Ankesa dhe Korrigjime

11 Nëntor 2023

Në përgjigje të artikujve të Reporter.al mbi dosjen e Prokurorisë Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, për ish-kryeministrin Sali Berisha dhe dhëndrrin e tij Jamarbër Malltezi, ky i fundit ka sjellë një reagim të cilin po e botojmë të plotë.

Kliko këtu për reagimin e Jamarbër Malltezit

Artikujt e Reporter.al

  1. “Prokuroria akuzon Berishën dhe Malltezin për 5.4 milionë euro përfitime të parregullta, botuar ne date 22.10.2023,
  2. “Drejtësi apo hakmarrje, ish-kryeministri shqiptar përballet me akuza për korrupsion”, botuar me date 23.10.2023,
  3. ‘Kontribut Patriotik’: Si u transformuan 113 m2 tokë në miliona euro pasuri, botuar më datë datë 23.10.2023.

15 prill 2021

Kompania Green Coast ka reaguar ndaj investigimit të BIRN: ‘Investime publike’: Pistë helikopterësh dhe mol jahtesh për resortin “Green Coast”. BIRN i qendron shkrimit dhe fakteve të botuara. Kompania Green Coast është pyetur para publikimit të investigimit për gjetjet dhe përgjigja e saj është përfshirë në shkrim. Për transparence po e publikojmë dhe reagimin e dytë me pretendimet dhe interpretimet e saj mbi faktet.

Deklarta e Green Coast:

Green Coast: E pavërtetë. Nuk është e vërtetë që ato janë ndërtuar vetëm për bizneset e stacionuara në resortin “Green Coast”. Në këtë zonë ka disa subjekte të tjera përfituese, si bare, restorante, plazhet publike dhe private të Dhërmiut, Drimadhes dhe Palasës, postë policore dhe kufitare si edhe qenda shëndetësorë që do të jenë në funksion të publikut. Vetë pista e helikopterëve është në funksion të një hapësirë gjeografike nga Dhërmiu deri në Palasë.

Për saktësim, ajo që ju i referoheni si mol jahtesh është një pistë për afrimin e varkave, e ngjashme me atë që është ndërtuar në Himarë dhe Dhërmi. Struktura të tilla për afrimin e varkave turistike në breg pritet të ndërtohen edhe në Livadh, Palasë dhe Drimadhë. Mirë do të ishte që për të ndihmuar turizmin të ishte në funksion edhe një mol për jahte apo varka të mëdha por kjo deri më tani nuk është realizuar në asnjë nga plazhet e jugut.

Ju e thoni edhe vet në shkrim se ky investim sipas Fondit i përket projektit të rikualifikimit urban që ishte kërkuar nga Bashkia e Himarës dhe përfshinte përveç plazhit të Palasës, edhe Drymadhesin dhe Livadhin, çka e bën edhe më të qartë idenë e mosfavorizimit të një subjekti të vetëm, i cili gjithsesi nuk është i vetëm sikurse ju dëshmuam. Prandaj na vjen keq që shkrimi merr trajtat e interpretimit jo të saktë.

Reporter.al: Dokumentet e siguruara nga BIRN tregojnë se ky nuk është investimi i vetëm me para publike në favor të resortit privat të grupit “Balfin” në pronësinë e biznesmenit Samir Mane.

Green Coast: E pavërtetë. Ky është një konstatim subjektiv. Green Coast është një projekt i realizuar nga ana e Grupit BALFIN por tashmë shumica e objekteve janë shitur dhe janë në pronësi të palëve të treta. Baret, restorantet dhe objektet e banimit në këtë resort janë pronë e subjekteve apo individëve të ndryshëm. Kështu që të thuash se këto punë publike favorizojnë një shoqëri apo individ nuk është e vërtetë.

Reporter.al: Kompania “Green Coast” i tha BIRN se pista e helikopterëve dhe shërbimet e tjera janë investime publike, që shërbejnë si facilitete për rezidentët dhe pushuesit e saj.

Green Coast: E pavërtetë. Kjo fjali është shtrembëruar dhe nxjerrë qëllimisht nga konteksti nga ana juaj. “Green Coast” nuk ka thënë në asnjë moment që këto janë investime që i shërbejnë banorëve të resortit, por se ato janë investime që i shërbejnë çdo pushuesi që vjen në plazhet, baret, restorantet, hotelet dhe strukturat e tjera në Palasë, dhe natyrisht nga kjo nuk mund të përjashtohen edhe rezidentët e Green Coast Resort.

Reporter.al: Kompleksi “Green Coast” shtrihet i vetëm në një sipërfaqe prej 185 mijë metrash katrorë në plazhin dikur të virgjër që njihet si Dhraleo ose Rrugët e Bardha në Palasë.

Green Coast: E pavërtetë. Green Coast është një projekt që përmbledh disa njësi biznesi dhe banimi dhe nuk është një subjekt i vetëm. Tashmë që hapësirat janë shitur emri Green Coast është referim gjeografik për një resort që në vetvete përmban disa subjekte biznesi pa lidhje mes tyre. Pra, nuk është e vetmja strukturë turistike në plazhin e Palasës. Bare, restorante dhe plazhe të tjera operojnë aktualisht si subjekte privatë në këtë zonë.

