A mundet një gjeneratë e re pionierësh të teknologjisë të realizojnë ëndrrat e tyre për një sukses të llojit Silikon Vallej?Një ditë vere dy vjet më parë, Ivan Vesic, një inxhinier programesh kompjuterike në qytetin e Nishit në Serbinë e jugut, shkoi me nxitim në një klinikë veterinare. Një makinë kishte goditur maçokun e tij njëvjeçar, Damian, duke i dëmtuar rëndë këmbën dhe bishtin.
Veterineri, Mirza Sejdinovic, u detyrua t’ia presë bishtin maçokut por arriti t’i shpëtojë këmbën. Vesic mori frymë i lehtësuar; Damiani do të shërohej. Të dy burrat filluan të diskutojnë dhe Sejdinovic u ankua për programin kompjuterik të klinikës së tij. Vesic pa te ekrani i kompjuterit dhe menjëherë kuptoi se duhet të gjendej një mënyrë më e mirë për të menaxhuar praktikën veterinare.
Gjatë javëve në vijim, Vesic dhe Sejdinovic u takuan rregullisht deri sa krijuan një kod për klinikën. Ata kuptuan se mund të bënin diçka shumë më ambicioze – të krijonin një program kompjuterik të lehtë për t’u përdorur nga profesionistët e veterinarisë nëpër të gjithë botën. Një veteriner serb në Shtetet e Bashkuara reagoi me entuziazëm kur mori versionin fillestar të programit të tyre.
“Ne vendosëm se duhet t’i linim punët tona dhe të fillonim një kompani të re,” thotë Vesic.
Kështu lindi kompania e tyre, VetCloud. Këtë muaj, më shumë se dy vjet më vonë, biznesi i tyre ka arritur në ngjarjen e madhe – me lançimin zyrtar të programit të menaxhimit të praktikës veterinare pas testimeve të gjera në Ballkan dhe në Britani.
Vesic, 38 vjeç dhe Sejdinovic, 29, janë mes qindra sipërmarrësve në Ballkan që kanë krijuar kompani të vogla teknologjike me synimin për të pushtuar tregjet botërore. Ata dhe investitorët që i kanë mbështetur shpresojnë ta kthejnë këtë cep ish-komunist dhe relativisht të varfër të Europës, më së shumti të njohur për luftëra, destabilitet dhe korrupsion, në një qendër për teknologjinë dhe inovacionin.
“Unë besoj se është thjesht çështje kohe para se të kemi ndonjë sukses të nivelit të Skype në rajonin tonë,” thotë Lyuben Belov, partner menaxhues te Launchub, një fond me bazë në kryeqytetin e Bullgarisë, Sofie, i cili investon në ndërmarrje të reja në fushën e teknologjisë dixhitale në Europën juglindore.
Ai parashikon se një kompani teknologjie nga Ballkani mund të arrijë të tregtojë aksionet e veta në bursën e Nasdaq në Nju Jork një ditë. “Dikush do të arrijë të bëhet i madh në tregun botëror,” thotë ai.
Disa kompani të nisura në Ballkan kanë arritur sakaq të zhvendosen në Silikon Vallej, të tilla si Emailio, një kompani e bashkëthemeluar nga një nxënës i shkollës së mesme në Bullgari që punoi për një aplikacion celulari që vendoste rregull mbi kutitë e postës elektronike. Flipps, një aplikacion që i mundëson përdoruesve të transmetojnë video nga një celular te një televizor, ka vendosur gjithashtu të largohet nga Bullgaria për t’u vendosur në San Françisko.
Në një lajm tjetër të mirë për kompanitë e vogla të rajonit, Facebook njoftoi në korrik se do të blejë LiveRail, një kompani reklamash video të bashkëthemeluar nga dy rumunë, për një shumë të raportuar prej 400-500 milionë dollarësh.
