Kleriku mysliman i sulmuar dhe plagosur tri herë në javët e fundit pas kritikave të tij të mprehta ndaj myslimanëve të vijës së ashpër thotë se ai nuk ka opsion tjetër veçse të tërhiqet nga debati.
Një imam boshnjak ose një klerik mysliman, në fshatin veriperëndimor Trnovi, ka thënë se ai po tërhiqet nga debatet publike rreth islamikëve radikalë, që nuk i kanë sjellë atij gjë tjetër veçse telashe.
“Po tërhiqem nga të gjitha debatet në rrjetet sociale. Thjesht nuk kam fuqi të debatoj dhe të shpjegohem te të tjerët,” tha për Balkan Insight Selvedin Beganovic në një telefonatë ekskluzive të mërkurën.
Beganovic u bë qendra e vëmendjes së publikut në Bosnje dhe përtej pasi pësoi tre sulme fizike në më pak se një muaj.
Ato besohet se lidhen me kritikat e tij të përsëritura, në predikime, deklarata publike dhe në komente të medieve sociale, të militantëve islamik që tani po largohen nga Bosnja për të luftuar krah Shtetit Islamik ose Al Kaedës në Siri dhe Irak.
Kleriku ka zemëruar fanatikët fetarë kur tha se xhihadi mysliman – kryqëzata apo lufta e shenjtë – duhet të jetë rreth hapjes së vendeve të reja të punës, dhe jo në frontet e luftës jashtë, sipas citimeve të medias.
Beganovic u sulmua së pari më 8 dhjetor kur ai u rrah dhe u qëllua me thikë nga një person i maskuar. Ai u rrah përsëri përpara xhamisë së tij më 13 dhjetor, sërish nga një person i maskuar.
Ai u sulmua për herë të tretë më 1 janar të këtij viti nga një tjetër person i maskuar, fillimisht me objekte të forta dhe më pas u qëllua me thikë dy herë.
Një zëdhënës lokal i ministrisë së brendshme, Ale Siljdedic, tha për Balkan Insight se hetimi për këto sulme po vazhdonte në disa drejtime, përfshirë anëtarët e komunitetit lokal vahabi.
Megjithatë, Siljdedic tha se deri më tani nuk kishte shenja të përfshirjes së ndonjë anëtari të këtij komuniteti.
Ekspertët e sigurisë dhe zyrtarët e inteligjencës thonë se rreth 400 boshnjakë i janë bashkuar luftërave të jashtme në vitet e fundit, përfshirë 160 në muajt e fundit.
Disa janë raportuar të vrarë në luftime ose në misionet vetëvrasëse me bombë.
Bosnja miratoi vitin e shkuar një ligj që i ndalon qytetarët të luftojnë në shtetet e tjera.
Agjencitë policore dhe ato të inteligjencës në muajt e fundit kanë arrestuar më shumë se dhjetë islamik radikal që besohet të kenë luftuar jashtë apo se kanë rekrutuar të tjerë për luftime të tilla.
Figura kryesore e këtij grupi është Husein Bosnic, i njohur si Bilal, që mbetet në paraburgim për vepra terroriste, rekrutim dhe organizim të grupeve terroriste, si dhe shpërndarje të islamit radikal.
Komuniteti Islamik boshnjak ka kritikuar praktika të tilla dhe e ka distancuar veten nga radikalizmi islamik, që u shfaq në Bosnje në fillim të luftës boshnjake të ’90.
Beganovic tha për Balkan Insight se postimet e tij në mediat sociale dhe komentet në publik tani do të jenë të kufizuara vetëm në çështje të fesë dhe se nuk do të bëjë më kritika.