10.10.2020

Me datë 10.10.2020, kompania ‘Integrated Technology Services’ ka sjell në reagim në lidhje me shkrimin ‘Milionat për pastrimin e lumenjve nga mbetjet i mori lumi’. Reagimi i kompanisë mund të lexohet duke klikuar këtu.

11.03. 2020

Më herët në shkrimin “Anëtari i dyshuar i lëvizjes Gulen rrezikon dëbimin në Turqi” është raportuar gabimisht që mbledhja në Ministrinë e Brendshme për kërkesën për azil të shtetasit turk, Selami Simsek është mbajtur nga Komisioni Kombëtar për Azilin dhe Refugjatët – që është autoritet për ankimet, ndërkohë që mbledhja raportohet të jetë mbajtur nga struktura përgjegjëse për azilin në Ministrinë e Brendshme – Drejtoria për Azilinin dhe Shtetësinë.

02.09.2020

*Më herët shkrim “Marrëveshja e dyshimtë; nafta e Visokës iu transferua kompanisë serbe me pronar rus” i referohej të dhënave të vendburimeve naftës si “konfidenciale apo sekret shtetëror.’ Teksti është korrektuar për të saktësuar se këto të dhëna konsiderohen ‘konfidenciale.”

30.01.2020

Pasi refuzoi të komentonte mbi gjetjet e investigimit të BIRN: “Lidhje të shkurtra: “Sindikatat vjelin miliona nga ‘kontratat kolektive’ me shtetin” përpara botimit,  Konfederata e Sindikatave të Shqipërisë ka sjellë  një reagim që BIRN po e boton si dokument më poshtë.

Deklarata e KSSH:

Shpjegime në lidhje me investigimin tuaj: “Lidhje të shkurta: Sindikatat vjelin miliona nga kontratat kolektive me shtetin”

24.12.2019

Kompania ‘Albchrome’ ka sjellë me datë 24.12.2019 reagimin e mëposhtëm ndaj kronikës së BIRN dhe VOA të titulluar:  “Albchrome” nën hetim pas akuzave se shkarkoi kreun e sindikatës. Më poshtë po postojmë në respekt të transparencës ndaj publikut, ankesën e kompanisë ‘Albchrome’ si dhe përgjigjen e redaksisë së BIRN.

Ankesa e kompanisë ‘Albchrome’:

Pershendetje,

Lidhur me materialin filmik  me titull “Albchrome nën hetim pas akuzave se shkarkoi kreun e sindikatës…..” te publikuar nga Birn/reporter.al dhe i percjelle tek VOA (Zeri i Amerikes) kompania Ablchrome kerkon qe te beje sqarimet e meposhtme.

Ne daten 17.12.2019 jemi kontaktuar nga gazetari Sami Curri, i  cili perfaqeson Birn dhe na eshte kerkuar qe te kemi nje reagim nga ana jone ne lidhje me ceshtjen qe ngre Birn, ku jemi njoftuar gjithashtu qe ky do te jete nje material i perbashket me Zerin e Amerikes edhe pse me pas nga z. Curri na u tha se autoresia do te mbetet vetem e Birn. Nisur nga procedurat e brendshme te kopmanise ne kemi angazhuar punonjes ne menyre qe t’i servirim atij informacion sa me te plote, se sakte dhe shterues dhe njekohesisht kemi kerkuar qe te gjitha pyetjet te na referohen me shkrim nga ana e gazetarit. Me pas jemi informuar nga Z. Curri qe ky material do te jete vete nga Birn dhe jo nga VoA.

Pasi kemi pare pyetjet nga gazetari i kemi trajtuar ato me vemendje dhe u jemi pergjigjur te gjithe pikave duke ofruar pozicionin tone ne lidhje me situaten.

Na vjen keq te shohim ne kete video te publikuar, ndryshe nga sa na u be me dije, se ka qene i angazhuar edhe Zeri i Amerikes dhe nuk ka qene nje iniciative vetem e BIRN, duke na menjanuar keshtu nga venia ne dijeni mbi transmetimin e sakte.

Se dyti, gjithashtu me keqardhje verejme qe nje media shume serioze dhe me integritet si Birn ka bere nje pasqyrim tejet te cunguar te informacionit te ofruar nga ana e Albchrome duke mos dhene asnje shpjegim per kete arsye pavaresisht se ne kemi ofruar informacion shume te detajuar per pozicionimin tone ne kete proces. Ne kroniken e pergatitur nga z. Curri, ne materialin prej 3 minutash, ka vetem 2-3 sekonda ku permendet reagimi i AlbChrome, nderkohe qe e gjithe pjesa tjeter e kronikes eshte e e njeanshme.