Të frymëzuar nga njerëz si Mark Zuckenberg i Facebook, sipërmarrësit e Ballkanit janë të bekuar me ambicie, njohuri teknologjike dhe entuziazëm. Rajoni po gumëzhin me ngjarje në të cilat njerëzit marrin ide për kompani të reja, krijojnë rrjet njohjesh me anëtarë të tjerë të bashkësisë së teknologjisë dhe lidhen me investitorë. Por këta miliarderë të ardhshëm përballen me pengesa, përfshirë rregulla të tepërta, mungesë të incentivave nga qeveria dhe mungesë të eksperiencës në fushën e biznesit.
Vesicit dhe Sejdinovicit iu bashkua një partner i tretë, Milan Djordjevic, ndërsa ata zhvilluan programin e tyre me bazë retë (cloud) për veterinerët, program që magazinon të dhënat mjekësore, menaxhon takimet dhe dërgon mesazhe alarmi kur ka nevojë për furnizime të reja me medikamente.
Programi kompjuterik i bazuar në parimin e reve (cloud) i Vesic dhe Sejdinovic për veterinerët është tashmë pranë publikimit zyrtar, pasi është testuar në Ballkan dhe në Britani. Ai i ndihmon veterinerët në praktikat e tyre duke magazinuar të dhënat mjekësore, menaxhuar takimet dhe dërguar mesazhe për rikujtesë për furnizime të reja me medikamente kur ato janë të nevojshme.
Për të marrë investime për kompaninë e tyre, ata nuk shkuan në kryeqytetin e Serbisë, Beograd, por në Sofie, ku ka më shumë mundësi për financim kompanish të reja.
“Megjithëse ka një bashkësi (biznesesh të reja) në Beograd, kishte sakaq një ekosistem në Sofie,” thotë Vesic, drejtori ekzekutiv i kompanisë.
Kompania mori 200 mijë euro nga Eleven, një fond që ofron trajnime dhe programe mentorimi në këmbim të një pakete aksionesh në kompanitë që ajo mbështet. Skuadra e VetCloud kaloi tri muaj në Bullgari, duke mësuar përkëdheljet dhe shkelmat e një biznesi të ri dhe mbi drejtimin e një kompanie teknologjie.
“Ne morëm paratë dhe këshillat që kishim nevojë,” tha Vesic.
Launchub dhe Eleven menaxhojnë në total 21 milionë euro si pjesë e një iniciative të financuar nga Bashkimi Europian për mbështetjen e bizneseve të vogla dhe të mesme të quajtur JEREMIE. Ata kanë shpërndarë 9 milionë euro mes 120 mijë kompanive të reja nga rajoni përgjatë dy viteve të fundit dhe kanë në plan të financojnë 200 kompani të tjera deri në vitin 2015.
Nga qendër furnizimi në skenë kompanish të reja
Prej shumë vitesh, kompani të mëdha ndërkombëtare kanë ofruar punë për teknologjinë e informacionit në Europën Lindore. Ata janë joshur nga krahu relativisht i lirë i punës dhe një grusht zhvilluesish programesh kompjuterike të kualifikuar, aftësitë e të cilëve reflektojnë një traditë të fortë në arsim sa i përket matematikës dhe inxhinjerisë dhe që i ka rrënjët që nga koha e Komunizmit. Taksat e ulëta kanë ndihmuar gjithashtu – Bullgaria, për shembull, ka një taksë të sheshtë prej 10 për qind.
Por një numër në rritje specialistësh teknologjie tashmë duan të punojnë për vete dhe shpresojnë të krijojnë atë që mund të jetë aplikimi i rradhës i domosdoshëm për të gjithë, apo suksesi i rradhës i madh i biznesit të elektronikës.
Milos Milic, një zhvillues i teknologjisë së informacionit 25 vjeçar nga Serbia, është pjesë e kësaj gjenerate të re. Ai ka punuar për pesë kompani të ndryshme por nuk ndjeu kurrë se kishte liri të mjaftueshme. Dhjetorin e kaluar, ai dhe partneri i tij në biznes, Srdjan Stupar, i lanë punët e tyre në të njëjtën ditë për të filluar Farmia, një bursë në internet për bagëtitë.
