, dhe sesi mund t’i shmangin ato në të ardhmen. Ata pyesin nëse mund t’i ndodhë atyre?
  • • Dëgjuesit dhe lexuesit shpesh kanë nevojë të marrin informacion mbi shkeljet e ligjit dhe mënyrën se si shkelësit kapen dhe ndëshkohen.
  • • Shumica e njerëzve në shoqëri i binden ligjeve dhe një shkelje ose shmangie nga ligji përbën për ata një ngjarje të pazakontë – duke përmbushur një nga kriteret e valencës së një lajmi.
  • • Kriminelët marrin mbi supe rreziqe dhe shpesh dënohen për krimet e tyre, çfarë i bën ato subjekte interesante për lexuesit.

Duke qenë se ngjarjet kriminale përbëjnë interes për publikun, ato shpesh shoqërohen me thashetheme dhe gojëdhëna. Është puna e një gazetari që të zbulojë faktet në mënyrë që të luftojë përhapjen e thashethemeve të pavërteta që mund të sjellin pasoja negative në shoqëri.

Si të gjithë lajmet e tjera, raportimet për ngjarje kriminale duhet të jenë të reja, të pazakonta, të rëndësishme dhe të kenë njerëzit në fokus. Në tërësi ka shumë lloj kriminelësh, krimesh dhe viktimash, nga krimet e mëdha si vrasjet e deri te ato të vogla si shkeljet rutinë të qarkullimit rrugor. Jo gjithmonë krimet më të mëdha përbëjnë lajmet më interesante, edhe pse ka një interes të drejtë të publikut për ato.

Për efekt raportimi mediatik, krimet mund të klasifikohen në disa lloje:

Të fundit: Lajmet për ngjarjet kriminale duhet të jenë sa më të përditësuara të jetë e mundur, sepse për shumë prej tyre valenca mediatike varet nga të qenit aktualitet.

Të pazakontë: Vrasjet ose grabitjet me armë nuk janë ngjarje të përditshme për shumicën e qyteteve të Shqipërisë dhe si rrjedhojë kanë valencë si lajme. Por edhe lajme që nuk janë kaq të dhunshme mund të kenë elementë që nuk janë të zakontë.

Interesantë ose domethënës: Krimet që mund të jenë të zakonshme mund të bëhen interesante në qoftë se vendosen në një kontekst të caktuar. Për shembull vjedhja e një apartamenti në Dhërmi mund të duket një ngjarje e rëndomtë, por në qoftë se ai është apartamenti i 30 i vjedhur në bregdetin shqiptar gjatë javës së fundit, atëherë është domethënës.

Përfshijnë njerëz: Raportimet mbi ngjarje kriminale duhet të përfshijnë njerëzit, qofshin këto viktima ose autorë.

6.7.1. Vlera mediatike

Shumica e lajmeve për krime kanë vlerë mediatike, por rëndësia e saj varet nga një seri faktorësh që duhen marrë në konsideratë.

  • Serioziteti:Sa më serioz një krim të jetë aq më vlerë mediatike ai ka. D.m.th një vrasje është më serioze se një grabitje me armë, e cila është më serioze se një vjedhje dhe kjo e fundit është më serioze se një gjobë parkimi. Për sa i përket parave, sa më e madhe të jetë sasia e tjetërsuar/vjedhur aq më i rëndë krimi.
  • Natyra e pazakontë e krimit: Sa më i çuditshëm që të jetë krimi, aq më valencë lajmi ka ai.
  • Identiteti i viktimës ose i kriminelit: Krimet bëhen me vlerë më të lartë lajmi në qoftë se përfshijnë personazhe që kanë valencë të lartë mediatike.
  • Madhësia e qytetit/fshatit: Krimet shihen përgjithësisht si më të rëndësishme në komunitete të vogla, dhe rëndësia që mund të ketë një ngjarje kriminale varet dhe nga vendndodhja dhe madhësia e audiencës së medias ku gazetari punon.
6.7.2. Burimet e informacionit

Për të evituar pasaktësitë një gazetar duhet të përpiqet të sigurojë sa më shumë burime informacione mbi një krim/ngjarje kriminale dhe mos të kufizohet vetëm në burimet zyrtare, të tilla si policia dhe prokuroria. Përgjithësisht raportimi i ngjarjeve kriminale në Shqipëri bazohet në njoftimet për shtyp të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë si dhe në njoftimet për shtyp të Drejtorive Rajonale të Policisë. Këto njoftime shpesh shoqërohen me multimedia (foto dhe video) të prodhuara nga zyrat e shtypit. Por për të raportuar ngjarje komplekse, një gazetar ka nevojë për burime që shkojnë përtej përmbledhjeve dhe njoftimeve për shtyp të bëra nga zyrat e shtypit të policisë.

