Pas një sërë vrasjesh dhe vetëvrasjesh nga ish-ushtarakët këto kohët e fundit, veteranët e konfliktit të vitit 2001 në Maqedoni duan që shteti t’u sigurojë ndihmë psikiatrike njerëzve të traumatizuar nga lufta.
Veteranët dhe disa parti politike kërkuan më shumë ndihmë psikiatrike për ish ushtarakët pasi Maqedonia u trondit këtë muaj nga dy raste të veçuara, e megjithatë shumë të ngjashme, vrasjesh dhe nga vetëvrasja e një veterani.
“Ne duhet të bëjmë më shumë. Këto “bomba me sahat” duhen mbajtur nën vëzhgim më nga afër dhe mënyra më e mirë për këtë, është me anë të ndihmës së kolegëve të tyre, të cilët shpesh e dinë më mirë se ç‘kanë në mendje kolegët e tyre,” tha Stojance Angelov, një ish gjeneral policie dhe kryetar i partisë së vogël “Dinjiteti”, e cila u krijua nga veteranët e konfliktit të vitit 2001.
Angelov tha se besonte se shkaku kryesor i vrasjeve ishte stresi i pakuruar post-traumatik, që pësuan shumë veteranë pas konfliktit të vitit 2001 midis rebelëve të Shqipërisë etnike dhe forcave të sigurisë.
“Situata është edhe më alarmuese nëse i hedhim një sy studimit të kryer në Fakultetin e Sigurisë në Shkup, i cili tregon se më shumë se 70 për qind e veteranëve nga ky konflikt kanë tipare të dhunshme në karakter dhe tregojnë shenja sjellje të dhunshme. Nëse shtojmë edhe alkoolin e madje edhe varësinë ndaj drogës që disa prej tyre i konsumojnë, rrezikojmë të përballemi me edhe më shumë dhunë,” tha ai.
Të martën fshati i Zletovos, pranë qytetit të Probistipit, policia gjeti trupin e Dragan Manailov, një ushtar profesionist 40 vjeçar dhe veteran i konfliktit të armatosur të vitit 2001, i cili besohet se ka kryer vetëvrasje.
Dyshohet se më herët atë ditë ai ka vrarë prindërit e gruas së tij dhe një person tjetër me armën e tij automatike.
Policia tha se dyshohet të ketë ndodhur për motive xhelozie, sepse bashkëshortja e tij po divorcohej nga ai dhe se ai ishte gjykuar mendërisht në rregull në kontrollet e tij psikiatrike.
Më herët këtë muaj, policia gjithashtu ndaloi një tjetër veteran 40 vjeçar nga qyteti jugor i Kavardarcit, një oficer policie, i cili dyshohet të ketë vrarë kunatën e tij dhe të dy prindërit e saj në shtëpinë e tyre, duke përdorur një armë që e zotëronte me leje. Shtypi raportoi gjithashtu se edhe ai po kalonte një divorc.
Që në fund të konfliktit, përfaqësues të veteranëve të luftës mendojnë se të paktën 30 veteranë maqedonas kanë kryer vetëvrasje, ndërsa të paktën dhjetë të tjerë kanë kryer vrasje.
Partia kryesore opozitare, ajo Social Demokrate, ditën e mërkurë kërkoi dorëheqjen e Ministrit të Mbrojtjes Zoran Jolevski dhe shefit të stafit të përgjithshëm të ushtrisë, gjeneralit Goranco Kotevski, lidhur me këtë çështje.
Partia e vogël Liberale, e cila është pjesë e maxhorancës qeverisëse, ndërkohë kërkoi më shumë kontrolle psikiatrike dhe ndihmë për ish ushtarakët dhe ata që janë ende aktivë.
“Vrasja e trefishtë në Kavadarci ishte një tronditje, por vrasja e trefishtë në Zletovo ka treguar se forcat e sigurisë maqedonase kanë neglizhuar vlerësimin psikologjik të anëtarëve të tyre,” tha partia në një deklaratë.
Psikoterapistja Biljana Koprova tha për BIRN më herët këtë muaj se disa veteranë lufte ende vuajnë nga trauma psikologjike, ngjarje të eksperiencave të shkuara, depresion, ankth dhe tolerancë të vogël nga situatave stresuese, si edhe ndjesi agresioni dhe irritim.
“Këta njerëz i kanë mbijetuar traumave të mëdha, të cilat nëse lihen të pakuruara, nuk zhduken me kalimin e kohës. Pasi kanë kaluar një periudhë kohe në fushën e betejës, këta njerëz shpesh vuajnë çrregullime stresi post-traumatik dhe kjo është arsyeja pse duhet të marrin këshillim psikologjik më pas, gjë e cila, fatkeqësisht, nuk ndodh në Maqedoni,” tha Koprova për BIRN.
Maqedonia ka 15 shoqata aktive për veteranët e luftës me rreth 30 000 anëtarë.