Milic e përshkroi ndryshimin si gjëja më e mirë që i ka ndodhur në jetë. “Ne kemi paga më të ulëta tani, por ne kemi shansin të ndërtojmë kompaninë tonë,” tha ai.
Farmia ndan një zyrë me kompani të tjera fillestare në një hapësirë biznesi të hapur së fundmi në Beograd të quajtur Potkrovlje (“Çatia”). Një ditë këtë verë, vendi mbante ende erë bojë të freskët dhe kornizat e derës kishin nevojë të rregulloheshin, por skuadra e Farmias dukej e pavëmendshme ndërsa qenë fiksuar pas ekranit duke shkruar kode.
Deri së fundmi, kompanitë e reja serbe duhej të kërkonin jashtë vendit për financime. Por fonde të tilla si StartLabs, që filluan vitin e kaluar, synojnë ta mbushin këtë hendek të fuqizuar nga rritja e madhe e numrit të sipërmarrësve të teknologjisë.
“Kjo është koha më e mirë për të filluar diçka si kjo,” thotë Nebojsa Lazic, një nga themeluesit e StartLabs dhe një sipërmarrës serial me eksperiencë të gjerë në zhvillimin e programeve kompjuterike.
Me zyra të ndodhura në një qendër tregtare dhe konferencash, ku takohej dikur partia e vjetër komuniste e Jugosllavisë, StartLabs ofron financime deri në 50 mijë dollarë dhe lidh firmat me mentorët dhe investitorët në Europën Perëndimore dhe në Shtetet e Bashkuara.
Gjërat kanë ndryshuar, thotë Lazic, që nga ditët kur sipërmarrësit thirreshin gjysmë me shaka “superheronj me tendenca vetëvrasëse”.
Gjenerata e re ka prirjen e të besuarit se mund t’ia dalë, gjë që mungon në shumë njerëz që ndërtuan biznese pas rënies së komunizmit më shumë se dy dekada më parë, thonë disa veteranë të skenës së teknologjisë.
“Unë kam parë gjeneratën e mëparshme që me shumë më tepër para dështoi për shkak se kishte mendësinë e gabuar,” thotë Hristo Alexiev, një sipërmarrës serial dhe themelues i kompanisë Bullgare Playground Energy.
Rrënjë vendore, prani globale
Ndryshe nga kompanitë e Silikon Vallej, të cilat kanë akses në qindramilionë konsumatorë vetëm në Shtetet e Bashkuara, kompanitë e Ballkanit janë me bazë në një rajon të fragmentarizuar në tregje të vogla. Por Dilyan Dimitrov, një nga themeluesit e Eleven, thotë se kjo mund të kthehet në avantazh për shkak se i detyron kompanitë e reja të rajonit të zhvillojnë ide me prirje ndërkombëtare.
“Çdokush që po fillon një produkt të ri teknologjik është shumë i vetëdijshëm se i duhet të krijojë një produkt me vlerë botërore,” tha ai.
Playground Energy, me bazë në Sofie, po përpiqet të bëjë ekzaktësisht këtë gjë. Kompania prodhon pajisje për kënde lojërash të cilat gjenerojnë elektricitet nga loja e fëmijëve. Elektriciteti përdoret për ndriçim, zhurma dhe efekte të tjera që synojnë t’i nxisin fëmijët të luajnë më gjatë.
Bashkëthemeluesi Alexiev thotë se baza në Bullgari i jep kompanisë avantazh të rëndësishëm. Ajo mund të ndjekë një strategji për rritje botërore ndërsa përdor dizenjues dhe zhvillues vendas. Kjo i mban kostot e biznesit të ulëta, gjë që është e rëndësishme duke pasur parasysh se kompania ka vetëm 200 mijë euro investim të sigurt.
“Nëse ne lëviznim në Amerikë, do të duhej të shpenzonim gjysmën e parave vetëm për udhëtimin, qiranë, avokatët…” thotë Alexiev, i cili në moshën 44 vjeç flet mbi Playground Energy, kompania e gjashtë e themeluar prej tij, me entuziazmin e një 17-vjeçari që ka nisur biznesin e parë.