Kerkojme qe te rishihet edhe nje here nga ana juaj kerkesa e perseritur e Albchrome per te vizituar ambjentet e pjeses se minieres qe administrohet nga kompania Ablchrome per tu njohur me nga afer me investimet, kushtet e punonjesve, siguria dhe shendeti ne pune dhe per te kuptuar dallimin me pjesen tjeter te operatoreve – mbi 36 te tille qe kane licensen e operimit ne minieren e Bulqizes dhe qe operojne ne kete zone njelloj si Albchrome. Gjithashtu theksojme se nga keto 36 kompani, AlbChrome eshte e vetmja qe ka nje kontrate kolektive sindikale.

Gjithashtu eshte e vetmja kompani, qe jep pagat me te larta ne sektorin minerar, sigurimet shendetesore dhe ato te jetes se paguar, pagen e 13-te, trajtimin me norme  dhe benefite te tjera.

Ne fund, kerkojme qe te ribotohet materiali me reagimin e plote te Albchrome,  per te bere  te qarte pozicioninim e kompanise ne kete proces, perndryshe nuk e kuptojme se perse na kerkoni informacione te zgjeruara, kur me pas nuk i pasqyroni ato.

Kemi besimin se nuk do te na e mohoni te drejten e reagimit, pa na e cunguar ate si ne rastin e meparshem.

Gjithashtu, ne procesverbalin e inspektimit te Inspektoriatit te punes, leshuar me 18.12.2019, nje kopje te te cilit ne e zoterojme, thuhet se nga inspektimi i bere nuk konstatohet asnje nga shkeljet e pretenduara per kompanine Albchrome. Ky dokument eshte leshuar mjaft dite perpara se sa z. Curri te dilte me materialin e tij video, ku pretendonte se AlbChrome eshte ne hetim nga ky Inspektoriat.

Ju lutem te beni verifikimet perkatese edhe per kete dhe te pasqyroni realitetin sikurse edhe eshte.

Ne e ritheksojme se asnje nga punonjesit tane nuk eshte shkaruar per arsye te aktivitetit te tij te mundshem sindikal, por thjesht dhe vetem per situacione dhe shkelje qe lidhen me kodin e punes dhe rregulloret e brendshme te kompanise.

Lorena Rrokaj

Përgjigja e BIRN Albania dërguar kompanisë Albchrome:

E nderuar znj. Rrokaj

Si gjithmonë ne e mirëpresin interesin e kompanisë suaj në punën tonë dhe ju falënderojmë për vlerësimet për aspektin profesional.

Reportazhi i publikuar nga BIRN dhe Zëri Amerikës, në mënyrë korrekte e ka përfaqësuar pozicionin e kompanisë ‘Albchrome,’ për sa i përket largimit nga puna të minatorëve.

Në përgjigje të ankesës suaj ju bëjmë me dije se: ISHPSHSH Dega Rajonale Dibër me datë 14.12.2019 na ka njoftuar me shkrim se kompania ‘Albchrome’ është në proces inspektimi për largimin nga puna të minatorëve. Inspektoriati nuk e ka ndryshuar këtë pozicion edhe gjatë kontaktit që ka pasur me gazetarin nëpërmjet telefonit me datë 23.12.2019, para publikimit.

Gjithashtu, Kryeinspektori i Dibrës. Z. Roland Kurti, edhe sot (24.12.2019) konfirmon se nuk ka dalë me një raport final inspektimi, gjë që pritet të finalizohet dhe të bëhet publik në ditët në vazhdim.

Në qoftëse, ju zotëroni një dokument që ky inspektim është mbyllur, ju lutem ta bëni publik dhe ne do ta reflektojmë në raportimet e ardhshme mbi konfliktin midis sindikatës dhe kompanisë Albchrome.

Për sa i përket ftesës për të vizituar minierën, ju rikujtojmë se edhe pse kjo kërkesë shkonte jashtë fokusit të reportazhit, gazetari i është përgjigjur në mënyrë pozitive, por ka qenë kompania që ka zgjedhur ta shtyje një vizitë të mundshme me 7.01. 2020, jashtë afateve editoriale të transmetimit të kronikës.

Ne i qëndrojmë kronikës së transmetuar dhe standardeve editoriale të zbatuara.  Në transparencë ndaj publikut ankesa juaj do të postohet në seksionin përkatës të Ankesave dhe Korrigjimeve të Reporter.al.

Me Respekt

Besar Likmeta

13 qershor 2019

Artikulli: Skeda e pasurisw sw deklaruar – Kastriot Selita – kryetar i Gjykatës Administrative të Apelit

Më herët Reporter.al raportoi gabim në skedën e pasurisë së deklaruar së gjyqtarit Kastriot Selita se ai ka pasur mosjustifikim të pasurisë ne vitet 2012 dhe 2013, për shkak të një gabimi në reflektimin e shtimit te gjendjes cash nga shtija e një apartamenti. Ky shkrim është ndryshuar  për të korrektuar gabimet në analizë financiare për vitet 2012 dhe 2013. Reporter.al kërkon ndjesë për gabimin dhe ne po punojmë që mos të përsëritet.

