Disa dhjetëra të rinj të organizuar nga lëvizja Për Universitetin përshkallëzuan protestat sot duke bllokuar hyrjet e Universitetit Politeknik të Tiranës duke kërkuar uljen e tarifave të studimeve në universitetet publike.
Studentët e Universitetit të Tiranës dhe të Universitetit Politeknik të Tiranës përshkallëzuan protestat e tyre gjatë ditës së hënë (27 tetor 2014) duke i kërkuar qeverisë të tërhiqet nga disa vendime të vlefshme për këtë vit akademik, përfshirë vendimin për rritjen e çmimit të vitit akademik për nivelin master në universitetet publike si dhe uljen e kuotave të pranimit në nivelin master.
Të organizuar nga lëvizja Për Universitetin përmes rrjeteve sociale si dhe nga një nismë e quajtur Pushto Universitetin, studentët patën bllokuar hyrjen e fakultetit të Inxhinjerisë së Ndërtimit ditën e premte ndërsa bllokuan hyrjen e Universitetit Politeknik të njohur si Korpusi Qëndror në Tiranë.
Studentët kritikojnë disa vendime të qeverisë, të cilat i konsiderojnë si të paparalajmëruara dhe të padrejta. Rritja e tarifave të studimeve për nivelin master si dhe rregulli i qeverisë për pagesën e 30 për qind të kësaj tarife në çastin e regjistrimit, por edhe vendosja e një kriteri për mesataren në notën 6 si kusht skualifikues për studimet master.
“Ne kemi tre kërkesa urgjente që lidhen me një Vendim të Këshillit të Ministrave të dalë më datë 15 tetor 2014: Heqjen e mesatares 6 si kusht, heqjen e pagesës 30 për qind të tarifës së studimit që në fillim të vitit akademik dhe heqjen e tarifës për provimet e mbartura”, njoftuan krerët e lëvizjes gjatë protestës së të hënës.
Disa studentë thonë se rritja e tarifave të studimeve master në universitetet publike është një masë e pabazuar në logjikë ekonomike ndërsa vendosja e kuotave të studimit për universitetet publike apo e vendosjes së kriterit të mesatares konsiderohet si vendim në favor të universiteteve private, të cilat ofrojnë të njëjtat kurse por nuk kanë kufizime në kuotat e pranimit apo në mesataren e notave të studentit.
Ish-kryeministri Sali Berisha deklaroi më herët se i mbështet protestat e studentëve duke argumentuar se masat e qeverisë synojnë ta bëjnë universitetin një mollë të ndaluar për të varfrit në Shqipëri. Por lëvizja Për Universitetin e hodhi poshtë këtë ndërhyrje duke e konsideruar si tentativë për të përfituar kapital politik.
“Këto deklarata nuk e ndihmojnë aspak çështjen studentore, madje e dëmtojnë atë, pasi i japin mundësi pushtetit të spekulojë mbi natyrën e drejtë dhe të pastër të protestave tona. Nga ana tjetër, është me rëndësi të theksojmë se është pikërisht kjo forcë politike (PD) që për disa vite rresht provoi të miratonte të njëjta reforma rrënuese që po kundërshtojmë sot, dhe bëri të mundur rritjen stratosferike të tarifave të studimit,” njoftoi lëvizja Për Universitetin.
Ministria e Arsimit dhe e Sportit lëshoi një deklaratë të dielën ku i përgjigjet komenteve të ish kryeministrit Berisha ndërsa nuk mori përsipër t’i përgjigjej kërkesave të studentëve. Sipas Ministrisë, kuotat për studimet master nuk janë ulur ndërsa theksoi se parapagesa prej 30 për qind nevojitet për të mos akumuluar detyrime të prapambetura.