Sheshi i kampusit kryesor në Shkup ishte tepër i vogël për të nxënë të gjithë studentët që erdhën për të parë Dubioza kolektiv dhe Bernays Propaganda të luanin muzikë në mbështetje të kërkesave të tyre.
Mijëra studentë u mblodhën në sheshin e kampusit kryesor të universitetit në Shkup për një koncert rrok nga bandat ballkanike të rrokut në mbështetje të zaptimit studentor të Universitetit Shën Kirili dhe Metodi.
Në ditën e tetë të zaptimit ose ‘çlirimit’, pothuajse të gjitha fakultetet janë bashkuar në protestë dhe kanë bojkotuar orët e mësimit. Sheshi midis ndërtesave të fakulteteve të drejtësisë, ekonomisë dhe filozofisë ishte tepër i vogël për të gjithë studentët që erdhën të dëgjojnë bandën e njohur boshnjake Dubioza kolektiv dhe bandën maqedonase Bernays Propaganda teksa luanin live në mbështetje të kërkesave të tyre.
Studentët nga fakulteti i arkitekturës bashkuan forcat me Plenumin e Studentëve – organizues të protestës – një ditë përpara se studentët nga fakultetet e Pedagogjisë dhe Teknologjik gjithashtu deklaruan një ‘zonë autonome’ në anën e tyre të kampusit.
Më shumë se 150 studentë aktualisht po zaptojnë Fakultetin e Filozofisë dhe Filologjisë, duke kërkuar një ligj komplet të ri mbi arsimin e lartë. Ligji i miratuar së fundmi, që parashikon provime shtetërore kontraversale , është pezulluar. Provimi i planifikuar, thotë Plenumi i Studentëve, dhunon autonominë e universiteteve.
“Ne po hapim një kapitull të ri në aktivizmin studentor maqedonas. Studentët kanë vendosur të marrin mbrapsht atë që u takon dhe të deklarojnë një universitet të kontrolluar plotësisht nga studentët,” tha Dejan Lutovski i Plenumit të Studentëve në median maqedonase më 11 shkurt.
Pavarësisht fjetjes në fakultet, studentët kanë filluar programet e tyre, me leksione alternative, trajnime dhe aktivitete studentore.
Rektori i Universitetit të Shën Kirilit dhe Metodit, Velimir Stojkovski ka takuar përfaqësuesit e Plenumit Studentor dhe ra dakord të formojë një grup pune për të ndihmuar rihartimin e ligjit. Takimi i parë do të mbahej të hënën por ata nuk ranë për vendin, ndaj u shty.
Plenumi i Studentëve më herët pretendoi që argumentet e tyre kundër ligjit ishin shpërfillur, që ata kishin qenë deformuar dhe se ministri i arsimit Abdulakjim Ademi, kishte shmangur debatin me ta.
“Tani, papritur, pas gjithë kësaj, qeveria ka shtyrë ligjin. Megjithatë, nëse qeveria mendon se do të na mbyllte gojën, e ka gabim. Ne nuk do të bëjmë kompromis mbi autonominë,” citoi media të ketë thënë Ana Knezevik nga Plenumi i Studentëve.
Plenumi kërkon të përgatitet një version tërësisht i ri i ligjit mbi arsimin e lartë dhe që i vjetri të shtyhet deri në 2018. Ata duan gjithashtu që të firmoset një marrëveshje midis ministrisë së arsimit, rektorit të universitetit, plenumit të studentëve dhe plenumit të pedagogëve, që mbështet studentët. Ata të gjithë duhet të kenë një rol të barabartë në krijimin e ligjit të ri.
“Ne kërkojmë që të formohen menjëherë grupe pune, jo vetëm për të shtyrë ligjin dhe për të lënë në harresë të gjithë këtë. Do të jemi këtu derisa të na plotësohen kërkesat,” tha Knezevik.
Në dhjetor, më shumë se 10,000 studentë dhe profesorë universiteti marshuan në Shkup kundër ligjit të propozuar, në atë që u konsiderua protesta më e madhe studentore në historinë e pavarësisë së vendit. Marshimi i parë u organizua nga një grup i vogël studentësh në fund të nëntorit.
Ministri i arsimit Ademi fillimisht ishte i vendosur të mbronte ligjin, që sipas tij do të përmirësonte cilësinë e edukimit. Ai tha gjithashtu se ligji nuk do të ndikonte në autonominë e universiteteve.