7 qershor, 2019

Artikulli: Skeda e pasurisë së deklaruar – Ardian Kokomani – kryetar i bashkisë Shijak

Më herët Reporter.al raportoi gabim në skedën e pasurisë së Z. Ardian Kokomani, kryetar i bashkisë Shijak, se sipas kontrollit aritmetik-logjik ai kishte një vit të karrierës së tij kur nuk justifikonte pasurinë. Reporter.al kërkon ndjesë për gabimin dhe ne po punojmë që mos të përsëritet.

15 shkurt 2019

Sqarim!

Në lidhje me artikullin Kisha Katolike denoncon prokurorin Armand Gurakuqi, publikuar në Reporter më 14 shkurt 2019, një grup banorësh të interesuar kanë dërguar në redaksi më datë 15 shkurt një deklaratë me titull: Përgënjeshtrim i deklaratës të gënjeshtërt manipuluese publike të Arkdioqezës Tiranë-Durrës dhe Bashkësisë së Etërve Jezuitë, ku pretendohet se deklarata e Kishës përbën një presion të papërshtatshëm publik mbi sistemin e drejtësisë. Letra e banorëve mund të lexohet këtu, ndërsa dokumentet shoqëruese në mbështetje të pretendimeve të tyre mund të lexohen këtu, këtu dhe këtu.

Letra mbart akuza për persona të ndryshëm të cilat BIRN nuk ishte në gjendje t’i verifikonte dhe për të cilat nuk mban përgjegjësi.

24 Janar, 2019

Artikulli: Skeda e pasurisë së deklaruar-Shkëlzen Selimi-anëtar i Gjykatës së Lartë

Më herët Reporter.al raportoi gabim në skedën e pasurisë së Z. Shkëlzen Selimi, ish anëtar i Gjykatës së Lartë, se subjekti ka “ ka blerë në vitin 2006 një apartament dhe garazh në Vlorë në vlerën e 45 mijë eurove dhe i ka shitur ato tre vite më vonë për 79 mijë euro.” Shitja e apartamentit në fjalë ka ndoshur n vitin 2013 dhe jo në vitin 2009.

19 Dhjetor 2018

Në një reagim ndaj investigimit të BIRN, “Bebet vdesin në maternitet për mungesë inkubatorësh”, Drejtoria e Spitalit “Koço Gliozheni” ka dalë në një deklaratë publike ku pretendon se: “Ndryshe nga sa thuhet në shkrimin e BIRN, janë 19 inkubatorë funksionalë në Maternitetin Koço Gliozheni”.

Deklarata e sotme e SUOGJ ‘Koço Gliozheni’, jo vetëm bie në kundërshtim me përgjigjen me shkrim të dhënë ndaj BIRN nga i njejti spital, por edhe me relacionet e vetë institucionit të vitit 2016, 2017 mbi gjendjen e shërbimit të Neanatologjisë.

BIRN në asnjë moment nuk ka deformuar të dhënat mbi shkakun e vdekjeve të foshnjave, por është vetë spitali që është shprehur se:

“Ne me shume se 50% te rasteve behet fjale per shtatzani shume te vogla per te cilat ne nuk kemi teknologji te përshtatshme për te siguruar mbijetesën.”

Për transparencë ndaj lexuesve po e botojmë të plotë përgjigjen e sjellë nga nga SOUGJ ‘Koço Gliozheni’, si dhe ralacionet mbi gjendjen e shërbimit të Neanatologjisë në vitin 2016 dhe 2017.

BIRN i qëndron hulumtimit të publikuar, që në asnjë radhë dhe shkronjë nuk cënon punën e palodhur të mjekëve, por ve në pah kushtet e vështira me anë të të cilave duhet të punojnë.

Përgjigja e SOUGJ “Koço Gliozheni”
https://www.reporter.al/wp-content/uploads/BIRN-2-1.docx

6 Dhjetor 2018

Artikulli: Bandat e druvarëve: Plaçkitja e pyjeve të lashta të Shqipërisë

BIRN publikoi më 29 nëntor investigimin Banda e Druvarëve: Plaçkitja e pyjeve të lashta të Shqipërisë, i realizuar në kuadër të Bursës Ballkanike për Gazetari Ekselente me autor Arlis Alikaj.

Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura dërgoi në redaksinë e BIRN një shkresë më 4 dhjetor 2018 në të cilën supozon se shkrimi bazohet në të dhëna të pavërteta dhe ka pasaktësi. [Informacion saktesues mbi Parkun Kombetar Shebenik Jabllanic1] Redaktori i Bursës Ballkanike për Gazetari Ekselente Timothy Large i ktheu përgjigje AKZM-së më 6 dhjetor 2018 duke deklaruar se BIRN i qëndron gjetjeve të shkrimit. [Reply_ Informacion saktesues mbi Parkun Kombetar Shebenik Jabllanic]

16 tetor, 2018

Artikulli: Qeveria propozon një favorizim të ri fiskal për ferrokromin e Elbasanit 

Më herët, Reporter.al raportoi gabim se në Shqipëri ka vetëm një kompani ferrokromi që pritet të përfitojë nga favorizimi fiskal i qeverisë për eksportet e ferrokromit në krahasim me kromin bruto. Në fakt, kompanitë që aktualisht prodhojnë ferrokrom janë dy. Ky tekst është amenduar për të korrigjuar gabimin.  Reporter.al kërkon ndjesë për gabimin dhe ne po punojmë që mos të përsëritet. Kliko këtu për të lexuar sqarimin e Balfin Group.