Por të tjerë kanë ndjekur rrugë të ndryshme, duke u zhvendosur nëpër qendra të teknologjisë si Londra apo Berlini, ku ata besojnë se mund të rriten më shpejt.
Unioncy, një platformë në internet ku njerëzit mund të kontrollojnë blerjet e tyre dhe të magazinojnë garancitë, faturat, siguracionet apo manualet në të njëjtin vend, lëvizi nga Sofia për në Londër, ku kishte më shumë mundësi investimi.
“Shumica e investitorëve [në perëndim] nuk janë aq refuzues ndaj rrezikut apo konservatorë sa janë në Bullgari,” tha bashkëfinancuesi Deyan Dimitrov, një 27 vjeçar nga Bullgaria tha këtë verë.
Dimitrov dhe partneri i tij në biznes nga Suedia, Victor Bodin, folën me 50-60 mbështetës potencialë para se të siguronin 65 mijë euro nga dy “investitorë engjëj” nga Britania – individë të pasur që financojnë sipërmarrje të reja. Kjo shumë u plotësua nga Eleven në Bullgari.
Por fati i Unioncy sugjeron se lëvizja drejt një qendre të madhe të teknologjisë nuk është garanci për sukses. Biznesi shkoi me shpejtësi nga fillimi deri te mbyllja. Ata njoftuan shpërbërjen në fund të tetorit pasi u përballen me probleme teknike të cilat qenë më të vështira se sa qenë parashikuar nga partnerët.
VetCloud, kompania e re serbe, themeloi gjithashtu një prani në Londër dhe mori financime dhe mentorim nga zyra britanike e TechStars, një fond ndërkombëtar.
VetCloud, kompania e re serbe, po përpiqet të marrë më të mirat e të dy botëve. Vitin e kaluar fitoi financime dhe mentorim nga zyra e Londrës së TechStars, një fond ndërkombëtar, dhe themeloi prani të vetën në kryeqytetin e Britanisë. “Ne vendosëm të lëvizim atje ku është tregu,” thotë Vesic.
Por zyra e tyre e vogël në Londër është e përqendruar te shitjet; skuadra zhvillimore e kompanisë mbetet në Nish.
Hungaria për sukses?
Ndërsa kompanitë e reja në Ballkan shpresojnë për një sukses të madh, një vend fqinj ish-komunist ka arritur sakaq një seri suksesesh ndërkombëtare. Hungaria ka qenë vendi i nisjes për disa kompani si Prezi, një program prezantimi me bazë retë (cloud), Ustream, një platformë transmetimi videosh në kohë reale dhe LogMeIn, i cili i jep përdoruesve akses në distancë te kompjuterët e tyre.
Prezi u krijua më 2009 si një alternativë ndaj programit PowerPoint të Microsoft. Pesë vjet më vonë, ajo ka 45 milionë përdorues në të gjithë botën. Kompania ka 160 të punësuar nga dhjetëra vende në zyrën e saj në Budapest, një hapësirë pune me ngjyra të çelëta në një ish central telefonik.
Njësoj si shumë kampuse të teknologjisë në Silikon Vallej, Prezi i ofron stafit të vet shumë përkujdesje, përfshirë ushqim falas. Një mëngjes të nxehtë qershori, një grup i vogël punonjësish, të njohur si “Prezilians”, mbushi ngadalë kafeterinë ku gjendej një shumëllojshmëri ushqimesh të ngjashme me bufenë e mëngjesit në ndonjë hotel me pesë yje dhe filloi bashkëbisedimin në gjuhë të ndryshme. I veshur me një bluzë me jakë V, bashkëthemeluesi Peter Halacsy pinte kafenë dhe bashkëbisedonte me disa punonjës të tjerë në tryezën e tij.
Për Halacsy, çelësi i suksesit për kompanitë e reja është “jo paratë, jo infrastruktura, jo sistemi ligjor,” por ndryshimi i mënyrës se si njerëzit mendojnë – largimi nga mentaliteti i mërzitshëm i mosmarrjes së rreziqeve, mentalitet i epokës komuniste.