Një mënyrë e mirë për të zbuluar më shumë detaje mbi krimin është që pasi gazetari ka marrë pikënisjen nga njoftimi për shtyp i policisë, ai/ajo të intervistojë policët që e kanë hetuar krimin ose që kanë qenë të parët në vendngjarje. Vizita në skenën e krimit është gjithashtu e rëndësishme, siç është i rëndësishëm edhe intervistimi i viktimave të krimit. Nëse viktimat mund të japin një dëshmi direkte të ngjarjes, vizita në skenën e krimit e ndihmon gazetarin të krijojë një vizualizim më të qartë të ngjarjes. Vizita në vendngjarje është gjithashtu e rëndësishme për të bërë foto dhe për të xhiruar video, duke i shtuar detaje raportimit të ngjarjes.

Për krime të mëdha ose të pazakontë është e nevojshme që gazetari të japë më shumë kontekst dhe sfond mbi ngjarjen si dhe pasojat e krimit. Për t’i dhënë më thellësi raportimit të ngjarjes, gazetari mund të kontaktojë me burime të pavarura që janë specialistë në një fushë të caktuar ose akademike të fushës. Pasi informacioni mblidhet ai kontrollohet për gabime, duke identifikuar faktet që janë të besueshme ose jo.

6.7.3. Teknikat e raportimit

Një sërë praktikash bazë mund të ja bëjnë jetën profesionale një gazetari që merret me raportimin e ngjarjeve kriminale shumë më të lehtë. Me rëndësishmja e tyre është vendosja dhe mbajtja e kontakteve me policinë.

  • Ndërtimi i kontakteve me policinë: Është e rëndësishme që një gazetar të ndërtojë dhe të mbajë burime të ndryshme brenda policisë së shtetit, dhe të mos bëhet i varur vetëm në raportimin e krimeve që policia njofton nëpërmjet zyrës së shtypit. Ndërtimi i këtyre burimeve kërkon vizita të shpeshta në komisariatet e policisë, telefonata dhe takime informale që ndihmojnë në krijimin e besimit midis gazetarit dhe burimit. Shpesh herë burimet brenda organeve ligjzbatuese do të jenë konfidenciale dhe është detyrë e gazetarit të ruaj anonimitetin e tyre.
  • Njohja e organeve ligjzbatuese: Një gazetar i mirë kronike duhet të ketë një njohje të mirë të policisë së shtetit, departamenteve të saj të ndryshme, organizimin dhe personat përgjegjës në postet kyçe – çfarë do t’i mundësonte atij të adresohej tek personi i duhur në një rast specifik. Përgjithësisht gazetarët e mirë të kronikës, e harxhojnë gjysmën e parë të ditë se tyre duke takuar dhe telefonuar kontakte. Kontakti me policinë vjen edhe nëpërmjet konferencave për shtyp periodike që oficerë të lartë mbajnë për krime serioze. Gazetari i kronikës nuk duhet të mungojë gjatë këtyre konferencave për shtyp, edhe pse aty mund mos të ketë informacion me valencë mediatike.
  • Vrojtimi dhe monitorimi: Të gjithë gazetarët duhet t’i mprehin aftësitë e tyre monitoruese. Në disa vende është lejuar madje që gazetarët të monitorojnë frekuencat radiove të policisë, çfarë i jep mundësi atyre të informohen në kohë reale kur një ngjarje e rëndësishme po ndodh. Gjatë protestave të dhunshme aftësitë vrojtuese të gazetarëve mund të jenë ndihmesë për të identifikuar forcat e policisë të përfshira, mjetet e përdorura prej tyre për menaxhimin e turmës por edhe lëvizjet e ndërmarra prej protestuesve.
Rast: Artan Hoxha dhe protesta e “21 Janarit 2011”

Një rast ku aftësitë vrojtuese kanë luajtur një rol kyç në raportimin e një ngjarje kriminale ka qenë dhe protesta e dhunshme 21 Janarit 2011, ku katër protestues u vranë nga Garda e Republikës dhe një duzinë të tjerë u plagosën – përfshirë dhe një gazetar. Gjatë protestës gazetari veteran i raportimit të krimit Artan Hoxha, kishte marrë një pozicion vëzhgues në katin e tretë të Kullave Binjake në Tiranë, ndërkohë që protesta zhvillohej përpara kryeministrisë.

Ky pozicion i kishte dhënë mundësi Hoxhës që të filmonte dhe vrojtonte shkrepjet e armëve nga disa nënoficerë dhe oficerë të Gardës së Republikës kundër turmës së protestuesve, të cilat u identifikuan më vonë si fajtorë për vrasjen e katër demonstruesve dhe plagosjen e disa të tjerëve. Identifikimi i grykave të zjarrit nga Hoxha mbështetej në eksperiencën e tij e gjatë si reporter, por edhe njohjen e tij mbi pajimet e Gardës së Republikës. Raportimi i tij gjatë ditës se ngjarjes hodhi poshtë narrativën e qeverisë së qendrës së djathtë të ish kryeministrit Sali Berisha, i cili pretendonte se demonstruesit janë vrarë me çadra pistoletë.