17 Korrik, 2018

Artikulli: Skeda e pasurisë së deklaruar – Antoneta Bejko Sevdari – prokurore e Tiranës

Më herët Reporter.al raportoi gabim se skeda e pasurisë së Znj. Antoneta Bejko Sevdari, përmbante ‘flamuj të kuq’, për sa i përket të ardhura dhe detyrime të lidhura me aktivitetin privat të bashkëshortit në vitet 2009, 2010 dhe 2011. Ky tekst është amenduar për të korrigjuar gabimin.  Reporter.al kërkon ndjesë për gabimin dhe ne po punojmë që mos të përsëritet.

16 Gusht 2017

Pas ankesave të paraqitura me datë 9 Gush 2017 dhe 15 Gusht 2017, kompania Dia Vita ka dërguar një letër të tretë ankese në redaksinë e Reporter.al, në lidhje me artikullin “Koncesioni i Dializës realizon 380 mijë euro fitime ende pa nisur mirë punën,” botuar me 2 Gusht 2017. Letrës i bashkangjitet dhe një numër fotosh para/pas të reparteve të hemodializës që janë marrë me koncesion nga kompania.

Për të parë foto kliko këtu.

15 Gusht 2017

Pas ankeses së paraqitur me datë 9 Gush 2017, kompania Dia Vita ka dërguar një letër të dytë ankese në redaksinë e Reporter.al, në lidhje me artikullin “Koncesioni i Dializës realizon 380 mijë euro fitime ende pa nisur mirë punën,” botuar me 2 Gusht 2017.

BIRN i qendron fakteve të botuara në shkrim dhe hedh poshtë akuzat e kompanisë për të ashtëquajturat interesa private të gazetarëve të saj. Lertën e plotë të dërguar nga Dia Vita mund ta gjeni duke kliuar këtu.

9 Gusht 2017

Më herët Reporter.al raportoi mbi koncesionin e hemodializës,  nëpërmjet artikullit “Koncesioni i Dializës realizon 380 mijë euro fitime ende pa nisur mirë punën,” botuar me 2 Gusht 2017. Nëpërmjet postës elektronike, me datë 8 Gusht 2017, kompanitë ‘Dia Vita’ dhe ‘Evita’ kanë paraqitur një ankesë ku ngrejnë një numër pretendimesh mbi faktet e botuar në artikull dhe bëjnë një numër akuzash ndaj Reporter.al  [letrën e plotë të kompanisë mund ta lexoni këtu].

BIRN Albania i qëndron shkrimit dhe fakteve të botuara, dhe në interes të transparencës ndaj lexueseve, po i japim përgjigje pretendimeve dhe akuzave të ngritura nga Dia Vita Sh.p.k. dhe Evita Sh.p.k. Shkrimi zbaton standardet e duhura të gazetarisë për të raportuar mbi një çështje të interesit publik, konkretisht, koncesionit të shumëpërfolur të shërbimit të dializës, kostos që taksapaguesit kanë nga ky koncesion dhe fitimet që koncesionmarrësi realizon nga paratë e taksapaguesve.

Për sa më sipër po i përgjigjemi në mënyrë të detajuar pretendimeve tuaja:

  1. BIRN shprehet në artikull se: “… Kjo është kompania që ka për detyrë të zbatojë kontratën e shumëdebatuar koncesionare të dhënë nga Ministria e Shëndetësisë në vitin 2015 për të dhënë shërbimin e dializës në pesë spitale rajonale, shërbim që më parë jepej nga spitalet publike.”

Është fakt i pakundërshtueshëm që shërbimi i hemodializës jepej më parë, para dhënies të këtij shërbimi me koncesion, në spitalet publike, fakt që pranohet dhe nga vetë ankesa që ju keni dërguar. Në ankesën tuaj ju listoni dhe spitalet publike që kanë dhënë këtë shërbim në të kaluarën.

  1. BIRN shprehet në artikull se “… investime të tilla nuk duken asgjëkundi”, apo se “… nuk ka investuar asnjë kacidhe nga kapitalet e veta” (?!)

Kapitali aksioner në Dia Vita Sh.p.k është sipas pasqyrave financiare 1 milion lek (7,560 euro). Citimi i mësipërm i referohet kapitalit aksioner që është i paraqitur edhe në pasqyrat financiare që i bashkangjiten shkrimit. Për sa i përket vlerës së investimeve në ambiente,  të cilave ju i referoheni në ankesën tuaj, në shkrim paraqitet vlera e aseteve totale të kompanisë prej 294 milionë lekësh, ku përfshihen investimet afatshkurtra dhe afatgjata, të cilat nuk përfshihen në kapitalin aksioner.

  1. “Sipas këtij raporti, kontrata e koncesionit të dializës do të ketë një kosto vjetore prej 947 milionë lekësh në vit për dhjetë vjet me radhë.”