“E shkuara jonë, historia, prindërit, komunizmi, çdo gjë këtu sugjeron se ne nuk duhet të besojmë tek e ardhmja,” thotë Halacsy, i cili është përgjegjësi për teknologjinë në Prezi. Ne inkurajuam një sjellje shumë të ndryshme. “Ne nuk duhet të kemi frikë dhe duhet të shohim përpara.”
Krahas Ustream dhe LogMeIn, Prezi krijoi një organizatë joqeveritare të quajtur Bridge Budapest që synon të ndihmojë dhe frymëzojë një gjeneratë të re sipërmarrësish hungarezë.
“Në San Fransicso, është e sikletshme për dikë në moshën 20 vjeçare të mos ketë krijuar ende biznesin e vet. Këtu, prindërit i thonë fëmijëve të tyre: ‘Mos e provo, është e rrezikshme. Shko të punosh në një bankë, kjo do të jetë më e mira për ty’,” thotë Veronika Pistyur, drejtuesja ekzekutive e organizatës. “Tashmë unë mund të shoh se gjithnjë e më shumë njerëz janë të gatshëm të guxojnë”.
Por, deri tani, kompanitë e reja hungareze nuk kanë arritur të njëjtin nivel suksesi si Prezi apo yjet e tjera të skenës së teknologjisë të Budapestit.
Disa ekspertë biznesi sugjerojnë se kjo është pjesërisht për shkak se Hungaria ka përfituar paratë nga programi JEREMIE i Bashkimit Europian për t’i përdorur si fonde kapitale për sipërmarrjet. Këto para investohen më së shumti në kompani më të maturuara dhe nuk përdoren për mentorim. Ata argumentojnë se kjo do të thotë se kompanitë më të vogla të sapofilluara nuk po ushqehen.
Sipas të dhënave nga Shoqata Europiane e Kapitalit Privat dhe Kapitalit Sipërmarrës, Hungaria ka normën më të lartë të investimit në kapital sipërmarrës si përqindje e prodhimit të brendshëm bruto në Bashkimin Europian.
“Ne duhet të krijojmë një akademi JEREMIE – mësime dhe arsimim të njerëzve që po menaxhojnë fondet,” thotë Peter Zaboji, një biznesmen dhe ish mësues te INSEAD, shkolla prestigjioze ndërkombëtare e biznesit, themelues i një fondacioni sipërmarrësish në Budapest.
Por ZsoltBako, bashkëthemelues i CoLabs, një mjedis pune për kompanitë e reja, thotë se suksesi i ardhshëm madhor mund të jetë fare pranë.
“Do të duhet ca kohë,” tha ai. “Përgjatë dy viteve të fundit, çdokush po priste për ngjarjen tjetër të madhe dhe kur ajo nuk erdhi, njerëzit u ndjenë të lodhur. Por bashkësia po bëhet gjithnjë e më e mirë.
Gjetja e segmentit tjetër
Në Ballkan, investitorët nuk kanë iluzione dhe besojnë se rajoni nuk do të bëhet një tjetër Silikon Vallej por disa thotë se ai mundet të arrijë një rol të vlefshëm në skenën ndërkombëtare të teknologjisë.
“Ajo që mund të zhvillojmë ne këtu është një lloj inkubatori për talente – vende që japin njerëz me ide interesante,” thotë Maxim Gurvits, një partner i Teres Capital, me bazë në Sofie, e cila ka në plan të krijojë një fond kapitali sipërmarrës për kompanitë e reja në Europën Qëndrore dhe Lindore.
“Pra, herës tjetër, kur të dëshirosh të krijosh një kompani, duhet të shkosh në Sofie dhe jo në Nju Jork, për shkak se atje është tepër shtrenjtë.”
Ndonëse Ballkani ka shumë programues, investitorët thonë se mungesa e njerëzve me eksperiencë biznesi është disavantazh i madh.
