Prokuroria e Përgjithshme njoftoi se ka nisur verifikimet për kryebashkiakun e Kavajës, në kuadër të ligjit të dekriminalizimit, pasi “formulari i vetëdeklarimit ka të dhëna të pasqaruara”.
Prokuroria e Përgjithshme njoftoi të martën se ka nisur punën konkrete për zbatimin e ligjit të dekriminalizimit me verifikimin e së shkuarës së kryetarit të Bashkisë së Kavajës, Elvis Rroshi. Përmes një njoftimi për shtyp, Prokuroria e Përgjithshme deklaroi se kryeprokurori Adriatik Llalla i ka kërkuar Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të dorëzojë materialet paraprake të Rroshit, subjekt i ligjit.
”Kërkesa e Prokurorit të Përgjithshëm mbështetet në faktin se në formularin e vetëdeklarimit të këtij subjekti, ka të dhëna të pasqaruara, të cilat kërkojnë verifikim më të thelluar,” tha Albi Serani, këshilltar për mediat i kryeprokurorit.
Elvis Rroshi është lakuar shpesh nga media dhe opozita për të shkuarën e tij të dyshimtë, ndërsa vetë ai kishte mohuar në vazhdimësi akuzat. Megjithatë, në formularin e vetëdeklarimit, Rroshi ka pranuar se ka qenë në hetim ose gjykim në Mynih të Gjermanisë para vitit 2002.
Në formular, Rroshi ka shënuar ”nuk më kujtohet” te kategoria e arsyes së hetimit.
Pas publikimit të vetëdeklarimit të tij në media, Rroshi tha se ishte ndaluar në Gjermani pasi ishte kapur pa dokumente të rregullta. Ai shtoi se ishte dëbuar nga Gjermania, ndërsa nuk pranoi të ishte ”subjekt i asnjë krimi që parashikon ligji i dekriminalizimit”.
Pas lëvizjes së Prokurorisë së Përgjithshme, Elvis Rroshi bëhet zyrtari i parë që do të verifikohet në kuadër të ligjit ”Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen dhe ushtrojnë funksione publike”.
Prokuroria e Përgjithshme, e cila ka një rol të rëndësishëm në zbatimin e ligjit tha se ka ngritur strukturën e posaçme që do të verifikojë subjektet, ndërsa paralajmëroi një takim javën e ardhshme me organet e tjera shtetërore që do të merren me këtë çështje.
Debati mbi pastrimin e politikës nga elementë me të shkuar kriminale lindi gjatë vitit 2014, kur Partia Demokratike në opozitë denoncoi se në radhët e mazhorancës ka deputetë dhe zyrtarë të lartë me rekorde kriminale. Pas një marrëveshjeje politike të ndërmjetësuar nga ndërkombëtarët, ligji i dekriminalizimit u votua me konsensus në parlament.
Subjekte të ligjit janë 1,836 zyrtarë, të cilët duhet të deklarojnë nëse kanë qenë ndonjëherë të arrestuar apo të dënuar, brenda ose jashtë Shqipërisë.
Afati i vetëdeklarimeve përfundoi më 4 maj.
Ligji përcakton që zyrtarët të cilët gënjejnë në vetëdeklarim do të mbajnë përgjegjësi penale, ndërsa ata që rezultojnë të dënuar, qoftë edhe me vendim të shkallës së parë do të detyrohen të dorëzojnë mandatin.