Kryeministri maqedonas urdhëroi një sulm fizik ndaj një kryekomunari opozitar në 2013, pretendon opozita në përgjimet e zbuluara së fundmi mes dy zyrtarëve të lartë.
Në konferencën e 23 për shtyp që ka si subjekt përgjimet e qeverisë, opozita e Social Demokratëve prezantoi përgjime që sipas saj provojnë se kryeministri Nikola Gruevski fshihej pas trazirave në komunën Centar të mbajtur nga opozita në qershor 2013.
Në një përgjim pretendohet se dëgjohet zëri i Gruevskit teksa urdhëron ministrin e transportit Mile Janakieski të planifikojë një sulm fizik kundër kryekomunarit të sapozgjedhur të Centarit, Andrej Zernovski.
“Po mendoj se ai [Zernovski] duhet të marrë pesë ose gjashtë shuplaka përpara kamerave të premten. Lërini qytetarët të hynë në ndërtesën e komunës dhe njëri prej tyre ta godasë tre herë fort,” dëgjohet të thotë zëri i Gruevskit për Janakieskin, i cili përgjigjet “ne mund të sajojmë diçka”.
Gruevski më tej sugjeron se personi i zgjedhur për të sulmuar Zernovskin nuk do të ndiqej penalisht për vepër të rëndë penale sepse kryekomunari nuk do të ketë dëmtime të rënda.
Të dy më pas komplotojnë si të çojnë njerëzit e tyre në protestë përpara komunës me pretekstin e rremë se kryekomunari i opozitës do të shembë një kishë që është ndërtuar në territorin e tij.
Gruevski shfaqet teksa sugjeron se disa protestues duhet të hynë në ndërtesën e komunës dhe delegatët e partisë të pengojnë seancën e këshillit që komunari të mos punojë normalisht.
Në qershor 2013, pasi Zernovski fitoi zgjedhjet vendore në Centar, një turmë e dhunshme rrethoi ndërtesën e komunës, theu dritaret dhe protestoi kundër planit të pretenduar për shembjen e një kishe ortodokse.
Një punonjës i komunës u plagos dhe kryetari u evakuua gjatë incidentit. Partia VMRO DPMNE e Gruevskit këmbënguli se nuk kishte gisht në trazirë.
Përgjime të tjera sugjeruan se kryeministri maqedonas ishte i përfshirë në ndërtimin e ndërtesave të reja në zonën qendrore të Shkupit.