“Njerëzit nuk janë tërësisht të vetëdijshëm se çfarë do të thotë të kesh kompaninë tënde, përgjegjësitë që merr përsipër apo volumin e punës,” thotë Dimitrov, nga Eleven.
Për Belov, nga Launchub, “mënyra e vetme për të patur një sukses të madh është që të kesh programuesit këtu por shitjet dhe marketingun të vendosur në vendet ku këto aftësi janë të zhvilluara deri në perfeksion, si Londra apo Silikon Vallej.”
Qeveritë e Ballkanit po hyjnë ngadalë në këtë sektor. Serbia ka një Fond Inovacioni të financuar nga Bashkimi Europian, i cili ka dhënë 53 grante me vlerë 6 milionë euro deri tani.
Sofia po ndërton një tech park me vlerë 50 milionë euro – gjithashtu me fonde nga Brukseli – për të lidhur bizneset vendase me universitetet për të fuqizuar inovacionin. Presidenti i Bullgarisë, Rosen Plevneliev, deklaroi në një ceremoni përurimi në korrik se ky vend do të bëhet “zemra e kulturës së hapjes së bizneseve të reja” në këtë vend.
Por sipërmarrësit në fushën e teknologjisë duan ndihmë më të menjëhershme dhe praktike. Disa tregojnë shembullin e qeverisë britanike, e cila ofron ulje të mëdha taksash për investitorët në biznese të reja dhe për vetë kompanitë e reja.
“Të gjitha bizneset e reja kanë nevojë për më shumë përfitime fiskale dhe sisteme më të lehta për vitin e parë apo të dytë,” thotë Danica Radisic, një sipërmarrës me bazë në Beograd.
Sipërmarrësit dhe investitorët janë gjithashtu të shqetësuar për rënien e standardeve arsimore, duke patur frikë se kjo gjë mund të sjellë mungesë inxhinjerësh të kualifikuar në teknologjinë e informacionit – dhe mbi mungesën e bashkëpunimit mes qarqeve akademike dhe kompanive të reja.
Elitsa Panayotova, drejtoresha e kompanisë nën pronësi shtetërore që menaxhon Parkun Teknologjik të Sofies, argumenton se projekti mund të shërbejë si katalizator për reforma më të gjera.
“Në çastin që ky mjedis hap dyert për publikun, do të duhet të ndodhin edhe shumë gjëra të tjera që ai të ketë sukses,” tha ajo. “Dhe ky është çasti kur qeveria do të detyrohet ta mbështesë atë.”
Por ndërsa politikanët identifikojnë prioritetet e tyre, programuesit vijojnë të punojnë për idetë e tyre të mëdha.
VetCloud po përgatitet për lançimin zyrtar në Londër këtë nëntor dhe po negocion një partneritet me shpërndarësit në Shtetet e Bashkuara.
Vesic, i cili është përgjegjës për zhvillimin e produkteve dhe biznesit, e ndan kohën mes Nishit dhe Londrës, por edhe Sofies, ku përkujdeset për kompani të tjera të reja dhe ndihmon Eleven të përzgjedhë kandidatë të rinj për investime.
Ëndrra e tij është e madhe.
“Nëse ti përdor Dropbox për të sinkronizuar dokumentet e tua, nëse përdor Google për të kërkuar internetin, atëherë do të përdorësh VetCloud për të menaxhuar dosjet mjekësore të veterinarisë,” thotë ai.
Pjesa e parë e historisë së VetCloud ka patur sakaq fund të lumtur. Damiani, maçoku i tij tashmë ka një bisht që ngjan më shumë me bishtin e një lepuri por e ka marrë veten mjaft mirë nga aksidenti dhe vijon të shijojë shëtitjet nëpër rrugët e Nishit.
Ky artikull u prodhua si pjesë e Programit të Bursës Ballkanike për Gazetari Ekselente, mbështetur nga Fondacioni Erste dhe Fondacioni Shoqëria e Hapur, në bashkëpunim me Rrjetin Ballkanik të Gazetarisë Investigative.