Një gjyq i ri për vrasjen e redaktorit dhe gazetarit të mirënjohur, të vrarë në 2004, është hapur në Malin e Zi.
Gjyqi i tretë i njëpasnjëshëm për vrasjen e gazetarit Dusko Jovanoviç filloi të hënën në Gjykatë e Lartë në Podgoriçë, me të vetmin të pandehur, Damir Mandiç, duke e akuzuar policin për ‘fabrikim prove’.
Mandiç tha se ai ishte mbajtur në burg për 10 vjet pavarësisht se ishte i pafajshëm duke thënë se provat e pretenduara ishin marrë në mënyrë të paligjshme nga skena e krimit dhe në kundërshtim me rregullat e autoriteteve hetuese.
Jovanoviç, kryeredaktor dhe pronar i gazetës së përditshme Dan, i mirënjohur për kundërshtimet që i bënte qeverisë, u qëllua për vdekje teksa largohej nga zyra e tij në Podgoriçë më 27 maj 2004. Ai kishte marrë shumë kërcënime për vdekje përpara se të vdiste.
Mandiç u dënua me 30 vjet burg për vrasjen në 2009 si një bashkëfajtor në krim. Vendimi u hodh poshtë në korrik 2014, duke detyruar fillimin e një gjyqi të ri.
Mandiç është i vetmi i akuzuar i dënuar në lidhje me vrasjen. Ideatorët e krimit mbeten të lirë.
Gjykata refuzoi të hënën kërkesën e përfaqësuesve ligjorë të Mandiç për të marrë në pyetje kryeministrin Milo Djukanoviç, ministrin e drejtësisë Dusko Markoviç dhe zyrtarin e inteligjencës Tiho Gaceviç.
Prokuroria gjithashtu kundërshtoi, duke thënë se të tre, ashtu si dëshmitarët e tjerë, dëshmuan gjatë hetimit tre-mujor vitin e shkuar.
Më herët, përfaqësuesja e OSBE për lirinë e medias, Dunja Mijatoviç, i nxiti autoritetet t’i japin fund klimës së dukshme të pandëshkueshmërisë për sulmet mbi gazetarët.
“I nxis autoritetet të sigurojnë një hetim të plotë dhe transparent në çështjen e Jovanoviç për të identifikuar ata që fshihen pas krimit dhe për t’i sjellë para drejtësisë,” tha Mijatoviç.