Në lidhje me të ardhurat e pritshme të kompanisë nga ky koncesion, BIRN i është referuar Relacionit të ligjit për buxhetin e shtetit 2017, ku shpenzimet e pritshme të qeverisë për kontratat koncesionare janë imponuar të raportohen veçmas si pasojë e kërkesave nga Fondi Monetar Ndërkombëtar, i cili i konsideron këto koncesione si një shqetësim për stabilitetin makroekonomik të vendit. Në faqen 27 të relactionit, Tabela 7 “Koncesionet/PPP aktive me mbeshtetje financiare nga buxheti i shtetit Ministria,” kostot vjetore të koncesionit të hemodializës vlerësohen në 947 milion lekë.

  1. Në mënyrë të qëllimshme, dhe për të drejtuar lexuesin e thjeshtë dhe pa njohuri të mirëfillta financiare drejt konkluzioneve të gabuara, si dhe për të krijuar “scoop” gazetaresk, artikullshkruesi shprehet se “ … gjatë vitit 2016, kompania pati fitime neto në masën 51 milionë lekë, ose 51 herë më shumë se sa vlera e kapitalit themeltar, ose 5100 për qind” (?!).

Performanca financiare e kompanisë ‘DiaVita Sh.p.k.’, bazuar në pasqyrat financiare të deklaruar nga vetë kompania (fitimi neto – 51 milionë lekë dhe kapitali aksioner – 1 milion lekë), është vlerësuar duke përdorur mjete të njohura ndërkombëtare të vlerësimit të performancës së një kompanie, të tilla si Norma e Kthimit mbi Kapitalin e Investuar (ROIC), Norma e Kthimit mbi Astete (ROA) dhe Norma e Fitimi (Profit Margin). Për sa më sipër jemi të gatshëm që në çdo moment t’iu vejmë në dispozicion literaturën ekonomike përkatëse.

***

22 Janar 2017

Më herët Reporter.al raportoi mbi strukturën e komunikimit me median dhe publikun të bashkisë Tiranë, nëpërmjet artikullit “Ekspozohet aparati i PR-it të bashkisë së Tiranës,” botuar me 12 Janar, 2017. Nëpërmjet postës elektronike, me 22 Janar 2017, bashkia Tiranë ka dërguar një reagim mbi shkrimin duke ngritur një seri pretendimesh mbi faktet e botuara dhe akuzash politike ndaj BIRN Albania. [Reagimin e plotë mund ta gjeni këtu]

BIRN Albania i qëndron shkrimit dhe fakteve të botuara, dhe në interes të transparencës ndaj lexueseve, po i japim përgjigje pretendimeve dhe akuzave të ngritura nga bashkia Tiranë në letrën e saj.

1. Në akesën e saj bashkia ankohet se: “Shkrimi është tendencioz që në titull. Është joprofesionale që një shkrim investigativ të pretendojë se po “ekspozon” diçka që është ndërkaq publike dhe transparente.”

Informacioni që përmbahet në shkrimin e sipërcituar është marrë nga bashkia Tiranë nëpërmjet një kërkesë për të drejtë informimi të dërguar nga BIRN Albania m 06.12.2016, nr. Protokolli i përgjigjes së Bashkisë 37915/1 datë 22.12.2016, dhe nuk ka qenë i publikuar më parë nga bashkia e Tiranës në faqen e saj zyrtare në internet. Për këtë arsye, ky informacion u bë publik (ekspozua) nga BIRN Albania në shkrimin përkatës.

2. Në ankesën e saj bashkia shkruan se: “Së dyti, shkrimi keqinformon publikun sepse pa marrë mundimin të prezantojë asnjë provë, ai paraqet si të mirëqena një sërë akuzash politike për ndikimin në linjën editoriale të mediave, përmes shpërndarjes së kronikave të parapërgatitura. Është një fakt i thjeshtë dhe lehtësisht i vërtetueshëm se mediat ftohen në çdo aktivitet publik të Bashkisë Tiranë. Nëse disa media për arsye logjistike apo mungese burimesh njerëzore kërkojnë që Bashkia t’u vërë në dispozicion kronikat audio dhe video të përgatitura prej saj, kjo nuk është një përpjekje e Bashkisë së Tiranës për të ndikuar në linjat editoriale.”

Është një fakt që bashkia e Tiranës është akuzuar se ka ndikuar në linjën editoriale të mediave nëpërmjet kronikave të parapërgatitura. Është gjithashtu një fakt që gazetarët e BIRN Albania nuk janë ftuar në asnjë (zero) aktivitet publik të bashkisë Tiranë. Përgatitja dhe shpërndarja e kronikave “audio dhe video” në bazë të kërkesave– siç pranohet nga vetë bashkia e Tiranës –është e paligjshme dhe nuk bën pjesë në detyrat funksionale të këtij institucioni vendor. Transmetimi i këtyre kronikave të gatshme nuk përmbush standardet minimale të gazetarisë. Nqs. bashkia ka marrë me të vërtetë kërkesa të tilla jo etike dhe të paligjshme, përmes të cilave shfrytëzohen para publike në funksion të mediave private, duhej të bënte detyrën e saj duke i refuzuar këto kërkesa.