  • Dokumentet dhe raportet: Gazetarët duhet të kujdesen që te ndjekin çdo dokument që publikohet mbi policinë dhe krimin. Për shembull statistikat vjetore mbi krimin përbëjnë lajm dhe pak rëndësi ka nëse krimi është rritur ose ulur në krahasim me vitin paraardhës.
  • Arkiva: Çdo gazetarë kronike ka nevojë që të ndërtojë arkivin e tij personale dhe të mbajë një ditar, në mënyrë që të arkivojnë informacion për ngjarje të madha dhe të vogla, që mund të shtrihen në një kohë afatgjatë.
6.7.4. Informacioni i nevojshëm

Edhe pse informacioni i nevojshëm për një gazetarë kronike për të shkruar një histori krimi, ndryshon nga ngjarja në ngjarje, ka disa informacione rreth krimit të cilat janë mëse të nevojshme të mblidhen nga gazetari. Gazetari duhet të mbledhë informacion mbi natyrën e krimit që policia po heton, ku dhe kur është bërë krimi, (përfshirë orën) si dhe mënyrën se si është kryer. Është e nevojshme që gazetari të marri sa më shumë detaje që është e mundur mbi viktimën, përfshirë emrin, moshën, adresën, profesionin dhe lëndimet që ka pësuar. Të dhënat e dëshmitarëve janë të nevojshme në mënyrë që të komunikohet me to. Sa për të dyshuarit, edhe pse gazetari s'mund të përdori emra kur nuk ka persona të ndaluar ose të shpallur në kërkim policor, ai mund te japë një përshkrim të përgjithshëm. Gazetari gjithashtu duhet të informohet nëse ka ndonjë situatë të pazakontë rreth krimit, për shembull thyerja e një zyre për disa herë radhazi. Shpesh herë policia do të bëje apele për ndihmë nga lexuesit ose shikuesit e televizionit nëpërmjet medias. Pjesa më e rëndësishme e informacionit të mbledhur nga gazetari duhet të jenë citimet e gjalla nga policia dhe dëshmitarët, që ndihmojnë në raportimin e ngjarjes.

6.7.5. Shkrimi lajmeve mbi krimin

Struktura e lajmeve mbi krimin ndjek gjerësisht stilin e piramidës së përmbysur, ku informacioni më i rëndësishëm radhitet në krye të lajmit, i ndjekur nga detaje më pak të rëndësishme.

Sugjerohet si praktikë e mirë, që kur dikush është ngarkuar penalisht për një krim, gazetari të raportojë vetëm faktet që nuk mund të kontestohen në gjykatë, por hapësira e tij e raportimit është më e madhe kur nuk ka akoma të proceduar nga Prokuroria. Në shumë lajme mbi krimin, pasi të dhënat kryesore janë përmbledhur në krye të lajmit, historia e krimit më pas tregohet në radhë kronologjike.

Shkrimet e thelluara mbi krimin

Reportazhet dhe shkrimet e thelluara janë të rëndësishme për një gazetar kronike. Formati më i thjeshtë i reportazheve ose shkrime të thelluara nga lajmet e kronikës, lidhet me shpjegimin për shembull të rritjes së numrit të vjedhjeve me thyerje gjatë Krishtlindjeve, një kurs i ri vetëmbrojtje për gra ose mënyra më e mirë se si të mbrohet shtëpia nga hajdutët gjatë pushimeve të verës. Profilizimi i punës së policisë ose i oficerëve të policisë është një mënyrë tjetër për të prodhuar reportazhe.

Ilustrimet

Gazetari duhet të mendojë gjatë gjithë kohës mbi mënyrën se si do ta ilustrojë një histori krimi. Një foto e skenës së krimit mund të vlejë se 1 mijë fjalë, por edhe një grafikë i thjeshte mund t’i ndihmojë lexuesit që ta kuptojnë më qartë tekstin.

Gjuha

Gjuha e përdorur nga gazetari është shumë e rëndësishme gjatë shkrimit të lajmeve mbi krime. Është e rëndësishme që saktësia mbi faktet e raportuar të shtrihet edhe për termat e përdorur kur raportojmë mbi krime. Si policia dhe kriminelët përdorin terma specifikë zhargoni të cilët mund të përdoren në shkrim vetëm kur kërkohet të shtohet ngjyrë ose kur ato nuk mund të zëvendësohen me fjalë të tjera. E njëjta gjë vlen edhe për termat ligjorë, që shpesh bëhen shkak për dhimbje koke për gazetarët e rinj. Në mënyrë të veçantë është e rëndësishme të përdoren akuzat e sakta që i ngarkohen një të dyshuari.