3. “Së treti, shkrimi mashtron e keqinformon kur thotë se Bashkia ka fryrë Drejtorinë e Informacionit, (së cilës shkrimi i referohet si “aparati i PR-it”) sepse informacioni që BIRN ka pasur në dispozicion e hedh poshtë një përfundim të tillë. Është logjike që për të deklaruar se diçka është “fryrë” duhet ta krahasosh me diçka. Për shembull, me “aparatin e PR-it” të administratës të mëparshme të Bashkisë. Në atë rast do të kishit zbuluar se edhe pse Bashkia e Tiranës ka sot një popullsi më të madhe, një territor 25 herë më të madh dhe një numër më të madh funksikonesh e përgjegjësish, krahasuar me administratën e z. Basha, “aparati i PR-it” në fakt është shfryrë.”

BIRN Albania e krahason dhe pretendon që bashkia e Tiranës të përmbushë standardet më të mira ndërkombëtare për sa i përket marrëdhënies me media. Për shembull, n.q.s zyra përkatëse e kryetarit të bashkisë së Londrës ka 15 punonjës, Drejtoria e Informacionit në bashkinë Tiranë ka 17 punonjës, ndërkohë që Londra është 10 herë më e madhe se Tirana në popullsi dhe shumë herë më e pasur si bashki. Madje edhe zyra e shtypit e Presidentit Amerikan ka vetëm 30 punonjës, çfarë shumë thjeshtë mund ta vë stafin e bashkisë në perpektivë. Asnjë nga këto dy institucione të sipërpërmendura nuk prodhon kronika televizive me kërkesë.

4. Mjafton të përmendim këtu faktin se vetëm gjatë vitit 2016 organizata juaj ka bërë plot 7 kërkesa për informacion, çka përbën një numër disafish më të madh sesa totali i kërkesave për informacion që ju keni dërguar në adresë të Bashkisë së Tiranës gjatë të gjithë mandatit katërvjeçar të z. Lulzim Basha.

Në këtë pretendim, Bashkia Tiranë duhet të ketë parasysh që BIRN Albania nuk ka dërguar gjatë vitit 2016, 7 kërkesa për informacion, por 12 të tilla, sipas listës së mëposhtme:

  • 05.01.2016 – Kërkesë Bashkisë Tiranë lidhur me vendimet e Këshillit Bashkiak më datë 30.12.2015
  • 11.01.2016 – Kërkesë të 61 bashkive të vendit, përfshirë Bashkinë Tiranë për listën emërore të përditësuar të anëtarëve të këshillit bashkiak
  • 11.01.2016 – Kërkesë të 61 bashkive të vendit, përfshirë Bashkinë Tiranë për emrat dhe CV-të e nënkryetarëve të secilës bashki
  • 13.01.2016 – Kërkesë të 61 bashkive të vendit, përfshirë Bashkinë Tiranë mbi programet e transparencës dhe regjistrat e kërkesave dhe përgjigjeve lidhur me të drejtën e informimit
  • 17.03.2016 – Kërkesë 13 bashkive të vendit, përfshirë Bashkinë Tiranë, të cilat nuk ishin përgjigjur më herët për emrat dhe CV-të e administratorëve lokalë të secilës bashki
  • 19.04.2016 – Kërkesë për informacion lidhur me projektin dhe dosjen e tenderimit të Këndit të Lojërave pranë Parkut të Liqenit Artificial
  • 07.07.2016 – Kërkesë Bashkisë Tiranë lidhur me projektin dhe dosjen e tenderimit të projektit të rikonstrukrionit të “Sheshit Skënderbej”
  • 13.07.2016 – Kërkesë 8 bashkive të vendit, përfshirë Bashkinë Tiranë mbi projektet e financuara nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit në secilën nga bashkitë
  • 15.08.2016 – Kërkesë 7 bashkive të vendit, përfshirë Bashkinë Tiranë mbi kontratat e bashkive me kompanitë private për shfrytëzimin dhe trajtimin e pyjeve në zonat përkatëse të mbulimit
  • 06.10.2016 – Kërkesë Bashkisë Tiranë lidhur me kontratën e Koncensionit me “Taiwan sh.p.k.”
  • 06.10.2016 – Kërkesë Bashkisë Tiranë lidhur me kontratën e pastrimit të territorit të mbuluar
  • 06.12.2016 – Kërkesë Bashkisë Tiranë lidhur me strukturën, stafin përbërës dhe detyrat e Drejtorisë së Përgjithshme të Komunikimit dhe Marrëdhënieve me Publikun

 

12 Dhjetor, 2015

Artikulli: “Beauty Contesti” kthehet në garë të shëmtuar për frekuencat dixhitale” është ndryshuar për te reflektuar korrektimin e mëposhtëm:

Më herët, Reporter.al raportoi që: “Një dokument i Institutit të Sigurimeve Shoqërore që BIRN e disponon, tregon se Sala është paguar nga platforma Digit-Alb nga janari i vitit 2007 deri në dhjetor 2012.” Në një dokument të dytë që Instituti Sigurimeve Shoqërore, ISSH i  dërgoi Kuvendit më datë 08.04.2015, i vënë në dispozicion nga kreu i AMA, ISSH sqaron se në shkresën e datës 12.12.2014 është bërë një gabim material, ku emri i Gentian Salës është ngatërruar me emrin e Gentian Lalës. Sipas ISSH, Sala ka qenë punonjës i e-Solutions-një kompani në pronësi të Digitalb në periudhën Mars 2008-Gusht 2009.  

18 Qershor, 2015

Kandidati i Partisë Socialiste për bashkinë Kavajë, Elvis Rroshi, ka shpërndarë në media këtë deklaratë, si reagim ndaj shkrimit të Reporter.al, ‘Zbardhet e shkuara kriminale e kandidatëve për zgjedhjet vendore,’ botuar më 17 Qershor,2015.

Deklaratë

Nisur nga raportimi i bërë sot nga agjencia e lajmeve BIRN, dhe botuar në portalin www.reporter.al nga gazetarët Besar Likmeta, Fausto Biloslavo, Aleksandra Bogdani, më duhet të deklaroj publikisht dhe nen pergjegjesine time personale e zyrtare se:

Asnjë akuzë referuar emrit tim nuk është e vërtetë dhe se te gjitha aludimet e bëra në lajmin përkatës përbëjnë spekullime denigruese pa bazë, pa fakte dhe pa respekt ndaj etikës profesionale të medias, ndaj personit tim, ndaj familjes dhe komunitetit qytetar kavajas, të cilët kam nderin ti përfaqesoj prej katër vitesh dhe do ti përfaqësoj edhe në katër vitet e ardhshme.

Ne respekt të publikut dhe të vërtetës kam dyshime të besueshme se përbaltja e kandidaturës sime, katër ditë përpara zgjedhjeve, në artikullin me titull “Zbardhet e shkuara kriminale e kandidatëve për zgjedhjet vendore”, botuar në rubrikën “Investigim” në datën 17 qershor, është e qëllimshme, dashakeqëse, pa prova dhe argumente dhe me deklarata të “zyrtarëve të Zvicrës” që kanë folur me këtë agjenci “në kushtet e anonimatit”.

Unë edhe më parë jam ndeshur me akuza spekullative, sidomos në prag të zgjedhjeve ku provohet mbështetja qytetare ndaj meje dhe projektit politik që përfaqësoj. Kisha vendosur që të mos u përgjigjesha akuzave të tilla, por, kur ato, kalojnë cakun dhe bëhen qëllimisht, nga kundërshtarë politik apo mediat që i mbështesin, vetëm e vetëm për të prishur imazhin tim publik, më detyrojnë që t’i kthehem sistemit të drejtësisë për t’u marrë me hetime të mëtejshme.

Sipas parimeve të së vërtetës dhe medias profesionale, agjencisë së sipërpërmendur BIRN, tre gazetarëve që kanë firmosur këtë artikull, dhe agjencisë www.reporter.al, u kërkoj publikisht që brenda tre ditëve (deri diten e shtunë 20.06.2015), të përgënjeshtrojnë këtë artikull dhe aludimet denigruese, si dhe të kërkojnë falje publike për cënimin e imazhit dhe figurës sime.

Brenda ketij afati u kerkoj atyre të publikojnë dokumentet apo faktet që pretendojne se disponojnë ne alibine e tyre se unë kam qenë “subjekt procedimi penal nga viti 1993 deri në 1997”, apo “dënimin tim për trafik droge” sikurse citohet në artikull. Në rast të kundërt, nëse ata nuk respektojnë parimet e medias etike dhe nëse brenda këtij afati nuk japin fakte ose nuk kërkojnë falje, një studio ligjore, do të ndjekë të gjitha procedurat ligjore, duke filluar, menjëherë ditën e dielë, në datën 21 qershor, për agjencinë që ka raportuar këtë lajm dhe për të gjitha agjencitë e lajmeve, gazetat apo televizionet që e kanë pasuar raportimin e këtij lajmi spekulativ, dashakeqës dhe të qëllimshëm për të dëmtuar imazhin tim në zgjedhje.

Do të kërkoj një dëmshpërblim prej 100 mijë eurosh dhe këto fonde, ju garantoj, do të përdoren për rikonstruksionin e gjimnazit kryesor të qytetit të Kavajës. Në këtë mënyrë, do t’i japim fund njëherë e mirë gjithë spekulimeve që janë bërë në media me këtë çështje.

 

22 Dhjetor,2014

Artikulli: “Zanafilla e islamit radikal në Shqipëri” është ndryshuar për te reflektuar korrektimin e mëposhtëm:

Më herët Reporter.al raportoi gabim që Edval Zoto “është një oficer në Shërbimin Informativ të Ushtrisë, SHIU.” Ky tekst është amenduar për të korrigjuar gabimin.  Reporter.al kërkon ndjesë për gabimin dhe ne po punojmë që mos të përsëritet.